LAJMI I FUNDIT:

Ukraina nën revanshin rus

Ukraina nën revanshin rus
Ilustrim

Ngjarjet që vijnë në fillim hedhin hijet. Afro njëzet vjet më parë, presidenti i rimandatuar rus, Putin i kumtoi kombit (dhe botës) se shembja e perandorisë sovjetike “ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit”. Nuk e tha, por nënkuptoi: territoret e humbura nga Rusia duhet dhe do të rikthehen. Tre vjet pasi e kishte lëshuar këtë hije, e ushtroi një sprovë në Gjeorgji, duke i shkëputur asaj Abkazinë dhe Osetinë Jugore.

Në korrik të vitit 2021, i rikumtoi kombit (dhe botës) se “rusët dhe ukrainasit janë një unitet historik”. Ishte më shumë se një kumt, në fakt, një projekt gjeopolitik:


Nuk ia vunë shumë veshin. ShBA-ja, superfuqia hë për hë e vetme, kishte (dhe ende ka) renditur përparësi të tjera: menaxhimin e ambicieve të Kinës si superfuqi e re konkurruese; ngrohjen globale; balancat brenda vetë SHBA-së, të cilat u tronditën jo pak në zgjedhjet e fundit presidenciale; tërheqja e përshpejtuar dhe e rrëmujshme ushtarake nga Afganistani etj.

Presidenti rus, i cili është i ushtruar për të nuhatur këto zhvillime, e lëshoi ndoshta sprovën më të madhe të jetës së tij: nënshtrimin e Ukrainës. Prej muajsh, e ka vënë botën në ankth nëse Rusia, fuqia euroaziatike me afërsisht 150 milionë banorë, më e madhja në botë për nga sipërfaqja, do ta pushtojë ushtarakisht apo jo Ukrainën, shtetin fqinj rreth 40 milionë banorësh, i dyti në Evropë për nga sipërfaqja, pikërisht pas Rusisë. Me këtë hije, ka ridislokuar pjesën më të madhe dhe më dinamike të forcave të armatosura, të armatosur e të mbështetur me armët dhe teknikën masive që trashëgon e atë moderne që prodhon, për të krijuar një darë rrethimi “stërvitor”, që harkon 4257 kilometra nga 5581 kilometra, tërë kufiri i Ukrainës. Kësisoj, Rusia, e vetme, shpërfillshëm, duke u nisur thjesht nga pozitat e fuqisë ushtarake, kërkon të bëjë ndryshim në rregullat e lojës, të vendosura e, deri më tani, të pranuara ndërkombëtarisht, duke ushtruar karshillëk ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe fuqive të tjera më të mëdha botërore.

Për më tepër nuk kërcënon vetëm Ukrainën, por NATO-n si organizatë ushtarake, ngase kjo e fundit ka pranuar kërkesën e Ukrainës, të paraqitur që në vitin 2008, për t’u përfshirë në procedurat e anëtarësimit. Imperativi kryesor apo “arsyeja” e shpallur formalisht është që të ndalohet Ukraina të bëhet pjesëtare e NATO-s, ngase prania e NATO-s drejtpërdrejt në kufijtë e Rusisë, “rrezikon e kërcënon drejtpërdrejt sigurinë e Rusisë”. Kësisoj, Putini kërkon që pranimi vullnetar në NATO i një shteti si Ukraina, përveç votës së 30 anëtarëve, të kalojë për votë ose veto edhe nga Moska. Njësoj sikur ShBA-ja të kërcënonte Bjellorusinë të mos bëhej anëtare e “Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive” (Rusi, Bjellorusi, Armeni, Kazakistan, Kirgistan dhe Taxhikistan), sepse Bjellorusia kufizohet me tri vende të NATO-s dhe se kësisoj, mund të rrezikojë sigurinë e NATO-s!

Në fakt, një Ukrainë euroatlantike nuk cenon sigurinë e Rusisë, e cila ndan kufi detar prej 70 vjetësh me Turqinë e Norvegjinë, si dhe kufi tokësor prej mbi 15 vjetësh me Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë. Një Ukrainë në NATO dhe në BE do të thotë trokitje te dera me standarde më të larta jetese, me të drejta e liri demokratike, të cilat Rusia autokratike i njeh pak ose aspak. Për më tepër që Ukraina dhe ukrainasit e kanë shprehur vullnetin e tyre: sipas anketimeve të kryera vitet e fundit, në përqindje dërrmuese ata duan të bashkohen me NATOn dhe BE-në.

Kësisoj Rusia fantazon një hall të madh gjeopolitik: pa republikat e ish-Bashkimit Sovjetik, ndër të cilat Ukraina ishte shtylla kryesore, Rusia mbetet thjesht Moska, le të jetë vendi më i madh në botë për nga sipërfaqja apo ndër më të mëdhenjtë për nga popullsia. Është Ukraina ajo që e kthen Rusinë në aktor botëror. Nuk janë as armët bërthamore, as gazi rus, të cilat kanë thjesht vlera relative. Ukraina ka qenë dhe është hambar bujqësor, jo vetëm për Rusinë. Ukraina është saktësisht udhëkryqi euroaziatik, pavarësisht se shumë vende të tjera e pretendojnë këtë pozitë gjeopolitike. Mbi të gjitha Ukraina sundon bregdetin e Detit të Zi, i vetmi det nga ku Rusia mund të përhapë fuqinë, të shtrijë influencën dhe të konkurrojë fuqitë e tjera të botës.

Më në fund, por jo halli i fundit: Ukraina është atdheu i rreth tetë milionë rusëve, të përhapur kryesisht në rajonet lindore të Donjetskut e Luhanskut, si dhe në rajonet bregdetare jugore të Ukrainës. Këto janë asete që mund të kthehen fare mirë në urë midis dy vendeve, siç do mund ta justifikonte koncepti modern. Por autokracia ruse përbëhet nga kimi tjetër. Prandaj pushtoi Krimenë. Prandaj kërcënon edhe tërë Ukrainën.

Por, që të ndodhë pushtimi ushtarak i tërë Ukrainës, duhet që Rusia të plotësojë dy kushte: të justifikojë imperativat (hallet) dhe të peshojë mundësitë.

Imperativat janë arsyet “shtetërore” dhe nevojat ruse pse duhet ta bëjë këtë hap. Siç i përmendëm më sipër. Por, që këto imperativa, halle apo arsye “shtetërore” ruse, të bëhen realitet, duhet të balancohen me mundësitë, domethënë me kapacitetet dhe aftësitë e shtetit rus për të arritur që, jo vetëm të bëhet pushtimi, por edhe të mbahet përjetësisht gjendja e pushtimit.

Sigurisht që në pikëpamje termash absolutë fuqie, Rusia zotëron superioritet vendimtar në krahasim me Ukrainën e shkundur nga paqëndrueshmëritë politike e ekonomike, nga korrupsioni (në vitin 2017, Ukraina është vlerësuar ndër nëntë vendet më të korruptuara në botë!) dhe nga dekadenca ushtarake.

Në këto kushte, sikur ballafaqimi të mbetej vetëm midis këtyre dy vendeve, Rusia është plotësisht në gjendje ta pushtojë Ukrainën (në qoftë se përjashtojmë se lufta në qytet dhe përgjithësisht në qendra të banuara, favorizon popullatën dhe forcat ukrainase).

Por, problemi nuk qëndron te aftësia për ta kryer pushtimin. Si në çdo pushtim, problemi më i madh lind pas kryerjes së tij, çka lidhet me mbajtjen e gjendjes së pushtimit. Historia ofron plot shembuj për të nxjerrë mësime lidhur me këtë problem të madh që lind menjëherë pas pushtimit. Kështu, për shembull, forcat e Aleancës së Madhe Antinazifashiste që çliruan Gjermaninë në maj të vitit 1945, për mbajtjen nën kontroll të saj, sipas zonave përkatëse, angazhuan mesatarisht një ushtar për çdo 50 gjermanë, ndërsa forcave të Koalicionit të Luftës Kundër Terrorizmit në Irak në vitin 2003 iu kërkua të angazhonin mesatarisht një ushtar për çdo 100 irakenë.

Kësisoj, duke u nisur nga popullsia dyzetë milionë e Ukrainës, për mbajtjen e gjendjes së pushtimit, Rusisë do t’i duhet të angazhojë 300-400 mijë forca ushtarake të përhershme, çka do të kërkonte të paktën financa të shëndosha dhe një perspektivë bumi ekonomik, çka zor se Rusia oligarkike do mund t’i premtojë.

Por, çështja nuk mbaron as këtu. Stadi tjetër shtron çështjen: deri kur do t’i mbajë të angazhuara këto forca? Sepse dikur duhet të dalë. Por, cila do të jetë strategjia e daljes? Dhe çfarë do të lejë pas? Është një pyetje dërrmuese. Afganistani është një mësim i madh nga historia, jo vetëm për amerikanët, por edhe për rusët. Ndërkohë, një pushtim i tërë Ukrainës kërkon një operacion me përmasa të mëdha dhe, normalisht, me kosto shumë të madhe ekonomike e financiare.

Për më tepër, bota nuk mund të mbetet indiferente nga humbjet njerëzore që do të rezultonin, 50-100 mijë njerëz në rastin më ambicioz të pushtimit. Për të mos përmendur rreth pesë milionë refugjatë. Praktikisht do të thotë që Rusia mund të kryejë një pushtim të suksesshëm, por paspushtimi do të rezultojë një dështim po aq i suksesshëm.

Nga ana tjetër, problemi më i madh dhe vendimtar është dhe po bëhet reagimi ndërkombëtar, diplomatik dhe publik. Mund të mos ketë reagim klasik ushtarak, por gjasat për t’u shndërruar edhe në një reagim të tillë janë. Dhe sigurisht, pasojat do jenë të paparashikuara.

Por, edhe nëse reagimi ndërkombëtar do të mbetet në kufijtë e sanksioneve, një Rusi që prodhon 2,223 trilionë dollarë përkundrejt ShBA-së që prodhon 14,66 trilionë, Gjermanisë që prodhon 2,94 trilionë, Mbretërisë së Bashkuar që prodhon 2,173 trilionë, Francës që prodhon 2,145 trilionë, e të tjera, zor se do të jetë në gjendje t’i përballojë ato. Për më tepër, sanksionet nuk do të mbeten vetëm në fushën financiare. Izolimi politik do të ishte goditje edhe më e rëndë.

Në plan ndërkombëtar, zor se Rusisë do t’i gjenden aleatë të besueshëm përveç Llukashenkos së Bjellorusisë. Ndërkohë, zor se banketet me Pekinin do të zëvendësojnë armiqësitë e vjetra historike natyrale midis Kinës dhe Rusisë. Futja në lojë e ministrit të Punëve të Jashtme të Kinës përmes bisedës me sekretarin amerikan të Shtetit flet ndryshe. Madje, edhe qëndrimi i Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKBsë flet akoma më shumë. Dhe ndoshta, Kina do flasë edhe më shumë. ShBA e ka një përvojë për këtë, me detantën e vitit 1972, ku sekretari i atëhershëm i Shtetit, Henry Kissinger, e çoi Presidentin e vet në Pekin.

Çfarë do të synojë dhe ku do të shkojë Putini që të mbetet krahas Pjetrit dhe Katerinës?

Shtënia në zotërim e pjesës nevralgjike të bregdetit ukrainas të Detit të Zi, përkatësisht të brezit që lidh Krimenë me dy “republikat” praktikisht të pavarura të Donjetskut and Luhanskut, në Ukrainën lindore, është një imperativ rus thelbësisht i lakmuar. Me pushtimin e Krimesë, Rusia krijoi një prani sunduese ushtarake në Detin e Zi. Por me shtënien në zotërim të porteve që lidhin Krimenë me dy “republikat” e Donjetskut and Luhanskut, ndër të cilët përfshihet edhe porti shumë i rëndësishëm strategjik i Mariupolit, atëherë i gjithë Deti i Zi shndërrohet përfundimisht në një liqen thjesht rus, pavarësisht nga prania relative ushtarake detare turke, bullgare e rumune e NATO-s.

Këtë alternativë e favorizon faktorizimi i ndjeshëm rus i popullatës së qyteteve ku shtrihen pothuajse të gjitha portet që zotëron Ukraina. Këto porte, të lidhura edhe me dy “republikat” e vetëshpallura ruse të Donjetskut dhe Luhanskut në lindje të Ukrainës, si dhe Krimenë në jug të saj, përbëjnë një zinxhir, i cili, nëse rusifikohet edhe më tej, asfikson në një masë të madhe daljen e Ukrainës në det, ngase kontrolli strategjik i Detit të Zi i transferohet tërësisht Rusisë.

Për më tepër, me këto lëvizje, Deti i Zi shndërrohet në një teatër ushtarak rus, nga ku krijohen lehtësira për përshkallëzimin e kërcënimeve të nivelit strategjik edhe përtej rajonit të Detit të Zi, një synim ky i të gjithë carëve të Rusisë.

Në këto kushte, Rusia as nuk mundet, as nuk ka interes ta pushtojë tërë Ukrainën, apo siç thuhet, të shkojë deri në Lumin Dniepër për të marrë Kievin.

Rusisë i mjafton që t’i zërë frymën Ukrainës, duke e rrethuar nga tri anë dhe duke e futur në një darë të stërmadhe, për ta shtrënguar sipas oreksit. Për ta arritur këtë synim, ndoshta do t’i mjaftojnë vetëm format hibride të luftës, përmes së cilave ka treguar se mund të arrijë të njëjtin rezultat si dhe lufta. “Paqeruajtësit” rusë, të autorizuar nga “OKB-ja ruse” e Kremlinit për të vendosur paqen në dy “republikat”, do të jenë thjesht forca të luftës hibride për të vijuar revanshin.