LAJMI I FUNDIT:

Zhgënjime pas revolucioneve të vitit 1989

Zhgënjime pas revolucioneve të vitit 1989

Pas 30 vjetësh njerëzit në Evropën Lindore duken më shumë të zhgënjyer se të lumtur me “revolucionet e kadifenjtë”. Vërtet që fuqia blerëse në këto vende, pas një rënieje në fillim me 40 për qind, sot është dyfishuar. Në Poloni madje e trefishuar, por për njerëzit me bindje të majta, ky proces transformimi shkoi shumë larg dhe shkatërroi krahas diktaturës edhe barazinë, moralin dhe vetë shtetin. Kurse, për ata me bindje të djathta, procesi i transformimit nuk ishte asgjë tjetër veçse një hedhje hi syve, ai u krye nga komunistët me qëllimin që pushtetin politik ta kalonin në pushtet ekonomik. Pakënaqësia e përgjithshme ua bëri të mundur shumë populistëve ngjitjen në pushtet, duke refuzuar vlerat evropiane, sfiduar demokracinë liberale, nxitur metoda të afërta me mafinë dhe duke luajtur me fundamentalizmin fetar. Kjo nga ana e saj zhgënjeu evropianoperëndimorët: shumë nga ata janë të penduar për zgjerimin e BE-së, dikur i quajtur një hap i lavdishëm.

Për një vlerësim të tillë negativ e jologjik të një procesi që në fund të fundit ishte një sukses historik, ka arsye të ndryshme. Për disa ishte rritja e pabarazisë që shpesh e sjell me vete rritja ekonomike, ose dalja në pah e pabarazive që dikur ishin të lidhura më shumë me privilegje të fshehta dhe me statusin. Të tjerë filluan të ndjejnë pasigurinë pas hapjes së ashpër të këtyre vendeve ndaj konkurrencës ndërkombëtare. Një pjesë janë të zemëruar sepse mjegulla e globalizimit po i bën të zhduken brenda saj shtetet kombëtare. Shumë vëzhgues kanë shkruar se pas mobilizimit kundër imigracionit, në thelb fshihet frika e emigrimit. Pas rrëzimit të gardhit komunist me gjemba, një pjesë aktive e popullsisë së Evropës Lindore u largua nga vendi, deri në 20 për qind në vendet si Bullgaria dhe Letonia.


Zhgënjimi i përgjithshëm mund të lidhet edhe me një keqkuptim në lidhje me sundimin komunist. Ky ishte menduar si sistem i kontrollit absolut, “totalitarizëm”. Por, në thelb metodat diktatoriale ishin një kompensim për kaosin total nën sipërfaqen ideologjike. Diktatura politike duhej të balanconte anarkinë social-ekonomike. Nëse është harruar se sa joefektiv ishte ky sistem, duhet parë seriali i televizionit i HBO-së, “Çernobili”. Aty mund të shohësh se si në mesin e katastrofës më të tmerrshme nukleare në histori, askush nuk e merr përgjegjësinë për të vepruar. Kjo nuk lidhet me tiparet psikologjike të personave të caktuar, por me gabimin strukturor të sistemit. Pasi prona private dhe zgjedhja e kokave drejtuese sipas kritereve legjitime, u shfuqizuan, shoqëria de facto ishte e paqeverisshme. Përfytyroni që një ekonomi moderne të dërgonte të ashtuquajturit “sabotatorë” në burg, sepse nuk i kishin përmbushur objektivat. Sistemi ishte i varur nga puna vullnetare e studentëve në mbledhjen e të korrave dhe duhet të sakrifikonte jetë njerëzish në paqe që të riparohej një hidrocentral.

Tingëllon paradoksale, por në një farë kuptimi shoqëritë komuniste ishin më të lira se ato perëndimore. Punëtori ishte i lirë të vidhte diçka nga fabrika, përgjegjësi ishte i lirë të ngrinte në karrierë nipin e tij. Punëtorët ishin të lirë të hakmerreshin ndaj kolegëve të tyre, duke i spiunuar fshehurazi tek autoritetet. Si mund të mbijetojë në një sistem të tillë? Thjesht duke u përshtatur dhe kaosit të madh t’i vije përballë kaosin tënd të vogël. Një shprehje e preferuar atë kohë ishte: “Unë bëj sikur punoj, ai bën sikur më paguan.”

Le t’i shohim “revolucionet e kadifenjtë” nga sfondi i karakteristikave të sistemit komunist: kaotik, vullnetarizëm, të paqeverisshëm. Ata ishin të motivuar nga pasioni për lirinë, por në fund rezultuan si një rrugë për një kontroll më të mirë të shoqërive përkatëse. Një paradoks që Hegeli e quan “dredhia e arsyes”. Përfytyrojeni, punëtorëve që kishin dalë në grevë në kantierin e Gdanskut do t‘u thuhej se fabrika juaj, pas fitores mbi komunizmin, do të privatizohet dhe 90 për qind prej jush do ta humbasin punën. Vërtet këta punonjës në tërësi kanë një jetë më të mirë se dikur, megjithatë impulsi revolucionar do të ishte errësuar nga zhgënjimi nëse ata do t’i dinin të gjitha pasojat e revolucionit të tyre.

Normalisht, janë qeveritë autoritare (pavarësisht nëse i vlerëson ato apo jo), që ia imponojnë një shoqërie rendin e rregullin, qoftë rasti si në Singapor apo në rastin e juntës ushtarake në Kili. Bullgarët ndoshta e kujtojnë një tekst të një disidenti dhe presidenti i parë demokratik, Zhelju Zhelev, ku ai argumentonte që roli i „diktaturës ushtarake”, që siguron një proces të rregulluar e paqësor transformimi u luajt nga BE në Evropën Lindore! Nuk e di sa seriozisht duhet ta marrim këtë ide, por ajo të paktën na jep ndjesinë se sa i dyzuar është qëndrimi kundrejt Bashkimit Evropian, që vërtet premtoi liri, por në plan afatgjatë futi rregulla. “Ata komunistët në Bruksel”, dëgjon shpesh në Evropën Lindore. Po, çlirimi fillimisht shihet si një proces i shpejtë dhe i pakthyeshëm, ku marrin krahë ëndrrat e pasionet. Por, normalizimi i shoqërive pas kaosit komunist mund të ishte vetëm kështu, i ngadaltë, i mërzitshëm dhe i mundimshëm. /DW/

(Autori është është profesor për Antropologjinë Kulturore në Universitetin e Sofjes në Bullgari; ligjëron po ashtu universitetet e ndryshme në Gjermani, në Francë dhe në SHBA)