LAJMI I FUNDIT:

Thaçi, kemi krijuar kushte për investime

Thaçi, kemi krijuar kushte për investime

Në Prishtinë ka filluar punimet forumi dyditor ndërkombëtar “Kosova-një mundësi energjetike”, ku po marrin pjesë përfaqësues të kompanive nga vende të ndryshme, si Gjermania, Italia, Franca, Austria dhe Zvicra. ...

Kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të shpejtë, dhe për këtë qëllim qeveria ka krijuar një mjedis shumë të sigurt dhe të favorshëm për investime në sektorë të ndryshëm. Sipas tij, legjislacioni dhe ligjet që zbatohen në Kosovë janë në përputhje të plotë me standardet evropiane dhe favorizojnë investimet private:

“Tashmë jemi në prag të investimeve të mëdha në sektorin e energjetikës, në këtë aspekt, ne jemi të gatshëm të vëmë në funksion shfrytëzimin e rezervave të thëngjillit për ngritjen e kapaciteteve të reja energjetike, por kjo do të bëhet vetëm duke respektuar normat më të larta të ruajtjes së ambientit, e po ashtu ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë alternative. Për më tepër, tani kemi një strategji të qartë energjetike për periudhën 2009-2018”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi theksoi se qeveria po angazhohet në vazhdimësi për tërheqjen e sa më shumë investitorë të huaj për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike.


“Qëllimi ynë është që të tërheqim sa më parë dhe sa më shumë investime private dhe për këtë jemi të gatshëm të paguajmë si ekonomi e Kosovës koston objektive, të pranueshme për këto investime”, ka theksuar Thaçi.

Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula, pohoi se qeveria synon të rrisë furnizimin me energji dhe të përmirësojë cilësinë e furnizimit. Në këtë drejtim, ajo theksoi se qeveria po bën reforma të nevojshme të kuadrit ligjor dhe rregullator për shthurjen e KEK-ut, si dhe për tërheqjen e investimeve private.

“Po ashtu po punojmë për të shfrytëzuar gjithnjë e më shumë edhe burimet e ripërtërishme të energjisë…”, ka thënë ministrja Shiroka-Pula.

Gjergj Buxhuku, drejtor i Konfindustrisë tha se ideja për një forum të tillë ka rezultuar për shkak të burimeve të shumta energjetike.

“Republika e Kosovës, si shteti ende më i ri në botë po tregon se mundësitë e saj të shumta energjetike të tokës dhe nëntokës, së bashku me pozicionin strategjik të vendndodhjes së saj, është e gatshme për t’i vënë në shërbim të rritjes së mirëqenies së qëndrueshme, jo vetëm të qytetarëve të saj, por edhe në shërbim të të gjitha vendeve të rajonit dhe më gjerë, si shembull i vullnetit për integrim të përbashkët sa më të shpejtë në BE”, ka theksuar Buxhuku.

Në forumin dyditor po marrin pjesë përfaqësues të kompanive të ndryshme nga Gjermania, Italia, Franca, Austria, Zvicra etj, të cilët do të prezantojnë interesat e tyre për investime në sektorin energjetik.