LAJMI I FUNDIT:

Tregun financiar e dominojnë bankat

Tregun financiar e dominojnë bankat

Niveli i ekonomisë së Kosovës, është jo i kënaqshëm, pavarësisht se synimet janë që të kemi rritje ekonomike prej 6 për qind. E sistemi financiar i Kosovës, dominohet nga sektori bankar i cili ka një pjesëmarrje në treg prej 77.5 për qind.

Këto komente janë bërë të hënën në Bankën Qendrore të Kosovës, ku u prezantua edhe numri i parë i Raportit të Stabilitetit Financiar.

Ky publikim sipas zyrtarëve të BQK-së ka synim informimin mbi zhvillimet në sektorin financiar, me fokus të veçantë në sektorin bankar.

U.d i Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës,Gani Gërguri, tha se sistemi financiar i Kosovës, vazhdon të dominohet nga sektori bankar. Ai e vlerësoi se ekonomia e Kosovës, vazhdon të jetë e dobët, e gjithë kjo sipas tij nga pasoja e krizës globale e vitit 2009.


Ministri i Ekonomisë dhe Financave në largim, Ahmet Shala, tha se synim i MEF-it, është që gjatë vitit 2011, të kemi një rritje ekonomike prej 6 për qind.

Raporti i Stabilitetit Financiar, fillimisht trajton zhvillimet kryesore ekonomike dhe financiare ndërkombëtare, për të vazhduar me një analizë të zhvillimeve në ekonominë vendore. Po ashtu një pjesë e raportit trajton zhvillimet në sektorët tjerë të sistemit financiar dhe ndërlidhjes së tyre me sektorin bankar si dhe përmban katër artikuj tematik që trajtojnë segmente specifike, të ndërlidhura me sektorin bankar dhe ndërveprimin e tij me sektorët tjerë të ekonomisë

Përveç, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka marrë pjesë edhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Turqisë, Durmus Yilmaz. /Telegrafi/