LAJMI I FUNDIT:

Testi i maturës drejt përvetësimit dhe përshtatshmërisë

– Një rezultat më i mirë i Testit të Maturës, një punë më e organizuar –

Sistemi ynë arsimor është futur në mesin e vendeve që kanë për qëllim reformimin e këtij sektori të rëndësishëm për të arritur rezultate pozitive në të gjitha fushat e jetës. Dihet mirë, se në çfarë periudhe të vështirë ka kaluar shkolla jonë, duke përballuar sfidat nga më të ndryshmet, me shpresën se një ditë do të hapen rrugë për të vepruar të lirë dhe për të ndërtuar një sistem arsimor të mirëfilltë, që do të konkurroj tregun e punës krahas vendeve të zhvilluara. Kjo kohë ka arritur dhe ka shumë lëvizje pozitive në këtë drejtim që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë.


Arsimi në Kosovë ka pasur fatin të përfitojë përvoja të shumta nga vende të ndryshme që njihen për sistemet e tyre arsimore të zhvilluara dhe udhëheqëse në tregun botëror. Ndihma ka qenë e shumëfishtë për këtë sektor të rëndësishëm, duke filluar nga ofrimi i programeve të ndryshme trajnuese, e deri tek ato financiare në ndërtimin e infrastrukturës së duhur shkollore dhe ngritjes së kapaciteteve njerëzore.

Një fushë shumë e rëndësishme për ne në këto 11 vitet e fundit, është fillimi dhe vazhdimi i reformimit të sistemit tonë arsimor, të ndihmuar nga vendet e ndryshme mike të Kosovës. Për të synuar një ngritje të cilësisë në arsim, është dashur të fillohet me ndryshime pozitive, dhe për fat të mirë ka ndodhur dhe po ndodh një gjë e tillë. Ka lëvizje të shumta në këtë drejtim dhe shumë të nevojshme për shkollën tonë. Me ndryshimin e niveleve të shkollimit, ka filluar të zbatohet edhe testi i maturës për shkollarët që përfundojnë shkollimin e mesëm, për t’i mundësuar atyre vazhdimin e studimeve.

Si çdo fillim, që është i vështirë, edhe testi i maturës ka pengesat e tij dhe mangësitë, e që janë reflektuar herë-herë shumë negativisht tek gjeneratat e reja, duke i pamundësuar shumë prej tyre vazhdimin e shkollimit të mëtutjeshëm jo për faj të tyre, por për shkak lëshimeve dhe mangësive që kishte në tërësi ky testim.

Në vitet e kaluara kemi qenë dëshmitarë të pengesave të shumta dhe dështimeve, e më së miri i tregonte rezultati përfundimtar i tyre, me një përqindje të ulët të kalueshmërisë në nivel vendi. Faktorët janë të shumtë që kanë ndikuar të ketë një rezultat të tillë, si: përpilimi jo i duhur i testit, papërgatitja psikike e nxënësve për teste të tilla vendimtare për ta, papërgjegjësia e madhe e një pjese të mësimdhënësve mbikëqyrës gjatë kohës së testimit, mos informimin i mjaftueshëm i nxënësve, etj.

Një punë më e organizuar dhe frytdhënëse në vitin 2010

Për fat të mirë, në testin e këtij viti shkollor që lamë pas kishte përmirësime të shumta dhe frytdhënëse, që tregon seriozitetin e punës së atyre që kanë marrë përgjegjësi për një organizim të tillë, në këtë rast MASHT-i, e fakti më i mirë i gjithë kësaj është rezultati më i lartë në krahasim me vitet tjera në nivel vendi. Në vitin 2009, 44% ishte numri i atyre që kanë arritur të kalojnë në këtë test, ndërsa në vitin 2010 një gjë të tillë kanë arritur 64.3%, që donë të thotë rreth 20% kalueshmëria ka qenë më e lartë në këtë vit, e që është një përqindje e mirë, por nuk duhet të ndalemi me kaq, sepse duhet të synojmë edhe më shumë të rritet kjo përqindje dhe sa më shumë të rinj të kenë mundësinë e vazhdimit të shkollimit të mëtutjeshëm.

Pikë kyçe në këtë rezultat më të lartë është përgatitja shumë më e mirë nga ana e udhëheqësve të këtij procesi dhe fillimi i punës qysh më herët për të pritur të gatshëm kohën e testimit. Me sa duket, është bërë një përvetësim i dukshëm i testit dhe një profilizim më i mirë i tij, duke iu përshtatur nivelit të nxënësve dhe drejtimit të tyre. Kjo tregon, se çdo vit do të ketë një përvetësim të tillë, duke eliminuar mangësitë që janë shfaqur në vitet e kaluara dhe për të siguruar një testim adekuat dhe real për të gjithë. Ndryshimet e tilla pozitive do të eliminojnë edhe diskriminimet që kanë ndodhur më herët, si rezultat i testit të njëjtë për të gjitha drejtimet (këtë vit është bërë një ndarje e testeve sipas drejtimeve), por edhe për shkak të tolerancës së tepruar të mbikëqyrësve nëpër klasë ku zhvillohej testi, ndërsa pjesa tjetër me një rigorozitet të lartë, duke bërë diskriminim në mesin e nxënësve “PËR DIKË NËNË E PËR DIKË NJERKË”.

Shpresojmë se vitet në vazhdim do të kemi rezultate edhe më të larta të dala nga testi i maturës dhe eliminimi i mangësive të kaluara. Për një gjë të tillë kërkohet një punë e përbashkët e gjithë faktorëve që përbëjnë Sistemin arsimor të Kosovës, dhe besojmë fuqishëm në një bashkëpunim të tillë, për të arritur qëllimin e përbashkët, në sigurimin e rezultateve të lakmueshme dhe ngritjes së cilësisë të shkollimit në përgjithësi për vendin tonë.

(Autori është student në Master – drejtimi: Menaxhimi në arsim)