LAJMI I FUNDIT:

Zmbrapsen mësimdhënësit, anulojnë grevën

Zmbrapsen mësimdhënësit, anulojnë grevën

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), e ka konfirmuar pezullimin grevës së mësimdhënësve e cila ishte paralajmëruar të filloj nga java e ardhshme me kërkesë të zbatimit të kontratës kolektive të arsimit.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar në një konferencë për medie ministri i Arsimit, Arsim Bajrami pas një takimi të mbyllur me sindikalistët derisa tha se i falënderon për mirëkuptim. “Është arrit pajtimi që Sindikata të shpall të përfunduar tentativën apo grevën dhe përpjekjet për të shkuar në grevë. E falënderoj Sindikatën, kryetarin e Sindikatës për mirëkuptim sa i përket mundësive reale”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, ministri Bajrami e ka pranuar se nuk do të ketë mjete për realizimin e të gjitha kërkesave që dalin nga kjo kontratë menjëherë, por ka thënë se Qeveria është duke bërë përpjekje për një gjë të tillë dhe se me rishikimin e buxhetit do të shihet mundësia të zbatohen edhe kërkesat që kanë mbet deri më tani pa u zbatuar.


“Ka pas një vullnet të mirë të dyanshëm. Ne kemi negociuar me Sindikatën nga dita e parë, kemi qenë shumë realist, nuk dëshirojmë as tani mësuesve t’u japim premtime që nuk mund të realizohen. Kemi realizua 90 për qind të kontratës kolektive, janë ndarë 11 milionë euro nga buxheti i Kosovës dhe ato janë para që janë ndarë në fakt dhe ato do të përdoren të tërat për pagesën e stazhit të punës dhe kjo gjë do të filloj menjëherë sa të filloj të paguhet për të gjithë shërbyesit civil sepse përfitimi nga pagesa e stazhit të punës kanë të gjithë sektori publik dhe ato do të fillojë të implementohet menjëherë sa të procedohen tek ministria e financave dhe kjo do të bëhet e mundshme për të gjithë shërbyesit civil. Çështja e shujtës nuk kemi parametra konkret”, tha ai.

Kurse, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se do të presin deri në shtator për realizimin të gjitha kërkesave të tyre duke besuar se të njëjtat do të realizohen deri në fillimin e vitit të ri shkollor. “Ne presim dhe urojmë që fillimet siç e thash të 0.5 të startojnë në mars dhe të jenë retroaktiv edhe unë jam i sigurt se me angazhimin e Qeverisë edhe shujta mund të implementohet në shtator. Këtë e dinë edhe mësimdhënësit sepse ne iu kemi dërguar një mesazh që ishte një ofertë e Qeverisë, ndërsa çështja e udhëtimit dhe besoj që një pjesë e komunave kanë filluar që të bëjnë lëvizje, besoj që në mars ish dashtë të sqarohet edhe çështja e udhëtimit, ndërsa 3 pagat janë edhe ministri e din dhe ato ish dashtë edhe komunat të kujdesen secila për pensionistët e vet që t’ua ndaj sepse dhe me ligj”, ka thënë ai.

Mësimdhënësit në mbarë vendin javë më parë kishin filluar me greva të kohë pas kobshme duke bojkotuar nga një dhe dy orë të mësimit për çdo javë me kërkesë të realizimit të kontratës kolektive, për të cilën Qeveria e Kosovës kishte deklaruar se nuk ka buxhet. /Telegrafi/