LAJMI I FUNDIT:

Bie perceptimi i publikut për korrupsion në Doganë

Bie perceptimi i publikut për korrupsion në Doganë

Perceptimi i publikut për korrupsion në Doganat e Kosovës ka ndryshuar rrënjësisht. Mendimi se Dogana është një ndër organizatat më të korruptuara, tani ka ndryshuar dhe tani ky institucion shihet si më së paku i korruptuar.

Kështu u tha sot në punëtorinë mbi etikën qeverisëse për Doganën e Kosovës, të organizuar nga Departamenti Amerikan për Tregti, raporton Ekonomia Online.
Sidoqoftë, drejtues të Doganës thanë se po vazhdojnë përpjekjet për t’i eliminuar të gjitha mundësitë për korrupsion.


Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, duke iu drejtuar punonjësve të doganës që po marrin pjesë në këtë punëtori, deklaroi se sjellja joetike dhe korrupsioni shpesh herë neglizhohen.“Një etikë profesionale është vlerë për shoqërinë kosovare”, deklaroi Berisha, i cili mori detyrën këtë muaj.“Ne shpresojmë që Ambasada Amerikane do të vazhdojë ta përkrahë Doganën… Këta janë një nga partnerët tonë strategjikë në ndërtimin e doganave dhe shoqërisë tonë”, shtoi Berisha.

E ngarkuara me punë në ambasadën e ShBA-së, në Prishtinë, Colleen Hyland, theksoi se gjatë viteve të fundit ambasada ka punuar ngushtë me doganat në përmirësimin e performancës, rritjen e transparencës dhe zvogëlimin e korrupsionit.

Ajo tha se janë jashtëzakonisht të kënaqur me nismat e Doganës duke përmendur vendosjen e kamerave të brendshme si dhe përpjekjet për t’i eliminuar mundësitë për korrupsion.“Këto përpjekje kanë filluar të shpaguhen. Të hyrat në vitin 2015 dhe 2016 i kanë kaluar parashikimet. Perceptimi i publikut për korrupsion në dogana ka rënë ndjeshëm pasi që mendimi i opinionit publik për dogana se doganat ishin një ndër organizatat më të korruptuara tani ka ndryshuar dhe tani ato shihen si më së paku të korruptuara. Në tetor të vitit 2016 Raporti i Pulsit të opinionit publik i hartuar nga USAID-i, dhe UNDP-ja, thotë se 5 për qind e respondentëve kishin raportuar se kishin kërkuar të paguanin ryshfet gjatë 12 muajve të fundit, kemi rastin që atë shifër ta ulim në zero”, ka thënë ajo.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka prezantuar një raport të bërë nga UNDP-ja, në të cilin është bërë matja e korrupsionit në Doganën e Kosovës me 200 të anketuar ku janë përfshirë 100 kompani.

Sipas këtij raporti, knaqëshmëria me punën e Doganës është e madhe.“Në vitin 2016 për herë të parë kemi kaluar një miliardë euro të hyra për buxhetin e Kosovës që besoj se është një prej kontributeve më të mëdha që i kemi dhënë edhe për vendin tonë. Në bazë të të arriturave Dogana gjithmonë ka performuar mirë.
Gjithmonë kemi arritur ta tejkalojmë projeksionin”, deklaroi Stavileci.

Punëtoria mbi etikën qeverisëse për Doganën e Kosovës që ka filluar sot do të vazhdojë edhe nesër. /Telegrafi/