LAJMI I FUNDIT:

Veriu mollë e “ndaluar” për ART-në!

Veriu mollë e “ndaluar” për ART-në!

Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit në Kosovë (ATK), shpreh vendosmërinë për t’i shkyçur operatorët ilegalë të shërbimeve telekomunikuese edhe në veri të Kosovës. Ndryshe mos shtrirja e aksionit në tërë territorin nga ekspert të ekonomisë nuk konsiderohet suksese.

Megjithatë, zyrtarë të ART-së thonë se procesi i eliminimit të operatorëve ilegalë, faza e dytë e të cilit përfundoi ditë më parë, nuk pritet të bëhet në veri në një të ardhme të afërt, për shkaqe sigurie dhe në mungesë të vlerësimeve të hollësishme teknike mbi ekzistimin e stacioneve të vendosura në këtë pjesë të Kosovës.

Kryetari i bordit të ART-së, Ekrem Hoxha, tha se rrethanat aktuale në veri kërkojnë që çdo veprim eventual i ART-së në atë pjesë të Kosovës, të realizohet vetëm në bashkëpunim me autoritetet vendore e ndërkombëtare të sigurisë.

“Për pjesën veriore do t’i duhet kohë e mëtutjeshme të bëjë vlerësime teknike mbi stacionet e vendosura në atë pjesë dhe në bashkërenditje me faktorin ndërkombëtar dhe institucionet e sigurisë, do t’i ndërmarrë veprimet në kohën e duhur”, tha Hoxha për Evropën e Lirë.


Ndërkaq, Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi tha se aksioni i ART-së për heqjen e antenave ilegale serbe duhet të shtrihet edhe në pjesën veriore.

“Aksioni duhet të ketë tretman të njëjtë për të gjithë, nuk konsiderohet sukses nëse aksioni për heqjen e antenave të operatorëve ilegal nuk përfundon i teri”, tha Rukiqi për Telegraf.

Në aksionin më të fundit të ART-së ishin asgjësuar 23 stacione bazë të operatorëve ilegal serb. Llogaritet se humbjet për buxhetin e Kosovës nga funksionimi i këtyre operatorëve të shkojë deri në 20 milionë euro. /Telegrafi/