LAJMI I FUNDIT:

UNDP promovon këndet efiçiente në Prishtinë

UNDP promovon këndet efiçiente në Prishtinë

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), ka promovuar të mërkurën këndet efiçientë të energjisë në Komunën e Prishtinës, me qëllim të sensibilizimit të qytetarëve për ta kursyer energjinë elektrike, si dhe për ta ruajtur ambientin.

Zëvendëspërfaqësuesja rezidente e UNDP-së në Kosovë, Alessandra Roccasalvo, ka thënë se projekti që po mbështetet në komunat: Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Kaçanik, Gjakovë, Dragash, Shtërpcë dhe Mitrovicë, është një projekt i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Austrisë.

“Në qoftë se reduktojmë shpenzimet e energjisë atëherë do të reduktojmë edhe ndikimet negative në mjedis, kjo gjë i ndihmon të gjithë qytetarët dhe mendoj që është në tërë botën dhe ekonomitë që energjinë që po e harxhojmë duke u thënë disa herë fëmijëve që ti ndalin dritat kur nuk janë në dhomë etj. Në Gjermani kjo është bërë për një kohë të gjatë duke filluar me panelet solare etj”, tha ajo.


Edhe kryeshefi i Agjencionit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë në MZHE, Bedri Dragusha, ka thënë se përdorimi efecient i energjisë elektrike kontribuon në ruajtjen e energjisë por edhe mjedisit.
“Qëllimi i hapjeve të indo-këndeve sot këtu, këndeve të informimit nëpër komuna është që ti afrohemi qytetarit më afër, ta dijë qytetari jonë që ka mundësi kursimi në mënyrën dhe ta kursej xhepin e vet dhe ta rrit komfortin e brendshëm. Kursimi i energjisë nuk do të thotë që ne gjithsesi t’i shukim dritat dhe të rrimë në terr. Kursimi i energjisë ka të bëjë më tepër me kursim të energjisë dhe rritje të komfortit e posaçërisht në ndërtesa publike që menaxhohen nga niveli komunal dhe niveli qendror”, ka deklaruar ai.

Kurse, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka thënë se efiçienca e energjisë është një temë preokupuese për Prishtinën. “Sa i përket vet temës së efiçiencës së energjisë kjo është një temë e cila neve si qeverisje na preokupon shumë dhe jo vetëm në aspektin e efiçiencës dhe të energjisë por edhe në aspektin i cili ndërlidhet me përdorimin e energjisë për qytetin e sidomos për mobilitet dhe për godinat publike dhe modelin të cilin ne mendojmë si Komunë ta shtyjmë përpara”, ka deklaruar ai.

Ky projekt është promovuar në: Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Kaçanik, Gjakovë, Dragash, Shtërpcë dhe Mitrovicë. /Telegrafi/