LAJMI I FUNDIT:

Transparency International, nuk mat korrupsionin në Kosovë

Transparency International, nuk mat  korrupsionin në Kosovë

Agjencia Kosovare Antikorrupsion, në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, po mbajnë në Prishtinë një konferencë dyditore ku po shkëmbehen përvojat mbi luftën kundër korrupsionit me vendet e rajonit.

Kryetari i Agjencisë Anti-korrupsion Hasan Preteni e vlerëson të rëndësishme këtë konferencë që të përfitojë njohuri të reja në këtë fushë, nga përvojat rajonale.

“Ne kemi nevojë si Agjenci e krijuar të kemi sa më shumë përvoja nga shtetet përreth, këtu i kemi përfaqësitë e 6 shteteve dhe brenda këtyre dy ditëve ne duhet të shfrytëzojmë të marrim mësime sa më shumë, tha Preteni.

Në ranglistën më të fundit të “Transparency International” për nivelin e korrupsionit, Kosova përsëri nuk u gjend në listë. Preteni thotë se ka kërkuar disa herë, por janë disa kushte që i duhen organizatës për ta vlerësuar nivelin e korrupsionit edhe në Kosovë.


“Kam qenë shumë i interesuar që edhe në Kosovë të realizohet diçka e tillë, mirëpo i kanë disa kushte, disa elemente, duan të kenë një përfaqësi të vet, një OJQ këtu, pastaj duan të ketë më shumë OJQ të tilla. Është një sondazh të cilin me të vërtetë kisha dashur të realizohet edhe në Kosovë, ndryshe mendoj se për nga niveli jemi afër me shtetet e rajonit”, theksoi Preteni.

Në ranglistën në fjalë, nga vendet rajonale, përderisa Shqipëria kë shënuar rënie për 10 vende dhe ndodhet në pozitën e 95, Mali i Zi ka shënuar ngritje prej 16 vendesh dhe tani pozicionohet në pozitën 69. Presidenti i Komisionit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Mal të Zi, Sllobodan Llekovic, thotë se kjo ngritje është arrit fal rregullativës ligjore.

“Të gjitha të dhënat e zyrtarëve publikë të Malit të Zi, janë të publikuara në ueb adresën tonë, të gjithë personat fizikë mund të shikojnë për zyrtarin publik të Malit të Zi, pa marrë parasysh për kë bëhet fjalë, për kryeministrin, kryetarin apo ndonjë ministër, gjyqtar etj. Saktësisht mund të shihet pasuria e tij, të ardhurat që i merr, dhuratat që i pranon ai ose familja e tiji”, tha Llekovic.

Konferenca organizohet nga Agjencia Antikorrupsion në mbështetje të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara UNDP./rtklive/