LAJMI I FUNDIT:

Zgjedhjet në Podujevë, subjektet politike fillojnë fushatën parazgjedhore më 3 mars

Zgjedhjet në Podujevë, subjektet politike fillojnë fushatën parazgjedhore më 3 mars

Më 15 mars, qytetarët e Komunës së Podujevës do t’iu drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur kryetarin e ri të tyre, ndërsa fushata parazgjedhore do të nisë më 3 mars. Në garë për kryetar të Podujevës janë tre kandidatë, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ka thënë se gjatë ditëve në vazhdim do të dihet edhe numri i saktë i votuesve.


“KQZ-ja do të certifikojë listën përfundimtare të votuesve në fillim të javës që vjen dhe atëherë do të dimë numrin e saktë të qytetarëve që kanë të drejtë të votojnë në ditën e zgjedhjeve. Por, sipas listës jo-përfundimtare të votuesve, numri i tyre për këto zgjedhje është: 86 mijë e 866 votues”, deklaroi ai.

Elezi më tej tha se subjektet politike kanë 11 ditë kohë për të bërë fushatë parazgjedhore.

“Fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët garues për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës të fillojë më 3 mars dhe të përfundojë më 13 mars. Pra, janë gjithsej 11 ditë në dispozicion të subjekteve politike dhe kandidatëve për të zhvilluar fushatën e tyre zgjedhore”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së për Telegrafi.

Kujtojmë se Komuna e Podujevës ka shkuar në zgjedhje pas dorëheqjes së Agim Veliut nga pozita e tij si kryetar, e që më vonë ai u emërua ministër i Punëve të Brendshme./Telegrafi/