LAJMI I FUNDIT:

Zjarrfikësit kërkojnë status juridik

Zjarrfikësit kërkojnë status juridik

Shërbimi dhe sindikata e zjarrfikësve kërkojnë që të ju rregullohet statusi juridik, pasi që ende nuk e dinë se në cilin shërbim bëjnë pjesë e po ashtu ata po kërkojnë që të përmirësohen kushtet e punës në të cilat punojnë.

Përmes një konference për media kjo sindikatë i është drejtuar institucioneve përkatëse me kërkesat që të ju sigurohen pajisjet dhe mjetet e punës, të nivelohen pagat dhe mbi të gjitha të sigurohet buxheti për zjarrfikësit.

Kryetari i sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, tha se ky shërbim është mbet në një gjendje të mjerë dhe se punëtorët nuk i kanë as kushtet minimale për të punuar.


“Kemi mbet pa uniforma, me automjete të vjetra, kryesisht të viteve 70, dhe ky shërbim ka mbet në mëshirën e askujt, në vazhdimësi me kërkesa, me komunikata, me kërkesa tek të gjitha institucionet, që nga asociacionit të komunave, ministrisë së administratës publike, ministrisë së punëve të brendshme, financave deri tek qeveria, komisionit për siguri të punëve të brendshme, ju kemi dërguar letër të hapur edhe deputetëve edhe grupeve parlamentare të deputeteve të atëhershëm dhe asnjë përgjigje , asnjë reagim thuajse asgjë nuk është duke ndodhur në këtë shërbim. Shërbimi i zjarrfikësve dhe i shpëtimit në Kosovë, ballafaqohet me një mori problemesh të shumta, prej kur e pranojnë dorëzimin, kur fillon puna jonë formimi i grupeve është defekti sepse në shumë njësi në Kosovë janë nga dy zjarrfikës në një ndërrim, i cili as në mënyrë minimale nuk është në gjendje të veproj apo të kryej një shërbim emergjent që kërkojnë qytetarët”, tha Beka.

Në mbështetje të tyre ka dalur edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Nënkryetari i kësaj sindikate, Avni Ajdini, tha se ata i mbështetin fuqishëm kërkesat e zjarrfikësve dhe ai kërkon që të bëhet i ditur titullari i shërbimit të zjarrfikësve.

Që nga viti 2008 sindikata e zjarrfikësve ka mbajtur shumë greva dhe protesta në kërkim të përmirësimit të kushteve të punës së tyre, por që deri më tani ende nuk është bërë asnjë zgjidhje për ta. Dhe ata paralajmërojnë se në qoftëse as tani nuk bëhet ndonjë zgjidhje ata do t’i refuzojnë të gjitha urdhrat e nuk do të punojnë deri në plotësimin e kushteve. /Telegrafi/