LAJMI I FUNDIT:

Uniseksi politik dhe informativ!

Në Kosovën e sodit, me një pavarësi të hendikepuar që kontestohet prej shumë shteteve dhe të cilës i është imponuar një sovranitet i tipit të kuçedrës (me shumë koka), politikanët dhe gazetarët llogariten si shtyllat kryesore të shtetit; të parët krijojnë dhe bëjnë politika ndërsa të dytët krijojnë opinione në përkrahje apo kundërshtim të këtyre politikave.

Për një vend normal ky raport do të ishte krejtësisht i pranueshëm po Kosova ku është në këtë mes? Askund apo aty ku vërtet e ka vendin! Pse, me të drejtë do të pyesni?


Në shtetet të cilat vërtetë janë shtete apo që kanë identitet, të bëhesh politikan nuk është aspak e lehtë. Investimi për politikanët e ardhshëm është shumëvjeçar dhe përfshinë një periudhë kohore prej shkollimit të tyre, emancipimit, profilizimit deri te arritja e pjekurisë politike. Atëherë këta politikanë të trajnuar mirë bëhen pjesë e garës politike dhe suksesin e kanë të garantuar.

Aspak nuk është vështirë të thuhet se kush përfiton më së shumti në këtë rast, është ai që investon , shteti pra! Investimi i qëlluar shpaguhet shumëfish! Vetëm këto shtete pastaj janë në gjendje të krijojnë infrastrukturë normale demokratike ku gazetarët do ta përbënin trurin e kësaj infrastrukture meqë, duke krijuar opinion, në fakt do t’i përcaktonin kahet, përmbajtjen, qëndrueshmërinë dhe kualitetin e demokracisë!

Për fat të keq në Kosovë e kemi një situatë tjetër. Këtu politikanët bëhen politikanë brenda natës, njerëzit e natës bëhen politikanë të ditës sipas parimit të pastrimit të parave të pista të cilat përmes këtij procesi pastrohen dhe bëhen para legale. Edhe këta politikanë, (lakuriqë të natës) legalizohen në politikanë të ditës! Dhe ia kajnë nanën shtetit!

Sot në Kosovë kemi politikanë të “ profilizuar” bukur mirë! Kemi politikanë që dikur i kanë shërbyer një shteti që me dhunë e kanë kundërshtuar formimin e këtij shteti që e kemi dhe që as sot nuk e pranojnë shtetin tonë. Këta politikanë tashmë janë konvertuar; e shajnë babanë (shtetin) e dikurshëm dhe i “ shërbejnë” shtetit të ri, me pagë të majmë, gjithsesi.

Politikanët e tipit “ kallashnikov” janë ata politikanë që kanë fituar tituj akademikë dhe shkencorë duke ua shtypur topet, nën tavolinë, me tytën e kallashit profesorëve të Universitetit të Prishtinës gjatë testimit për provim apo “mbrojtjes” së “ punimeve” shkencore! Për t’u bërë pastaj pjesë e nomenklaturës politike dhe intelektuale!

Faqja tjetër e fytyrës së këtij binomi janë gazetarët! Në Kosovë kemi gazetarë të kursit të Kumrovcit, gazetarë të Ramiz Kelmendit (që e kanë ruajtur fytyrën e gazetarisë), gazetarë të të gjitha qeverive (që nuk kanë pasur problem me ruajtjen e fytyrës dhe nderit sepse nuk kanë qenë të pajisur me këto virtyte), gazetarë të Tinës, gazetarë llaskucë, gazetarë të quajtur “ miza të kalit” (për gazetarët e këtij soji duhet të ketë temperature optimale dhe kushte gjithashtu optimale të punës), gazetarë hulumtues dhe gazetarë të pavarur!
Gazetarët hulumtues (të vërtetë) dhe gazetarët e pavarur janë një lloj shumë i rrallë në Kosovë andaj e kanë vështirë të mbijetojnë, jo vetëm materialisht por edhe fizikisht! Me përgjegjësi morale, materiale dhe penale e them se po t’u parashtrohej si mundësi shumë gazetarëve në Republikën e Kosovës nëse duan ta kalojnë një natë të paharrueshme me Angelina Jolie-në apo një darkë me Hashim Thaçin, ata do ta kalonin një darkë me Hashim Thaçin.

Jo pse Hashim Thaçi është teraku nr.1 i politikës në Kosovë por se nuk duan t’i tradhtojnë gratë, të fejuarat apo të dashurat e tyre me Angelina Joli-në! Kësaj i thonë besnikëri!

Fati që nuk jam gazetar se për Angelina Joli-në do ta sakrifikoja darkën me Hashim Thaçin dhe tërë kabinetin e tij, Kuvendin e Kosovës me krejt deputetët. Për presidencën as që dua të flasë!

Kjo, duket të jetë arsyeja pse nuk mund të bëhem gazetar! Mos të harroj, ndoshta është koincidencë e rastit por tash po pajtohem me Bacën Adem kur thotë se Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu janë njerëzit më kompetentë për ta udhëhequr Kosovën në këtë periudhë! Po e kuptoni se po e lë një mundësi të darkojë me Fatmir Sejdiun dhe Hashim Thaçin por vetëm pasi të kem mbaruar punën me Angelina Jolie-në!

A është Drenica në Kosovë? E dua Drenicën, sinqerisht e dua! Sa kam qenë në burg më së shumti jam shoqëruar me drenicakë. Të gjithë ata i kam identifikuar me Azem Bejtën, Hasan Prishtinën, Shotë Galicën, Mehmet Gradicën, Shaban Polluzhën dhe Tahir Mehën! Kam qenë shok i Fehmi Lladrovcit, Hafir Shalës dhe kam pasur respekt të jashtëzakonshëm për Xhevë Lladrovcin. Kompleksin prej frikacakut e shëroj duke e vizituar Panteonin e Trimërisë ku dekan është Adem Jashari.

Drenica është vendlindja e Lirisë së Kosovës, Prekazi është kryeqytet i Kosovës së Pavarur ndërkaq Adem Jashari është hartues i Kushtetutës së Përjetshme të Kosovës. Kjo Kushtetutë është e shkruar me gjak, asnjëherë nuk zbehet për dallim të Kushtetutës së Ahtisarit që mund ta ketë jetëgjatësinë e një stilolapsi.

Për këtë arsye e dua Drenicën andaj e them se Drenica, jo që është në Kosovë por është zemra e Kosovës! Nuk bëhet pasuli vetëm në Drenicë. Në Pejë është më i mirë! Nuk hahet vetëm në Drenicë pasuli kokrra-kokrra. Ashtu hahet në Dukagjin, në Llap, në Prizren. Gjakovë, Gjilan etj. Nuk ju çkyhet goja vetëm në Drenicë. Kjo mund t’ju ndodhë edhe në Prishtinë! Alltia ka ku të duash, jo vetëm në Drenicë! Vetëm i çmenduri e kall jorganin për një plesht!

Për shkak të jetës, duhet të mbrohen Jetat:
Që në fillim dua të them se nuk pajtohem me shumë gjëra që i bën Jeta Xharra. E kam kundërshtuar dhe më ka kundërshtuar! Jeta Abazin nuk e njoh mirëpo e njoh ambientin familjar ku është rritur dhe po rritet. Ta quash Jeta Abazin “ detektive” e Serbisë është, ose mungesë totale e informatave ose çmendi e rastit! Aq më parë kur familjarët e Jeta Abazit, pikërisht nga detektivët e Serbisë janë arrestuar dhe si të burgosur politikë kanë qëndruar vite të tëra në burgjet e Serbisë!

Sami Lushtakun e njoh si trim të madh gjatë kohës së luftës. Më ka rastis ta dëgjoj një bisedë telefonike midis Bacës Adem dhe Samiut gjatë kohës së së luftës e cila më ka lënë shumë përshtypje. Për kohën e pasluftës nuk po flas.

Në shkrimet e mia të mëparshme jam marrë me Samiun, asnjëherë nuk është hidhëruar. Ka qenë dhe është korrekt me mua edhe kur i kam thënë se ka gabuar me Jeta Xharrën. E ka qëndrimin e tij dhe e mbron me kokëfortësi. E mbështet këtë qëndrim me legjitimitetin e 90% të votave. Në aspektin taktik ka të drejtë, në aspektin strategjik është i humbur!

Një politikan që hynë në luftë me gazetarë, luftën e ka të humbur! Fronti i luftës dallon esencialisht prej frontit ku luftohet me media! Nuk e gjykoj pse nuk është takuar me Jeta Xharrën, nuk e ka pasur as që e ka obligim ta bëjë këtë! E gjykoj dhe nuk pranoj kurrsesi që etiketimin politik, njerëzor, kombëtar dhe moral ta përdor si pretekst për linçim publik!

Asnjëherë nuk e kam pranuar këtë e as që do ta pranoj, pavarësisht për kënd është fjala! Nuk bindem se Jeta Xharra është spiune! Aq më pak që Jeta Xharra është Ali Pashë Tepelena e Kosovës e cila, kokën e paska në Serbi e trupin në Kosovë! Jam kundër asaj që me dhunë të merren kasetat e kamerave. Jam kundër asaj që ekipi i “ Jetës në Kosovë” të largohet e shoqëruar nga policia sepse ata kanë shkuar në Skenderaj pa polici, ashtu kanë mundur dhe është dashur të kthehen! Pa polici!

Kundër përcjelljes së policisë ka bërë luftë burrërore Sami Lushtaku! Kundër kësaj kam bërë pakëz burg edhe unë! Andaj, po dal në mbrojtje të Jetave sepse po dua ta mbroj luftën e Samiut, veten time, fëmijët e mi dhe Drenicën, ku vërtet nuk bëhet pasuli por asnjëherë nuk është vyshkur Lulja e Lirisë!

Nëse lypet një çmim të cilin duhet ta paguajnë Jeta Abazi dhe Jeta Xharra, unë do ta bëjë këtë! Më takon edhe si aktivist shumëvjeçar i të drejtave të njeriut, si ish i burgosur politik, si përkrahës i parezervë i luftës së UÇK-së, si humanist dhe si njeri që gjithmonë e ka dashur dhe e donë Drenicën! Edhe kur më shajnë!

(Autori i këtij shkrimi është drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së. Qëndrimet janë personale)