LAJMI I FUNDIT:

U përpoqa t’i shpjegoj djalit ZX Spectrum-in dhe nuk ia dola

U përpoqa t’i shpjegoj djalit ZX Spectrum-in dhe nuk ia dola
Sir Clive Sinclair, një nga pionierët e industrisë së kompjuterëve (foto: Dick Barnatt/Getty Images)

Nga: Dominik Diamond / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Më doli një nga ato reklama që kohët e fundit shfaqen në Twitter. I njihni ato. Jo ato me sugjestione të çuditshme që përpiqen t’ju shtyjnë të shkarkoni disa lojëra kot e pa pagesë për celular. Ato që ju tregojnë diçka që nuk e kishit menduar më parë se ju nevojitet – sepse nuk e kishit – por, tani që e ke parë ti mendon se jeta nuk mund të vazhdojë pa të. Si p.sh. një kosh për pjekjen e perimeve. Një orë që funksionon edhe si një fërgesë e ajrit në miniaturë. Kjo ishte për një printer të vogël pa ngjyrë që mund ta përdorni për të shtypur gjëra nga telefoni dhe për t’i kthyer në letër ngjitëse.


Megjithatë, njerëzit e moshës time e kishin këtë 42 vjet më parë. Vetëm se në atë kohë ishte periferiku më i përqeshur: Printeri Sinclair ZX për ZX Spectrum. Nëna ime e solli në shtëpi kompjuterin dhe printerin në vitin 1982, duke thënë se tani do të jemi në gjendje ta bëjmë përpunimin e tekstit dhe të shkruajmë libra si familjet në pjesën luksoze të qytetit. Përpara se të tallesh dhe të thuash: “Por, Dominik, je rritur në Arbroath. Nuk ka shtresë të pasur në Arbroath!”, më lejoni të theksoj se ka. Quhet Dundee.

Kohët e fundit u përpoqa t’ia shpjegoja djalit tim Charlie, kompjuterin ZX Spectrum; ishte duke u bërë gati për universitetin 3000 kilometra larg dhe herë pas here e shtyp butonin e gabuar në telefonin e tij dhe rastësisht përgjigjet kur unë e telefonoj, ndaj duhet të flasë me mua. Kur kjo ndodh, unë jam edhe më i befasuar dhe më i papërgatitur, kështu që priremi të flasim për lojëra dhe jo për bursa.

“Cila ishte loja e parë që ke luajtur në shtëpi, baba”?

Horace Goes Skiing [Horaci shkon në skijim].”

“Kush shkon për skijim?”

“Horaci. Hungry Horace [Horaci i Uritur] dhe ia dhashë emrin e tij të plotë”.

“Kush ishte ai”?

“Ishte një njollë e kaltër asimetrike, me këmbë, por pa krahë. Kërkoje në Google”.

“Jo bre, baba. Ky është personazhi më i trishtuar i video-lojërave që kam parë ndonjëherë”.

“Atëherë u mjaftuam me atë që kishim, bir. Kohët ishin të vështira, por ne ia dolëm”.

“Çfarë konsole ishte kjo? Nintendo e parë”.

“Jo bir. Ishte ZX Spectrum”.

“Emër i lezetshëm për një konsolë”.

“Nuk ishte konsolë. Ishte kompjuter”.

“Ke pasur kompjuter si fëmijë? Më ke thënë se ishit të varfër”.

“Ishim. ZX Spectrum ishte kompjuteri i parë i përballueshëm për shtëpi”.

“Pra, e ke hapur internetin në të”?

“Jo. Nuk kishim internet”.

“Pra, keni mundur të punoni me tabela dhe dokumente”.

“Nuk i kishte as këto”.

“Por, a ke mundur t’i bësh detyrat e shtëpisë”.

“Teknikisht”.

“Dhe, t’i shtypësh”.

“Në njëfarë mënyre. Por, shtypte gjëra në një fletë të hollë me shkëlqim si të letrës së tualetit”.

“Oh! Si ajo gjëja nga Twitteri sot. Dukej interesante”!

Mora frymë. “Po bir, si ajo”.

“A mund t’i ktheje në letra ngjitëse”.

“Jo”.

“Tingëllon si bërllok”.

Kjo bisedë më shtyri të pyes veten se sa të tjerë të brezit tim u bënë lojtarë të mirë. Prindërit blenë një Spectrum ose një Commodore 64 për të ndihmuar me detyrat e shkollës ose për t’i mësuar fëmijët që të kodojnë, por i kanë parë të vegjlit e tyre si dishepuj të Horacit të Uritur që hynin në lojën Maniac Mansion dhe nuk largoheshin kurrë!

A ndodhi me Amiga-n e viteve ’90? A blenë prindërit një nga ato pajisje që pasardhësit e tyre të mund të mësonin llogaritjen, apo i lanë duke ëndërruar për një karrierë në futboll pas orëve të panumërta me lojën Championship Manager? A u futën prindërit në dhomë teksa fëmijët luanin dhe menduan se ishte një lloj tabelë për llogaritje?

Ndoshta edhe sot ndodh. Prindërit blejnë një kompjuter gjigant të familjes Ninja, sepse është ajo që kanë në punë, dhe më pas fëmija i tyre mëson atë fjalën magjike … Steam.

Imagjinoj se gjërat kanë evoluar tani dhe prindërit thjesht ua blejnë konsolat fëmijëve të tyre dhe nuk u intereson se çfarë mendojnë fqinjët. Por, kur fëmijët e mi filluan të luanin lojëra në fillim të viteve 2000, ekzistonte ende ai mendim i vazhdueshëm nga vitet 1990 se lojërat do t’i kthenin fëmijët në përbindësha. “Ku janë fëmijët tuaj, Dominik”? Në bodrum duke luajtur Super Mario. “Çfarë është ajo”? Program arsimor se si ta kalosh jetën si hidraulik kur duket se e gjithë bota është kundër teje. “Oh, kjo është gjë e mirë. Është shumë e rëndësishme ta mësojnë një zanat”.

Duhet t’i kisha inkurajuar fëmijët e mi të mendonin për video-lojërat si një tregti. Një nga kolegët e tyre kanadezë, Félix Lengyel, sapo ka nënshkruar një marrëveshje prej 100 milionë dollarëve për të lëvizur nga Twitch në një faqe tjetër ku njerëzit bërtasin me zë të lartë dhe në mënyrë jokoherente teksa luajnë me video-lojëra. Kjo është një marrëveshje më e mirë se LeBron Jamesit me LA Lakers. Sigurisht, Félix Lengyel nuk quhet Félix Lengyel në internet. Kjo do të ishte qesharake. Ai quhet xQc. E ka marrë shkronjën e fundit të emrit të tij dhe shkurtesën e provincës kanadeze nga ku është: Quebec. Mendova se ekuivalenti britanik i kësaj do të ishte të merrje shkronjën e fundit të emrit tënd dhe dy shkronjat e para të kodit postar. Unë do të isha … dDd … shumë mirë.

Është e qartë se është tepër vonë për mua që të bëhem kontabilist, por mbase mund ta shoh veten me lojërat e ZX Spectrum-it. A dëshiron ndokush të më hedhë disa monedha duke bërtitur me zë të lartë në telefon teksa e bëj një vrapim me shpejtësi në Atic Atac? Më përkrahni në Patreon dhe madje do t’ju printoj disa letra ngjitëse. /Telegrafi/