LAJMI I FUNDIT:

“Vernisaz” (Ekspozita), nesër premierë në Teatrin “Dodona”

“Vernisaz” (Ekspozita), nesër premierë në Teatrin “Dodona”

Drama “Vernisáž” (Ekspozita), e dramaturgut të njohur çek Václav Havel, do të inskenohet për herë të parë në Kosovë. Premiera jepet të martën, më 20 maj 2014, në ora 19:30, në Teatrin e Qytetit të Prishtinës - “Dodona”.

Havel ishte presidenti i fundit i Çekosllovakisë, presidenti i parë i Republikës Çeke, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare – ndër të cilat edhe “Medalja e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm – Dr. Ibrahim Rugova” – dhe autor i shumë veprave, të përkthyera në gjuhë të ndryshme botërore. Në vitin 2005 është shpallur si një ndër katër intelektualët më të mëdhenj në botë.


“Vernisáž” (Ekspozita) është njëra nga tri dramat njëaktëshe të Havelit, që bashkë me “Audiencën” dhe “Protestën” shpërfaqin personazhi Ferdinand Vaněk, që në fakt është alter-egoja e Havelit.

“Ekspozita” e dërgon shkrimtarin e persekutuar, Vanek, në një vizitë tek miqtë – një çift i martuar – me shkasin që t’ia tregojnë banesën e tyre të re. Ata mundohen të bindin Vaněkun që të ndjek shembullin e tyre, jo vetëm në shijen për enterier, por edhe në perceptimin e tyre për jetë.

Çifti gëzon të mirat materiale, por në fakt nuk zotëron asgjë, sepse kanë zbrazëti të thellë shpirtërore. Insistimi i tyre për të qenë imponues, dhe në qendër të vëmendjes, në fakt pasqyron shoqërinë me maska ku vetëm pushteti ka vlerë. I tillë është edhe çifti Vera-Michael që gëzon të mirat materiale, por bota e tyre është virtuale, kalimtare, siç ishte çdo sistem totalitar në të kaluarën dhe tash.

Kjo dramë, e cila është ndaluar gjatë regjimit komunist në Çekosllovaki, nuk e ka humbur ende aktualitetit, sepse me iluzionet e tilla jetojnë shumë shoqëri në botë, sidomos ato të bllokut ish-komunist.

“Vernisáž” (Ekspozita) është përkthyer nga Melihate dhe Nehat Qena. Regjisor është profesori Astrit Kabashi, ndërsa luajnë: May-Linda Kosumovic, Dukagjin Podrimaj dhe Dardan Gashi. Asistent regjie është Besfort Daka; skenografe dhe kostumografe – Yllka Brada; mjeshtër ndriçimi – Skender Latifi.

Shfaqja është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, Radio Televizioni 21, Fakulteti i Arteve në Prishtinë dhe natyrisht, Teatri i Qytetit të Prishtinës – “Dodona”, ku shfaqja do të jetë pjesë e repertorit.

Premiera është vetëm me ftesa. Reprizat e para do të jenë të mërkurën dhe të enjten, më 21 dhe 22 maj, në ora 19:30. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
PLAK BUDALLA

PLAK BUDALLA

Fjala+
POETI

POETI

Poezi
Çorapet e arnuara të shokut Enver

Çorapet e arnuara të shokut Enver

Kulture
BIR

BIR

Poezi
NËNA IME

NËNA IME

Fjala+
“Ditët e Mios”

“Ditët e Mios”

Kulture
Kalo në kategori