LAJMI I FUNDIT:

Vonohen letrat me vlerë

Vonohen letrat me vlerë

Ministria e Ekonomisë dhe Financave është vonuar në krijimin e tregut të kapitalit në Kosovë. Emetimi i letrave me vlerë do të bëhet vitin e ardhshëm, e jo siç ishte premtuar për sivjet. Njohësit e ekonomisë thonë se mosfunksionimi i këtij tregu po i dëmton seriozisht bizneset.

Fillimi i operimit të letrave me vlerë në tregun e Kosovës nuk do të bëhet as këtë vit, edhe pse Ministria e Ekonomisë dhe Financave kishte premtuar një gjë të tillë. Kjo ministri është vonuar në përgatitjen e procedurave të cilat janë të nevojshme për të filluar emetimin e bonove të Thesarit.

Pajisja e bizneseve dhe qytetarëve me letra me vlerë do të ju mundësonte atyre mundësi më të mëdha për financim. Letrat me vlerë do të jenë gati në muajin prill ose maj të vitit të ardhshëm. Kosova është i vetmi vend në rajon që i mungon tregu i kapitalit.

Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave thonë se legjislacioni primar dhe sekondar është në fazën finale, ndërkaq për fillim emetimi i këtyre letrave do të jetë fazë testuese.


Përderisa në MEF nuk dhanë një datë të saktë se kur do të fillojë emetimi i letrave me vlerë, një burim thotë se këto letra do të fillojnë të emetohen në muajin prill ose maj të 2011. /Telegrafi/