LAJMI I FUNDIT:

Turizmi bullgar, në krizë të thellë

Turizmi bullgar, në krizë të thellë

Të ardhurat nga turistët e huaj në Bullgari pritet të ulen me 25 për qind në krahasim me vitin e kaluar, ndërkohë që bankat bullgare në fund të sezonit mund të detyrohen të marrin nën pronësi rreth 300 hotele private, si pasojë e falimentimeve të prodhuara nga kriza ekonomike, njoftoi dje media vendëse.

Rreth 20 për qind e hoteleve bregdetare të Bullgarisë janë mbyllur sakaq dhe industria e turizmit ka shënuar një rekord dhomash të padhëna me qira prej 60 për qind të totalit, deklaroi Rumen Draganov, kreu i Institutit për Analizimin dhe Vlerësimin e Turizmit.

Në vitin 2008, Bullgaria fitoi rreth 2.4 miliardë euro nga turistët e huaj, por këtë vit fitimet pritet të ulen në 1.9 miliardë euro. Përveç krizës ekonomike, ekspertët akuzojnë si përgjegjës edhe shërbimet e këqija turistike, si dhe investimet joeficente të kryera gjatë viteve të fundit.

Draganov beson se një numër gjithnjë e më i madh pronarësh hotelesh në Bullgari nuk do të jenë në gjendje të shlyejnë këstet e tyre të kredive dhe do të detyrohen të mbyllin dyert e veta.


"Ne po shohim se mosshitja e dhomave këtë vit po shkatërron aftësinë e hoteleve për të paguar borxhet. Kjo shpjegon edhe arsyen se pse në kulm të sezonit, disa nga hotelet po qëndrojnë të mbyllura", shtoi ai. Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë dhe fleksibilitetit të treguar nga bankat, duket se situata ka pak gjasa për përmirësim.