LAJMI I FUNDIT:

Ukraina përpiqet të lehtësojë kushtet e ndihmes nga FMN

Ukraina përpiqet të lehtësojë kushtet e ndihmes nga FMN

Ndërkohë që në Uashington po zhvillohen takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore, Ukraina po përpiqet të lehtësojë kushtet e paketës financiare prej 17 miliardë dollarësh.

Kievi thotë se vendi gjendet tashmë në luftë dhe i duhet të ndërtojë forca të reja të armatosura. Por, disa analistë thonë se termat e borxhit mund t’i kthehen kundër ekonomisë së Ukrainës. Korrespondenti Henry Ridgwell njofton nga kryeqyteti i Ukrainës.

Që në fillim të viteve ’90-të, Ukraina ka patur ekonominë me rendimentin më të keq ndër ish-vendet sovjetike. Analistët thonë se tani konflikti rrezikon ta shtyjë pranë falimentimit.


Ekonomisti Oleh Soskin, drejtor i Institutit të Transformimit të Shoqërisë në Kiev, thotë se Banka Botërore është treguar bujare në vlerësimin e saj për një rudhje prej 8% të ekonomisë së Ukrainës në të ardhmen.

“Presim që GDP-ja e Ukrainës do të bjerë me rreth 15% deri në fund të 2014-s. Të mos harrojmë që dy pjesë të vendit janë shkëputur – Krimea dhe Sevastopoli – dhe jeta në dy rajone të mëdha, Donetsk dhe Luhansk, është komplet kaotike.”

Përpara konfliktit në lindje, eksportet nga rajoni Donetsk ishin në 1.5 miliardë dollarë në muaj, thotë guvernatori i Donetskut, Sergiy Taruta.

“Sot kompanitë në zonat e pushtuara pothuajse nuk punojnë fare. Gjithçka ka ndaluar: minierat e qymyrit, fabrikat e metalit dhe prodhimi i makinerive. Si rezultat, eksporti i produkteve tona ka rënë me 50%.”

Në muajin prill, Ukraina nënshkroi një marrëveshje me FMN-në prej 17 miliardë dollarësh, pjesë e një pakete më të gjerë shpëtimi prej 27 miliardësh. Muajin e kaluar, kryeministri u shpreh se vendit i duhet një nxitje pasi Ukraina ndodhet tashmë në luftë.

Por, Oleh Soskin paralajmëron se vendi duhet t’i ruhet marrjes së një borxhi të mëtejshëm nga FMN-ja.

“FMN-ja mendon gjithnjë se si do të marrë mbrapsht paratë e saj me interesa. Kështu që ata sigurisht po parashtrojnë kushtet përkatëse dhe pyesin Ukrainën se si planifikon t’i shlyejë gjithë këto kredi.”

Soskin është kritik ndaj këtyre kushteve, të cilat kërkojnë ulje të shpenzimeve dhe dhënien fund të subvencionimit të gazit. Rrogat e sektorit publik po ulen dhe taksat për pronën po rriten.

Por, reforma të tilla janë pjesë e transformimit të Ukrainës, këmbëngul guvernatori i Donetsk, Sergiy Taruta.

“Reformat do të na bëjnë më të fortë përballë shkatërrimit që kemi tani. Kjo është një kohë kur shoqëria po konsolidohet rreth një dëshire – të ndryshojmë autoritetet, të kryejmë reformat, dhe të rifillojmë ekonominë me shpejtësi.”

Banka Kombëtare e Ukrainës ka vënë në zbatim një nivel të lëvizsshëm të këmbimit të monedhës hryvnia. Vlera e saj ka rënë më shumë se 40%.

Kjo mund të jetë një litar shpëtimi pasi i bën më të lira eksportet ukrainase. Por, duhet të gjenden tregje të reja. /Telegrafi/