LAJMI I FUNDIT:

Xhamitë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup

Edhe pse kanë kaluar plot 20 vjet nga përmbysja e sistemit komunist në Evropën Juglindore, akoma vazhdon avazi i vjetër, mos lejimi i ndërtimit të xhamive qendrore në të tri kryeqendrat shqiptare, si në Tiranë, njashtu edhe në Prishtinë e Shkup. Edhe pse në të tri qytetet është nevojë imediate që prej kohësh, ndërtimi i xhamive qendrore, pasi që nuk ka hapësirë të mjaftueshme për faljen e namazit të xhumasë, e të mos flasim për faljen e dy bajrameve vjetore, me ç’rast vërshojnë besimtarët mysliman nëpër rrugë, trotuare e sheshe rreth e përqark xhamive për të gjetur sado pak vend për të falur namazin. Në tri kryeqendrat shqiptare jetojnë afro 1 milion mysliman shqiptar, në Tiranë rreth 500.000 mysliman, në Prishtinë rreth 300.000 mysliman dhe në Shkup rreth 200.000 mysliman , ashtu që ndodh që besimtarët të falin namazin e xhumasë verës nën rrezet e nxehta të diellit, e në dimër nëpër borë e shi, për shkak të mungesës së hapësirave të mjaftueshme për falje.

Edhe pse jemi duke jetuar në shekullin XXI, dhe thirremi me plotë gojë në plotësimin e drejtave elementare njerëzore, njëherit janë edhe kritere për plotësimin e kushteve për aderim, asocijim apo anëtarësim në Bashkimin Evropian, në praktik veprojmë diç tjetër duke mos plotësuar këto standarde elementare të të drejtave të garantuara njerëzore. Edhe pse me vite të tëra kjo temë është aktuale, dhe flitet për nevojën e ndërtimit të këtyre tri xhamive qendrore në këto tri kryeqendra shqiptare, të cilët sado pak për momentin do të kishin plotësuar nevojat elementare të besimtarëve mysliman për kryerjen apo faljen e namazit të xhumasë në mënyrë dinjitoze si i ka hije një qytetari. Por, pushtetmbajtësit si në nivel qendror, ashtu edhe atij komunal, akoma janë duke zvarritur këtë iniciativë me mos lejimin e trojeve apo parcelave të nevojshme dhe mospajisjen e tyre me leje përkatëse, për ndërtimin e xhamive në qendrat e qytetit të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit.


Subjektet politike shqiptare kryesore si bartësit e pushteteve qendrore dhe vendore, në Tiranë, PD-ja dhe PS-ja, në Prishtinë, PDK-ja dhe LDK-ja dhe në Shkup BDI-ja dhe PDSH-ja, vetëm gjatë fushatave zgjedhore për zgjedhjet vendore apo lokale, premtojnë se do të japin leje dhe troje përkatëse për ndërtimin e xhamive qendrore në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, për të përfituar votat e besimtarëve dhe xhematëve mysliman, sapo përfundojnë zgjedhjet premtimet mbesin boshe dhe të parealizuara gjer tani.

Edhe pse në Tiranë, ekziston akoma prona e Vakëfit, ish Namazgjaja, në të cilin është vendi ideal, dhe nuk ka kontest pronësor, ngurohet me apo pa dashje për t’u dal dhe për të realizuar ndërtimin e xhamisë qendrore në Tiranë si nevojë imediate e besimtarëve mysliman. E që prej kohësh, në Tiranë është ndërtuar katedralja, dhe se tani edhe kisha ortodokse në oborr apo pranë Ministrisë së Mbrojtjes së shtetit shqiptar mu në qendër të Tiranës. Edhe pse apriori nuk është diç e keqe, por një e drejtë themelore e plotësimit të nevojave të tyre fetare, të pakicës krishtere shqiptare, si katolike ashtu edhe ortodokse, pasi që dihet se në Shqipëri rreth 70% të shqiptarëve i përkasin fesë Islame, në Kosovë rreth 98% të shqiptarëve i përkasin fesë Islame, ndërsa afro 100% të shqiptarëve në Maqedoni i përkasin fesë Islame, mos plotësimi i drejtave të tyre elementare fetare si shumicë absolute që janë është atak në harmoninë fetare dhe identitetin e tyre fetar.

Në Prishtinë në qendër të qytetit është ndërtuar kisha ortodokse serbe, për qëllime politike, në kompleksin universitar, pranë Bibliotekës Popullore dhe Universitare të Kosovës, kohë më parë, në qendër të Prishtinës u ndërtua katedralja katolike, për qëllime politike, edhe atë duke rrënuar gjimnazin me renome në Prishtinë, dhe në vend të tij u ndërtua katedralja katolike. Kur them politike, mendoj për atë se nuk ka qenë nevojë imediate e plotësimit të nevojave elementare njerëzore fetare, pasi që në Prishtinë jetojnë një numër tejet i vogël dhe i papërfillshëm të besimtarëve katolik dhe ortodoks, dhe se kishat ekzistuese katolike dhe ortodokse si të tilla kanë qenë të mjaftueshme për momentin. Por sido që të jetë, qofshin ato edhe politike si të tilla, janë ndërtuar dhe do të jenë në shërbim të plotësimit të nevojave të tyre elementare njerëzore fetare, qofshin katolike apo ortodokse.

Kërkesa për ndërtimin e xhamisë qendrore në qendër të Prishtinës, me vite të tëra është duke u zvarrit, me apo pa dashje, akoma nuk është dhënë as trolli e as leja për ndërtimin e saj në qendër të Prishtinës, si nevojë imediate e besimtarëve mysliman, pasi që e premtja është ditë pune dhe se shumica e besimtarëve mysliman që punojnë, apo studiojnë apo mësojnë, me mund të madh ndajnë një orë për të kryer namazin e xhumasë, i cili si i tillë patjetër duhet kryer në kohën e caktuar, në mes ditë, dimrit në ora 12.00, verës në ora 13.oo, dhe atë patjetër në xhami, për dallim prej namazeve tjerë, të cilët në pa mundësi për t’u falur në xhami, mund të falen edhe në shtëpi, punë, zyre, apo çfarëdo vendi tjetër përkatës. I njëjti problem qëndron edhe në Shkup, krahas katedrales ekzistuese, është ndërtuar kisha e re ortodokse qendrore maqedone mu në qendër të Shkupit, ndërsa jo që nuk lejohet që të ndërtohet xhamia qendrore në qendër të Shkupit, por nuk ekziston as vullneti që të rindërtohet bile Burmali xhamia në qendër të Shkupit e cila është rrënuar në vitin 1925 nga pushteti i atëhershëm serb. Faktori politik shqiptar, si bashkëpjesëmarrës i qeverisë, qoftë BDI-ja, qoftë PDSH-ja, gjer tani fare nuk ka qenë e interesuar, që të ushtoj trusni tek partneri i vet bashkëqeverisës maqedon që të plotësoj një kërkesë imediate e besimtarëve mysliman të Shkupit.

Sa për ilustrim, do të ceki, shembullin “per exellenc” në qytetin tim të Prizrenit, gjatë kohës së Perandorisë Osmane. Në qendër të qytetit, në Shadërvan gjendet xhamia e Sinan Pashës, e cila tani është duke u restauruar, afër saj në një distancë prej 50 m gjendet kisha ortodokse serbe, 50 m afër kishës ortodokse serbe gjendet edhe kisha katolike, që të dyja të ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Krahas kishave ekzistuese në Prizren, pushteti i atëhershëm osman, pa kurrfarë problemi ju ka lejuar që të ndërtojnë kishat e tyre në qendër të qytetit të Prizrenit, në Shadërvan, bile bile i ka ndihmuar materialisht dhe financiarisht ndërtimin e tyre sipas arkivave burimore osmane.

Por fajtorët për mos lejimin apo zvarritjen e ndërtimit të xhamive qendrore në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, sipas mendimit tim, nuk janë pushtetmbajtësit aktual qendror dhe lokal, por janë vet besimtarët mysliman shqiptar si dhe institucionet legale që udhëheqin në aspektin shpirtëror besimtarët mysliman, sikurse KMSH-ja në Tiranë (Komuniteti Musliman Shqiptar), BIK-u në Prishtinë (Bashkësia Islame e Kosovës), si dhe BFIM-ja në Shkup (Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë). Prijësit e tyre, Selim ef. Muqa në Tiranë, Naim ef.Tërnava në Prishtinë si dhe Sylejman ef. Rexhebi në Shkup, duhet të kenë të qartë, që amanetin që e kanë marrë mbi supet e veta, për të udhëhequr këto institucione fetare të shenjta, nuk do të thotë privilegj, por pikësëpari përgjegjësi, llogarinë e të cilit do të japin para Krijuesit fuqiplotë në ditën e gjykimit. Pikësëpari përgjegjësia i bie atyre si udhëheqës të institucioneve legale myslimane si mbarëvajtës të tyre, në zgjidhjen e problemeve akute me të cilët ballafaqohen për momentin myslimanët shqiptar, sikurse që është edhe mos lejimi i ndërtimit te xhamive qendrore, mos lejimi i shamisë, mos aplikimi i lëndës së mësimbesimit fetar në shkollat publike e kështu me rradhë. Në vend se të vihen në ballë të këtyre nismave imediate të besimtarëve mysliman, të ndërtimit të xhamive qendrore në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, ata hezitojnë, ngurojnë, apo akoma i besojnë premtimeve boshe të pushteteve qendrore apo lokale, e drejta e tyre individuale dhe njerëzore është të kenë qëndrimet e tyre, ama, kur të jesh në krye të një institucioni të tillë të shenjtë, atëherë duhet të jesh gati të ballafaqohesh dhe të realizosh interesat e besimtarëve mysliman.

Sikur të bëjë thirrje për protestë dhe të vihej në ballë, Naim ef. Tërnava, pas apelit imamëve dhe xhematëve të Kosovës, ditën e premte, pas namazit të xhumasë, me siguri do të tuboheshin 200.000 besimtar mysliman në Prishtinë, njashtu po të bëjë thirrje për protestë dhe të vihej në ballë, Sylejman ef. Rexhebi, pas apelit të imamëve dhe xhematëve, ditën e premte, pas namazit të xhumasë, me siguri do të tuboheshin 100.000 besimtar mysliman në Shkup, njashtu po të bëjë thirrje për protestë dhe të vihej në ballë, pas apelit imamëve dhe xhematëve të Shqipërisë, do të tuboheshin 50.000 besimtar mysliman në Tiranë, kjo punë do të realizohej dhe do të plotësoheshin kushtet elementare për faljen e namazit të xhumasë dhe gjer tani me siguri do të ishin të ndërtuara xhamit qendrore si në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Por kurrë prijësit tanë fetar legal dhe legjitim nuk ndërmarrin aksione të tilla, atëherë nuk mbetet gjë tjetër, por që individët, besimtarët, xhematët, organizatat dhe shoqatat e ndryshme të shoqërisë civile myslimane, të vihen në ballë për sensibilizimin dhe realizimin e drejtave themelore fetare të tyre, qoftë nëpërmjet peticioneve, thirrjeve, protestave apo formave të ndryshme demokratike, sikurse që ishte edhe falja e namazit të xhumasë në rrugë përball xhamisë së Çarshisë, në mes të Kuvendit të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, me 17 qershor 2011.

Por tani e tutje, ka ardhur koha që shqiptarët mysliman që të organizohen edhe politikisht dhe të formojnë subjektin e tyre politik, si në Tiranë, Prishtinë e Shkup, që t’i realizojnë pikësëpari konceptin programor të të drejtave elementare, njerëzore, kulturore, shoqërore, fetare, politike, ekonomike, e assesi të realizimit të qëllimeve individuale apo personale të individëve, kushdo qoftë ai, dhe që të bëhen faktor politik që do të ndikojn në shoqërinë shqiptare duke garuar me subjekte tjera politike në garat elektorale si në nivelin kombëtar (qendror) ashtu edhe atij vendor (lokal), e jo si gjer tani, votat e besimtarëve mysliman i kanë shkuar subjekteve të ndryshme, prej të cilëve nuk ua kanë pa hairin për kurrgjë. E dihet se në demokraci mund të vjen rasti apo momenti që edhe me 5-6 deputetë subjekti politik mund të ketë rolin vendimtar në formimin e koalicionit qeveritar, njashtu që për momentin ndodhi me LSI-në në Tiranë, apo me AKR-në në Prishtinë, dhe atëherë jo që do të realizohen të gjitha kërkesat e parashtruara të besimtarëve mysliman, por do të pyesin se edhe në ç’vend dëshiron ta ndërtosh xhaminë qendrore qoftë në Tiranë, Prishtinë apo Shkup.