LAJMI I FUNDIT:

“Television Man” dhe pasqyra e shëmtisë sonë

“Television Man” dhe pasqyra e shëmtisë sonë

U formuan si grup i valës së re muzikore (New Wave), por në vitet ’80 ishin një nga më avangardet, sidomos në përfshirjen e elementeve të folklorit botëror (ndikuan kudo në botë, edhe në Kosovë). Mund të cilësohen pjesë e art-rockut – atyre që muzikën nuk e krijonin për t’i shtyrë të tjerët në valle, por në mendim. Interpretimet para publikut i kishin të konceptuara në formë teatrale, e tekstet përçonin mesazh (aktual edhe për sot)!

Fjala është për grupin Talking Heads, që në këngën e tjetërsimit mental e shpirtëror, “Television Man”, thonë: “Po shoh dhe po ëndërroj në të njëjtën kohë… jam brenda dhe jashtë në të njëjtën kohë… televizori më bëri të jem ky që jam sot”!


Në fakt, emri i grupit Talking Heads (që në përkthim literal i bie “kokët që flasin”), që në zhargonin televiziv përdoret për ta afruar kamera në kuadër atë që flet në një emision debatesh, e në zhargonin urban për dikë që shtiret që di e flet pa thënë asgjë!

Kënga “Television Man” është pjesë e albumit “Little Creatures” (1985), që merret me problemet e shtresës së mesme amerikane.

Me kopertinën e këtij albumi merr famë piktori naiv e i panjohur nga shumica, Howard Finster. Aty është edhe kënga “Road to Nowhere” dhe “Lady Don’t Mind”. “Road to Nowhere” flet për mirëpritjen (me hare!) të fundit të botës. Roger Waters këtë fund e parashikonte me njerëzit si majmunë (metaforë për ata që pranojnë lehtë dogmat – llafet e të tjerëve) të “ngordhur” para televizorit!

“Je çfarë ha”, ka thënë gastronomi francez, Jean Anthelme Brillat-Savarin. Kjo thënie është interpretuar në shumë kontekste. Në kontekstin e mediave është thënë se njeriu është ai çfarë lexon apo sheh. Dhe, çfarë po shohim ne, në Kosovë? Stefan Çapaliku, kështu do të përgjigjej: “Shohim veten si mos të kemi më dritare me xhama, por në vend të xhamave të kemi pasqyra e të kënaqemi përditë duke parë shëmtinë tonë”! /Telegrafi/