LAJMI I FUNDIT:

Veshjet tradicionale, të modifikuara ndër vite por me motive të njëjta

Veshjet tradicionale, të modifikuara ndër vite por me motive të njëjta

Disa veshje nuk ndryshojnë asnjëherë. I mbajmë mend gjyshet tona nga fotografitë që i kemi parë, të veshura me jelekun e arit, që gjithmonë e kanë karakterizuar veshjen e nuseve.

Edhe pse këto veshje kanë ndryshuar gjatë kohës, duke u modifikuar ndër vite, me modele të ndryshme, me dizajnë të reja, ngjyra e shumëçka tjetër, por motivet mbeten ende të njëjta.


I punon të gjitha me dorë, duke i kushtuar shumë vëmendje detajeve.

Është kjo Zyhrije Kryeziu – Vinarci, e cila këtë punë e bënë që 20 vite. Ajo ka thënë që kjo punë është e vështirë, pasi kërkon përkushtim dhe durim. Për një jelek të tillë i duhet një javë punë intensive.

“Kom fillu para 20 viteve, domethënë prej mas lufte. Është punë e vështirë, pasi të gjitha janë punim dore, por kur e bon një punë me qef është e lehtë. Puna ka ndryshu shumë, pasi modelet janë modifiku, në bazë të kërkesave”.

Procesi është i gjatë. Që nga skicimi i modelit, prerja e materialit bazë dhe në fund – qepja me dorë.

Përveç jelekut të arit, Zyhrija punon edhe pjesët e tjera të veshjeve tradicionale.

Gjatë vizitës sonë, ajo na tregoi edhe se si veshet një veshje e tillë.

“Punoj jeleka të arit, dallama, kollanë, fustane, gjithmonë çka janë për veshjen e nuseve i punoj. Mas pari prehet astari, sateni ose plishi, bohet vizatim i edhe në fund bohet punimi”.

Materialet me të cilat punohen, janë të vështira për t’u gjetur, po pasi i punon me shumë dashuri, i gjen gjithmonë, duke i kërkuar anembanë Kosovës.

E veçanta e këtyre veshjeve është që ndryshojnë nga vendi në vend. Në secilën krahinë i kanë karakteristikat e veta, që e bëjnë të dallojnë – diku më pak e diku më shumë.

“Nuk është bash e lehtë, shembull se këto materialet nuk i gjen të gjitha në një vend. Disa i gjej në Gjakovë, disa në Prishtinë, disa në Prizren, domethënë gjithkah.”

Veshjet popullore janë pa dyshim një nga manifestimet më të fuqishme të trashëgimisë tonë kulturore. Ato janë dëshmitare të mënyrës tonë të jetesës ndër shekuj dhe për këtë arsye s’bën të harrohen. /Telegrafi/