LAJMI I FUNDIT:

Vdis, pastaj të të dua

Vdis, pastaj të të dua
Ilustrim

Nga: Çapajev Gjokutaj

Ky proverb të feks në një cep të mendjes në ditë funeralesh publike për njerëz të shquar, veçanërisht artistë dhe sidomos aktorë. Sa janë gjallë i kujtojmë e s’i kujtojmë, po kur vdesin, rrjetet sociale dhe mediat tradicionale dallgëzojnë nga dhimbja, dashuria dhe vlerësimet. Doemos që kështu do të ndodhë, mund të thuash pa e vrarë mendjen shumë, njerëzia a më saktë publiku e ndjenë si detyrim qytetar të nderojnë kontributet e të ikurit. Pa mohuar se ky supozim përmban një goxha pjesë të së vërtetës, do shtuar se motivet e kësaj dukurie janë të shumta dhe nuk lidhen vetëm me të ndjerin dhe kontributet e tij, por edhe me nevoja psikologjike dhe pse jo, edhe interesa të pjesëmarrësve në homazhe, funeral, diskutime rrjetesh etj..


Është i njohur fakti se vdekja, jo e njerëzve të afërm, por e të njohurve, madje edhe e të panjohurve, ngjall emocion vetvetiu. Mbase ngaqë, qoftë edhe pa e artikuluar në fjalë, të kujton se edhe ti je i vdekshëm dhe herët a vonë do të përballesh me fundin. Kjo ndodh pothuajse me të gjitha llojet e vdekjeve, por bëhet më vepruese në ikje personalitetesh, ikje që diku thellë, në kufijtë ekstreme të koshiencës të pëshpëritin: Kur nuk kursen të shquarit, pse do i dridhet dora për mua? Që të rrimë shtrembër e të flasim drejtë, trazimi publik nuk ngjan të jetë i njëjtë për të gjitha llojet e personaliteteve. Kur vdes një ekspert i shquar, një gjuhëtar a historian p.sh., apo një ekspert digash që e ka kaluar jetën nëpër kantieret e dikurshme dhe ka lenë pas hidrocentrale që sot e kësaj dite na bëjnë dritë, flitet e shkruhet, por jo aq shumë sa për njerëzit e artit. Jo vetëm kaq, përkushtimi publik e mediatik është më shumë zyrtar e racional, kurse qasjet emocionale janë të pakta ose mungojnë fare. Ka të ngjarë që ndodh kështu ngaqë kontributet e ekspertëve njihen më pak nga publiku dhe sidomos ngaqë nuk i takojnë rrafshit emocional si kontributet e artistëve. Mbase mund të jetë edhe çështje zakoni: televizionet dhe rrjetet popullohen shumë më tepër nga njerëz, që vijnë prej sferës së argëtimit sesa nga ata që vijnë nga puna e kërkimi. Por, edhe vdekja e artistëve nuk e trazon njësoj publikun, vendin e kreut ngjan se e zënë aktorët. Kjo më kujton një batutë të Robert Ndrenikës, dëgjuar në TV vite më parë.

“Rastisi që bashkë me mikun tim, Kiço Blushi, të ndodheshim mes fansave; gjithë vëmendja u përqendrua tek unë – tregonte Ndrenika – ndaj, për të zbutur sado-kudo sëkëlldinë, u thashë me shaka ‘varjani një çikë edhe këtij, se dhe ky është i shquar’”. Dhe, vërtet, Kiço Blushi ishte dhe mbetet prozator, dramaturg e publicist race, por vëmendja publike për shkrimtarin është ku e ku më poshtë krahasuar me aktorin. Psikologët thonë se kjo buron nga një mori faktorësh që nisin me publicitetin e rritur të aktorëve, me larminë e personazheve që ata kanë krijuar në dekada, me shtysa psikologjike të spektatorëve etj. Me logjikë mekanike mund të thuash se në këtë mes ka një paradoks të mprehtë: regjisorët e skenaristët si rregull ngjan të jenë më të ditur e më të zotë se aktorët në parashtrim mendimesh e thellësi analize, megjithatë aktorët janë shumë më popullorë.

Me gjasë kjo buron nga fakti se aktorët janë më të dukshëm, më shqisorë, rrjedhimisht edhe burim më ujëplotë emocionesh. Veç kësaj, kur marrin pjesë në aktivitete si biseda, intervista, takime me fansit etj., dinë të aktrojnë dhe të bëhen tërheqës për shikuesit. Domethënës për këtë mbetet ceremonia tradicionale e majit të sivjetshëm në Harvard, ku për pesë personaliteteve të shquara u dhanë titullin “Doktor nderi”. Mes tyre ishin: shkencëtari që drejtoi punën për shpikjen e vaksinës mRNA kundër koronavirusit, fituesi i çmimit Nobel për kiminë 2020, një historian fitues çmimit Pulitzer, një admiral në pension dhe Tom Hanks. Mediat vinin re se vëmendja e studentëve të pranishëm u përqendrua te Tom Hanksi dhe përpjekjet e këtij për të nxjerrë në pah edhe të tjerët shkuan pothuajse dëm. Një njeri që e kalon jetën në laborator a në nëndetëse, sado i shquar qoftë, nuk ka aftësitë e aktorit për të ndikuar audiencën.

Mbase veç aftësive aktoriale e komunikuese të Tom Hanksot, ndikonte edhe një faktor tjetër: studentët nderonin shumë persona në një, edhe Forrest Gumpin, edhe Andrew Beckettin te Filadelfia, edhe Viktor Navorski te Terminali etj. Popullariteti i shtuar i aktorëve, krahasuar me artistë të tjerë, buron me sa duket edhe nga shtysa psikologjike të publikut. Kur vdes një aktor i shquar, publiku nuk vlerëson vetëm një person, por një mori njerëzish, gjithë gamën e larmishme të personazheve që i ndjeri ka sjellë në ekran dhe me të cilët ti si spektator ke krijuar marrëdhënie të shumta emocionale si simpati, empati, admirim, urrejtje etj. Veç kësaj, vdekja e një aktori ngjall tek spektatori edhe një lloj nostalgjie, ngaqë vetvetiu spektatori përjeton mall e dhimbje për kohët e ikura kur ka parë këtë apo atë personazh, në këtë apo atë film a spektakël, kohë kur ka qenë fëmijë, adoleshent, burrë a grua në kulmin e vitalitetit etj. Parë kështu, e vërteta universale e Heminguejt “mos pyet për kë bie kambana, ajo bie edhe për ty” duket më vepruese për kambanat që bien në vdekjen e aktorëve. Të gjithë këta faktorë mund të të shtyjnë në një zili prej Adhamudhi për aktorët dhe për trazimin popullor që ngjall ikja e tyre. Por duhet harruar se në shumicën e rasteve ndodhemi para një dukurie jetësore, të gjeneruar nga shkaqe reale, ndaj qëndrimi më konstruktiv do të ishte: hallall u qoftë vëmendja dhe respekti popullor.

Për t’u bërë akoma më konstruktivë, duhet shtuar se do të ishte më njerëzore që këtë vëmendje shoqëria dhe sidomos shteti ta tregonin shumë më tepër në gjallje si të aktorëve, ashtu edhe të gjithë njerëzve të shquar për t’i shpërblyer për kontributet e tyre jo vetëm me dekorata e certifikata gjithfarësoj. Figurat më groteske në ditë funeralesh njerëzish të shquar janë politikanët, qeveritarë të sotëm a të djeshëm. Jo vetëm që marrin pjesë, por edhe prononcohen për vlerat e të ndjerit duke bërë që të mbeten në hije vlerësimet e kolegëve që jo vetëm e kanë njohur më mirë të ndjerin, por edhe dinë t’i çmojnë vlerat artistike shumë më mirë se politikanët që në shumicën e rasteve shfaqen si specialistë për gjithçka duke u bërë ikonë e mediokrit. Me sado vagull e ndjejnë se s’para kanë legjitimitet e përpiqen ta huajnë kudo që u jepet rasti, madje edhe në funerale.