LAJMI I FUNDIT:

Transiti në Shqipëri u kushton 150 euro kosovarëve

Transiti në Shqipëri u kushton 150 euro kosovarëve

Tarifë e kripur spedicionere për transitin e makinave me targa të përkohshme nga Durrësi në Morinë

"Pasi e blemë makinën në Gjermani, kaluam tre shtete dhe paguam gjithsej 60 euro, ku përfshiheshin taksa e rrugës në Austri dhe pagesat e autostradave në të gjithë Italinë deri në Bari. Por kur mbërritëm në Durrës, u përballëm me tarifën surprizë për ‘shërbime doganore‘ prej 150 eurosh".

Kështu tha Lumtur Ahmeti, një shqiptar nga Kosova, që pati vendosur të përshkojë një rrugë më të gjatë vetëm për të parë punimet në autostradën Rrëshen-Kalimash.

Kureshtja për të parë autostradën patriotike që besohet se do të bashkojë shqiptarët e dy shteteve, i kushtoi ca shtrenjtë, por nuk kishte zgjidhje tjetër. Për të përshkruar më pak se 200 kilometra, u detyrua të paguajë 2.5 herë më shumë nga sa kishte paguar për të përshkruar plot 1400 kilometra.


Në Kosovë ka 130 mijë makina, dhe çdo vit në këtë vend hyjnë rreth 10 mijë makina të përdorura që blihen kryesisht në Gjermani. Për shkak të gjendjes së keqe të rrugëve në një pjesë të Kroacisë dhe në Malin e Zi, kalimi nga Shqipëria mund të bëhet rruga më e rehatshme për në Kosovë.

Por 150 eurot, të cilat nuk janë taksa që hyjnë në buxhetin e shtetit, janë goxha para për të justifikuar vetëm 200 kilometra rrugë. Shumica dërrmuese e makinave të përdorura që importohen në Shqipëri dhe Kosovë përdorin targa të përkohshme gjermane, të cilat i lejojnë të qarkullojnë në të gjithë botën pa kosto të tilla.

Nëse kalon nga Kroacia për shembull, një tarifë e tillë spedicionere nuk ekziston. Por kjo gjë nuk ndodh në Shqipëri. Në fund, Lumturit i pëlqeu spektakli i ofruar nga makineritë e rënda që shikohen në qafë të Shpalit, por tarifa spedicionere prej 150 eurosh i la një shije të hidhur.

Tarifa e agjencisë doganore

Doganat detyrojnë çdo makinë që hyn në Shqipëri me targa të përkohshme të kontraktojë një agjenci doganore për të blerë një "garanci". Garancia shërben për të shmangur rrezikun e përdorimit të makinës së importuar pa paguar taksa doganore.

Për një shqiptar që hyn në Han të Hotit, garancia kushton 7 mijë lekë, por për një kosovar natyrisht që kushton më shtrenjtë. Shumë më shtrenjtë. "Ky është një problem që zor se mund të marrë zgjidhje", shpjegon një ekspert doganor. Makinat janë malli më i rënduar me taksa nga lista e mallrave që importohen në Shqipëri.

Për makinat e benzinës, taksat doganore fillojnë nga 130 mijë lekë të reja, ndërsa për ato të naftës nuk ka më lirë se 160 mijë lekë. Dhe duke qenë se shqiptarët, ashtu si edhe kosovarët, dinë të manipulojnë numrat e shasisë dhe të përdorin një palë targa në shumë makina të ndryshme, gjatë viteve të fundit përpjekjet e doganave u përqendruan në ndalimin e hyrjes së makinave në Shqipëri pa paguar fillimisht taksat doganore.

Si pasojë e këtyre përpjekjeve, edhe makinat që importohen në Kosovë duke përdorur Shqipërinë, nuk mund t‘u shpëtojnë tarifave të kripura të agjencive doganore. Heqja e tarifës së spedicionit për kalimet transit nga Durrësi për në Kosovë apo Maqedoni, as që çohet nëpër mend sot për sot. Me taksa doganore më të larta sesa vlera e makinave, një skemë e tillë do të krijonte një kanal të leverdishëm për të gjithë, për t‘i shpëtuar doganës më absurde në botë.

Rruga patriotike, e penalizuar

Qeveria shqiptare shpreson se rruga Durrës-Kukës do të fillojë të përdoret sadopak kur kosovarët të kryejnë një pjesë të importeve të veta përmes Portit të Durrësit. Por burokracitë doganore zor se do të lejojnë zhvillimin e transitit. Pagesat për garanci që lëshohen nga agjencitë doganore janë një makth i vërtetë edhe për biznesin vendas.

"Importojmë mallra në Durrës dhe i zhdoganojmë në Shkodër. Duhet të paguajmë dy herë agjenci doganore dhe nuk e kuptojmë pse nuk mund t‘i zhdoganojmë direkt në Durrës", thoshte dy ditë më parë Ferdinant Melgushi, biznesmen fasonist në Shkodër.

Taksat doganore në Shqipëri janë pothuajse zero, por importuesit paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar si dhe taksa të tjera, në rastin e makinave, të ashtuquajturën "taksë ndotjeje". Ata që kalojnë mallra transit paguajnë një tarifë minimale zyrtare, por duhet ta garantojnë faktin se do të dalin nga Republika e Shqipërisë përmes agjencive, të cilat në këto raste rrisin koston e përdorimit të Shqipërisë si korridor rajonal. Nëse një makinë me targa të përkohshme gjermane kalon nga bregdeti dalmat, nuk detyrohet të paguajë asnjë tarifë doganore as në Kroaci dhe as në Malin e Zi. /shqip/