LAJMI I FUNDIT:

U përurua rruga në Bllagagjë të Istogut, vepër e FSK-së

U përurua rruga në Bllagagjë të Istogut, vepër e FSK-së

Në fshatin Bllagagjë të komunës së Istogut, u bë përurimi i rrugës dy kilometra të gjatë dhe me kanalet anësore kulluese i ndërtuar nga Batalioni i Xhenios të FSK-së, në kuadër të zhvillimit të projekteve dhe bashkëpunimit civilo-ushtarak, projekte këto që i kryen FSK-ja, e që janë në shërbim të komunitetit anembanë Kosovë. Në përurimin e kësaj vepre që lidhë fshatrat me qendrat urbane, përveç vlerës praktike, ka edhe atë simbolike, të ndihmës dhe bashkëpunimit.

Në ceremoni të përurimit ishin: ministri i FSK-së, Agim Çeku, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati, ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale Nenad Rashiq, zëvendësministrja e FSK-së, Jasmina Vasiq, kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova, etj.

“Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati falënderoi pjesëtarët e Batalionit të Xhenios, për punën e madhe që kanë bërë dhe po bëjnë kudo në Kosovë, për të shtuar, se FSK-ja, deri më tani ka kryer shumë projekte humanitare që janë në shërbim të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe në shërbim të komuniteteve. Gjeneral Kastrati premtoi se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë me realizimin e projekteve të këtilla, kudo, që kanë nevojë qytetarët e Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media nga FSK.


Ndërsa, kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova, tha se ky projekt është i një rëndësie të veçantë, sepse përmes tij synojmë integrimin e komuniteteve në jetën tonë të përditshme.

Ndërsa, Nenad Rashiq ministër për Punë dhe Mirëqenie Sociale falënderoi FSK-në, për realizimin e këtij projekti, për të shtuar se realizimi i këtyre projekteve është i një rëndësie të veçantë jo vetëm për komunitetet por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Projekti për rrafshimin, zgjerimin dhe hapjen e kanaleve anësore, ka filluar së realizuar me 16 shtator 2014 dhe ka përfunduar më 3 tetor 2014. Shtrimi i kësaj rruge është bërë në bashkëpunim më zyrën për komunitete, në komunën e Istogut, duke u bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit në mes të MFSK-së dhe kësaj komune. /Telegrafi/