LAJMI I FUNDIT:

Vitin tjetër përfundon rruga që lidh Prizrenin me autostradën

Vitin tjetër përfundon rruga që lidh Prizrenin me autostradën

Kanë filluar punimet në rrugën lidhëse të Prizrenit me autostradën, në segmentin e fundit, përkatësisht në Hoqë të Qytetit, rrugë kjo e cila do të jetë e gjatë rreth një mijë e 200 metra.

Sipas ministrit të Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ky projekt dhe projektet e tjera do të përfundojnë me sukses të plotë, madje siç pohoi ai, deri në sezonin veror kjo rrugë do të mund të shfrytëzohet nga qytetarët.

“Do të jetë një rrugë e standardeve të larta me gjithë infrastrukturën përcjellëse dhe presim që deri në fillimin e sezonit veror turistik gjithë qytetarët mund ta shfrytëzojnë këtë rrugë për qarkullim . Po ashtu investimet në Komunën e Prizrenit dhe në regjionin e Prizrenit, Ministria e Infrastrukturës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës po i vazhdon fuqishëm dhe tashmë ne kemi filluar edhe projektin tjetër Piranë-Mamushë një projekt me vlerë rreth një milion euro, pra vetëm brenda dy dite kemi filluar projekte më tepër se dy milionë euro vlerë dhe kemi bërë gjitha përgatitjet për hartimin e projektit bashkëpunues në zgjerimin e rrugës Zhur-Dragash”, ka thënë ai.


Mujota tha se kanë krijuar një identitet të plotë mes Ministrisë së Infrastrukturës me Komunën e Prizrenit dhe qytetarët e kësaj komune .

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja , tha se për gjithë qytetarët e Prizrenit kjo është një ditë e madhe, sepse lidh Prizrenin me autostradën në drejtim Lindje-Perëndim.

“Qyteti i Prizrenit në pikën strategjike që e gjen po e rrit vlerën e vet edhe me këtë pjesë të këtij segmenti dhe po lidhet me autostradën dhe jo vetëm qytetarët e Komunës së Prizrenit por edhe të gjithë qytetarët e Kosovës dhe më gjerë për të kaluar në bregdetin shqiptar do ta kenë komod kalimin nëpër këtë pjesë të rrugës me katër shirita që e lidh me autostradën”, ka thënë Muja.

Ndryshe, ky projekt i këtij segmenti do të kushtojë rreth një milion e 150 mijë euro./Telegrafi/