LAJMI I FUNDIT:

Tri arsye pse s’do duhej bllokuar Kuvendi!

Tri arsye pse s’do duhej bllokuar Kuvendi!

E para! Kur është përpiluar Ligji për protokollin e shtetit, hartuesit e tij e kanë sanksionuar një gjë. Presidenti, kryeparlamentari dhe kryeministri nuk duhen lejuar që të udhëtojnë në të njëjtën kohë jashtë shtetit. Këtë normë juridike, nuk është se e kanë shpikur vetë, por e kanë përvetësuar nga vendet me demokraci të zhvilluar. Esenca e kësaj qëndron në përgjigjen, pse është i domosdoshëm kufizimi i lirisë së lëvizjes për krerët e shtetit. E përgjigjja, megjithëse nuk është e dhënë në ligj, është e thjeshtë – logjike. Shteti nuk guxon të mbetet pa udhëheqës!.

Kushtetuta jonë, që tashmë çdo laik e ka kuptuar se është e mangët dhe në shumë raste konfuze, e përcakton vetëm një zëvendësues të presidentit/es. E ai është kryeparlamentari. Por, çka ndodh në rast se presidentja nuk është në gjendje ta mbajë timonin e shtetit, në kohën kur vendi s’ka kryeparlamentar? Një situatë e tillë nuk është parashikuar nga gjyqtarët kushtetues në krye me Enver Hasanin.


Me “urdhrin” për pezullim të vendimit për emërimin e Isa Mustafës, kryetar Kuvendi, ata e kanë lënë presidenten pa zëvendësues. Rrjedhimisht, me logjikën e tyre, presidentja e shtetit do të duhet ta mbante postin edhe sikur ta ketë të pamundur ta bëjë këtë gjë, qoftë edhe për shkaqe shëndetësore. Më të keqen, s’po e përmendim!.

***

E dyta! Kosova, në mos nga kanosja prej ndonjë shteti fqinjë, papritur mund të përballet me një fatkeqësi natyrore. Kërkohet mobilizim i përgjithshëm i strukturave të shtetit, për ta sanuar gjendjen. Presidentja në konsultim me kryeministrin vendos ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. E bën gati dekretin dhe pret ta marrë pëlqimin! Nga kush?! Me Kushtetutë është e përcaktuar që këtë ta bëjë Kuvendi i Kosovës. Por, kur deputetët nuk kanë të drejtë të marrin asnjë vendim deri më 18 shtator, a mundet presidentja të vendosë me arbitraritet. Kushtetuta nuk ofron alternativë.

Këtë është dashur ta kishte parasysh Gjykata Kushtetuese kur e ka pezulluar punën e Kuvendit për dy muaj. Ndryshe, dhe shumë më mirë kishte vepruar me rastin Pacolli. Ish-presidenti, pas zgjedhjeve të vitit 2010, qëndroi në krye të shtetit për më tepër se një muaj, derisa u dha verdikti se zgjedhja e tij nga Kuvendi, ishte bërë në mënyrë jokushtetuese. Por, shteti kishte udhëheqës. Kishte edhe zëvendësues. Precedenti, pra ekzistonte.

Në frymën e kësaj, administrata e Kuvendit, me të drejtë ka kërkuar sqarime nga Gjykata, nëse vendimi për pezullim të emërimit të Isa Mustafës, kryeparlamentar, nënkupton me automatizëm rikthimin në fuqi të Kryesisë së vjetër të Kuvendit. Se a është i mundur ky rikthim, për sa kohë që deputetët e legjislaturës së pestë e kanë dhënë betimin, i ka takuar Gjykatës që ta sqarojë.

***

E treta! Gjykata Kushtetuese është ngritur si organ që do të merrej me interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me aktin më të lartë juridik të shtetit. Kështu është definuar edhe me Kushtetutë. Andaj, nuk ka qenë e as nuk është në kompetencën e saj të bllokojë punën e asnjë institucioni. Aq më pak të themeluesit të saj – Kuvendit. Me vendimin e fundit, kjo gjykatë duke dalë mbi Kuvendin, është ngritur mbi vetë shtetin. Ka marrë të drejtën që t’i çojë në pushim përfaqësuesit e zgjedhur. Ata që në rrethana tjera mund ta zhbëjnë Gjykatën. Mund t’ia marrin apo shtojnë kompetencat kurdo që i mbledhin mbi 80 vota. Më e pakta që mund të bëjnë, është ndryshimi i procedurës për shkarkimin e gjyqtarëve. Por, duke qenë fuqiplotë, gjyqtarët aktualë i kanë detyruar deputetët të qëndrojnë në shtëpi. S’u ka hyrë fare në punë se çka thotë Kushtetuta për përfaqësuesit e zgjedhur.

Neni 70 i këtij dokumenti shprehimisht e definon që: “Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”. Duke i marrë parasysh edhe veprimet e mëhershme të kësaj Gjykate, nuk është asgjë e re të thuhet se ajo qëmoti ka devijuar nga funksioni kushtetues. Nën pretendimin e shmangies së krizave institucionale, duke pranuar lëndë që nuk kanë pas materie për trajtim, vetëm sa i ka thelluar krizat.

Andaj, pas kapërcimit të ngërçit institucional, është e nevojshme, që ligjvënësit t’i kthehen Gjykatës Kushtetuese.