LAJMI I FUNDIT:

Wikileaks: Tash radha e bankave

Wikileaks: Tash radha e bankave

Tërmeti Wikileaks s’ka të ndalur. Pas nisjes së publikimit të letër-këmbimeve sekrete mes Departamentit të Shtetit dhe ambasadave amerikane anembanë globit, kreu i faqes së internetit më të përfolur për momentin, citohet të ketë thënë se tashmë është radha e bankave.

Kjo sipas revistës Forbes e cila në një intervistë të rrallë me australianin themelues të Wikileaks, Julian Assange shkruan se tashmë nën shënjestrën e Wikileaks është i ashtuquajturi “biznesi i madh”, bankat.

“Në fillim të vitit tjetër, një ndër bankat më të mëdha të SHBA do të ndodhet e gozhduar përballë të vërtetës. Qindra mijëra dokumente do të publikohen nga Wikileaks, duke anashkaluar kërkesat e manaxherëve dhe të personave të tjerë të interesuar”, citohet Assange sipas Forbes.

Në shkrimin e Forbes nuk përcaktohet saktësisht se çfarë ka kompromentues materiali i vënë në duart e Wikileaks nga banka dhe as emri i institucionit financiar. Assange mjaftohet me përgjigjen se në dritë do të dalin skandalet e më shumë se një banke. /Telegrafi/