LAJMI I FUNDIT:

Zotnitë

Zotnitë

Mëngjesi prapë është i akullt. Xhaketa e trashë dhe këpucët me qafa nuk më bëjnë punë. Kur dal më kaplojnë dridhjet. Ai është prapë atje te kontejnerët e bërllokut. Me një bluzë tërë vrima, këpucë alla luli-i-vocërr dhe pantallona verore të palara. Përpiqet të buzëqeshë kur i afrohem, por tërë çfarë prodhon ajo fytyrë e parruar dhe e lodhur, është një ngërdheshje e dëshpërimit. E ndaj me të kiflen që kam në dorë. Edhe një herë, fytyra e tij dëshpërimisht provon të falënderojë. Edhe një herë nuk ka sukses. Muskujt që nxiten nga emocionet duket se i kanë vdekur dhe ai i kthehet gërmimit në kontejnerët tërë borë.

Më shumë se një dekadë më parë, mëngjesi ishte i hirtë dhe dielli ishte fshehur pas reve të errëta, por thika e J. shkëlqente verbueshëm. Vargani i fshatarëve të frikësuar kalonin afër tij dhe shikimi i tyre, donin s’donin, në thikë thyhej. J. ironizonte se e ka dorën e lehtë dhe se s’duhej të bëheshin merak se do të vuanin. A s’ishte rritur ai me ta?! Dhe, po, kjo ishte e vërtetë. J. ishte rritur me copat e bukës që bashkëfshatarët ndanin për të. Me kohë, në një kohë paqeje dhe begatie, J. punonte dhe jetonte relativisht mirë në fshatin ku kishte lindur. I veshur, i mbathur, i rruar, i pastër e i ushqyer si është më së miri, por J. kurrë s’mundi ta hiqte epitetin që i ishte ngjitur si rrodhe në trupin e tij, prej se kishte ardhur në këtë jetë. Kurrë s’ishte bërë pjesë e “racës së bardhë”. Gjithmonë anash, gjithmonë i huaji, gjithmonë tjetri. Dhe, thellë brenda tij – dhe kjo shihej sidomos nga sytë e tij – digjej një zjarr, një zjarr që vjen nga përbuzja. Një zjarr që prodhon zjarrin tjetër. Dhe pastaj një tjetër, dhe pastaj një tjetër… në një vorbull çmendie, deri në theqafje.


Poeti ynë Esad Mekuli shkruan me dhembje e trishtim për sharraxhitë në rrugët e qyteteve të ish-Jugosllavisë. Të tjerë flasin për qymyrgjinj, fshesarë rrugësh, pastrues e profesione tjera që ishin “rezervuar” atëherë për shqiptarin e përbuzur.

Kohë të tjera erdhën, por prapë shqiptari gjendej banhofave, bodrumeve e nënurave të botës. I përbuzur, i fyer, i nëpërkëmbur, i paragjykuar, ai e pati të vështirë të krijojë emër dhe jetë të mirë për vete. Duhej së pari të fshinte blozën nga emri i vet si i huaj, si emigrant, si ekzotik, si tjetri… e pastaj të ndërtonte veten në shoqëri të tjera ku e kishte degdisur fati.

Paramendoni, nëse shoqëritë tjera do të silleshin me ne sikur ne që bëjmë me “inferiorët”, a do të kishim sot nëpër botë klasën e njerëzve, me të cilët krenohemi edhe ne këtu. Shoqëritë tjera, që shpesh u themi raciste, po na pranojnë dhe po na integrojnë në gjirin e tyre për disa dekada. Si u bë, që me shekuj jetojmë së bashku dhe gjithmonë këta të “huajt” tanë po i shikojmë nga lart?

Në rrugë, duke u kthyer nga puna, i shoh te çdo semafor. Njëri ka në dorë një shishe ujë dhe dëshiron t’ma pastrojë xhamin e veturës, tjetri ka dorën e këputur, tjetra ka një foshnjë në krah, një tjetër është pa këpucë, një vogëlush më shikon dhe pret mos po e hapi xhamin. Ah, ata sy të bukur që kërkojnë! Që kërkojnë! Filloj ta hapë dritaren dhe me lemeri dëgjoj zërin e shokut tim në ulësen tjetër: “Mos, se po ftohet kerri! Se krim i organizuar është ky”! Dhe me mospërfillje rehatohet më mirë në ulëse. Është ai shoku që ishte ankuar sa herë për trajtimin që ia kishin bërë në Evropë.

Arrij te shtëpia. Ai është prapë te kontejnerët. Tash ka edhe disa të tjerë që kontrollojnë bërllokun. I shikoj me radhë, derisa përgatitem të largohem. Shoh mjerim, skamje, fytyra të dëshpëruara, sy të uritur, duar të nxira që dridhen. Papritmas, ndeshem me dy sy që më shikojnë me ngulm. Nuk janë si të tjerët, lutës dhe të përulur. Më shikojnë në një mënyrë të tillë sikur duan diçka më shumë. Dhe shoh një zjarr që digjet, që pambarimisht digjet brenda tyre.

Thonë se tehu i thikës së J. shkëlqente në ato ditë të kobshme. Kështu si po shkojnë punët, ka gjasa se kjo do të përsëritet edhe te gjenerata tjetër. Është zjarri që digjet në zemrën e atij që askush s’e afron, askush s’e qas, askush (me gjuhën e sotme) s’e integron. Është zjarri i mjerimit, urrejtjes dhe dëshpërimit të atyre që mëngjeseve të akullta, në vend se të pinë qumësht a kafe në dhomat e ngrohta, kanë dalë të kontrollojnë kontejnerët tanë për të kërkuar copa të ftohta buke.

Sa shpejt u bëmë zotni! Prapë!

Në trend

Më shumë
Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Auto
Ballkani me fitore ndaj Llapit feston titullin e kampionit në

Ballkani me fitore ndaj Llapit feston titullin e kampionit në "Zahir Pajaziti"

Superliga
U raportua se tregoi para Policisë së Serbisë të dhëna për UÇK-në, Durmishi: Është dokument i falsifikuar, jo deklaratë e imja - nuk shantazhohem dot nga UDB-ja

U raportua se tregoi para Policisë së Serbisë të dhëna për UÇK-në, Durmishi: Është dokument i falsifikuar, jo deklaratë e imja - nuk shantazhohem dot nga UDB-ja

Lajme
Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën

Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën

Bosnja
Goditen grupet kriminale në Shqipëri, sekuestrohen pasuri në vlerë 4.5 milionë euro, arrestohen 50 persona

Goditen grupet kriminale në Shqipëri, sekuestrohen pasuri në vlerë 4.5 milionë euro, arrestohen 50 persona

Lajme
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Kalo në kategori