LAJMI I FUNDIT:

Ulja e pagesave për 50%, rrezikon ushqimin e studentëve

Ulja e pagesave për 50%, rrezikon ushqimin e studentëve

Qendra e Studentëve në Prishtinë do t’i ketë 500 mijë euro më pak nga buxheti vjetor për shkak të vendimit të kryeministrit Hashim Thaçi për zbritjen e pagesave për studentë prej 50 për qind. Drejtori i Qendrës së Studentëve (QS) në Prishtinë, Fatmir Sfishta, ka thënë se kjo qendër nuk ka mundësi të funksionoj pa këto mjete.

Sfishta ka folur edhe për konkursin për pranin të banorëve në konviktet e QS-së, i cili ka thënë se pritet të hapet më 4 shtator, si dhe për kushtet të cilët i ofron kjo qendër nga fillimi i vitit të ri akademik. “Neve edhe ashtu kur ka qenë çmimi 40 euro për fjetje dhe 30 euro për ushqim, studentët nuk e kanë paguar as 50 për qind të asaj që e kanë shfrytëzuar nga ana e studentëve. Me përgjysmimin e çmimit sigurisht që edhe të hyrat neve na përgjysmohen, mirëpo ne me rastin e marrjes së këtij vendimi na është premtuar dhe kemi qenë në konsulta të ngushta edhe me Ministrinë e Arsimit edhe me Ministrinë e Financave, na është premtuar se me rastin e rishikimit të buxhetit, neve do të na kompensohet kjo, ky zvogëlim i të hyrave në mënyrë që QS të funksionoj në formë të rregullt dhe në mënyrë të rregullt”, ka thënë ai për Kosovapress.

Sipas Sfishtës, Qendra e Studentëve në bazë të planifikimeve vjetore i ka që në fillim të vitit, 2 milionë e 100 mijë euro grant qeveritar dhe rreth 2 milionë të hyra nga pagesat e studentëve.


Mirëpo, për shkak të zbritjes së tarifave për studentë nga maji i këtij viti, tani QS i ka rreth 500 mijë euro më pak të hyra, të cilat Sfishta shpreson se do të kompensohen me rishikim të buxhetit apo ndonjë alternativë tjetër.

Megjithatë, Qendra e Studentëve në Prishtinë i ka bërë përgatitjet për hapjen e konkursit për pranim të banorëve studentë në konviktet e saj për vitin e ri akademik. “Konkursi do të hapet në javën e parë në shtator”, ka thënë ai.

Ndërsa, ushqyesit e mensës të cilët nuk do të jenë banorë të konvikteve, sipas drejtorit Sfishta, mund të aplikojnë nga 1 deri më 15 tetor dhe të bëhen anëtarë të kësaj kuzhine. Për një gjë të tillë studentët vetëm duhet të konfirmojnë se janë studentë të UP-së dhe ta bëjnë pagesën.

Qendra e Studentëve në kryeqytet ka kapacitet prej 3 mijë e 600 shtretërve, kurse mensa ka kapacitet që t’i ushqej 4 mijë studentë në ditë apo 8 mijë shujta brenda ditës në dy vakte. /Telegrafi/