LAJMI I FUNDIT:

Vrasjet më të rënda të vitit 2019

Vrasjet më të rënda të vitit 2019

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, prej fillimit të vitit 2019 deri në fillim të dhjetorit janë evidencuar gjithsej 20 vrasje. Profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami, ka thënë se në krahasim me vendet e tjera dhe në raport me numrin e popullsisë Kosova vazhdon të ketë një numër tejet të lartë të vrasjeve

Në muajin mars një vrasje e rëndë pati ndodhur në Plloqicë të Malishevës, ku në oborrin e një familjeje u vranë dy vëllezër, Shani dhe Bahri Maloku.Kjo vrasje pati ngjallur shumë reagime publike, pasi njëri nga të vrarët ishte pjesëtar i FSK-së, ndërsa si të dyshuar ishin arrestuar dy kushërinjtë e tyre, të cilët në nëntor u liruan nga akuzat për “Vrasje”.

Pretendimet e Prokurorisë ishin se dorasit u futën për të vjedhur në shtëpinë e Malokëve, ndërsa pasi u vërejtën ata qëlluan pronarët e shtëpisë gjatë arratisjes, ku mbetën të vrarë dy vëllezërit.


Ndërkohë, kryeqyteti është tronditur të paktën nga dy vrasje të rënda gjatë vitit që po e lëmë pas. Njëra ndodhi në lagjen “Dardania”, ku kryefamiljari Hasan Krasniqi vrau bashkëshorten, gruan e djalit të tij dhe në fund veten, ndërsa nga kjo vrasje makabre kishte shpëtuar vetëm mbesa e tij rreth 4-vjeçare, e cila tani është në kujdesin e babait, që nuk ishte në banesë në kohën kur kishte ndodhur krimi.

Në atë kohë Prokuroria kishte thënë se dorasi 61-vjeçar kishte pasur probleme mendore dhe se shpesh bënte kontrolle në psikiatri. Disa muaj më vonë, në shtator, lagjja “Mati 1” ishte tronditur kur dy familje përdorën armët për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Familjet Rafuna dhe Mehmeti ishin bashkëpronare të një ndërtese në Prishtinë dhe për të cilën kanë patur konflikte, çka solli edhe vrasjen e tre personave dhe një të plagosur.

Nga ky rast mbetën të vrarë Bashkim Mehmeti, Gani dhe Mefail Rafuna. Vrasja më e fundit që tronditi opinionin publik, duke çuar në 20 numrin e vrasjeve këtë vit, ka ndodhur në fillim të muajit dhjetor në fshatin Surqinë të komunës së Ferizajt, ku mbeti i vrarë i riu Shkodran Bytyçi. Vrasjen në mënyrë mizore të Shkodranit e kishte bërë shoku i tij Trimor Lalinovci e shkak për këtë ishte një borxh, që dorasi ia kishte viktimës për shitjen e një prone në vlerë prej 40 mijë eurosh.

Sipas hetimeve të para, dyshohet se vrasja kishte ndodhur në fshatin Surqinë të komunës së Ferizajt, në afërsi të një shkolle, ku pas një grindjeje Trimori e kishte qëlluar me armë tashmë të ndjerin Shkodranin, ndërsa për ta fshehur krimin kishte bashkëpunuar me vëllain e tij Bashmirin dhe në bashkëpunim e kishin dërguar trupin e viktimës në fshatin Kishnapolë të Gadimës së Lipjanit dhe më pas e kishin djegur atë me benzinë. Gjykata tashmë ua ka shqiptuar një muaj paraburgim vëllezërve Lalinovci, ndërsa, siç mëson gazeta “Zëri”, Trimor Lalinovci e ka pranuar para gjykatës se krimin e kryer pas një mosmarrëveshjeje.

Disa ditë pas krimit dhe arrestimit të dy vëllezërve farefisi Lalinovci përmes një letre publike është distancuar nga dy të dyshuarit. “Ndiejmë për obligim moral e njerëzor që ne si farefis Lalinovci të distancohemi nga vepra e kryer e familjarit tonë Trimor Lalinovcit dhe si rrjedhim i gjithë kësaj që ka ndodhur ne jemi të distancuar nga dy pjesëtarët e farefisit tonë, Trimor dhe Bashmir Lalinovci”, thuhet në letrën e dërguar medieve.