LAJMI I FUNDIT:

Tregtarët e “Tregu”-t kontrata, ose s’mund të operojnë ligjërisht

Tregtarët e “Tregu”-t kontrata, ose s’mund të operojnë ligjërisht

Një delegacion i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), ka zhvilluar një takim me një delegacion të Komunës së Prishtinës, ku u diskutua për Ndërmarrjen Shoqërore “Tregu” e cila funksionon edhe te Amortizatorët. Me këtë rast, iu bë thirrje publike tregtarëve që të paraqiten në Zyren Rajonale të AKP-së për të bërë nënshkrimin e kontratave të reja të qirasë, në të kundërtën nuk do të kenë mundësi të operojnë ligjërisht në këtë treg.

Temë e takimit të përbashkët ishte Ndërmarrja Shoqërore “Tregu” e cila funksionon edhe te Amortizatorët, e cila me vendimin e Bordit të Drejtorëve të AKP-së është vendosur në procesin e likuidimit dhe kërkesa e AKP-së që tregtarët që kanë operuar në këtë treg më parë të vazhdojnë operimet ligjërisht, por me kontratat e reja të qirasë që duhet të nënshkruhen sa më parë sipas ligjit të AKP-së.

Sipas një njoftimi të AKP-së, përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës dhe përfaqësuesit e AKP-së shprehën qëndrimin e njëjtë se tregtarët duhet të vazhdojnë punën në tregun me shumicë që gjendet në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë dhe për këtë arsye iu bëjnë thirrje publike tregtarëve aty që të paraqiten në Zyrën Rajonale të AKP-së në Prishtinë për të bërë nënshkrimin e kontratave të reja të qirasë.


“Në takimin e mbajtur, Kryetari Ahmeti shprehi qëndrimin e komunës së Prishtinës dhe planin për të themeluar ndërmarrjen e re komunale për tregjet, kompani e cila do të ketë në menaxhim tregjet publike të Prishtinës. Pas themelimit të kompanisë, Komuna do të fillojë diskutimet me AKP-në për të gjetur zgjidhjen më të mirë ligjore për operimin e tregut me shumicë në lokacionin e njëjtë, pa e cenuar procesin e likuidimit të Ndërmarrjes Shoqërore “Tregu”. Prioritet i komunës do të jetë ruajtja e lokacionit për tregtarët me shumicë te Prishtinës.

NSh “Tregu” te Amortizatorët, është nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe pa nënshkrimin e kontratave të qirasë me AKP-në nuk do të kenë mundësi të operojnë ligjërisht në këtë treg. /Telegrafi/