LAJMI I FUNDIT:

TEB dhe Vala lansojnë produktin e përbashkët TEB SMS

TEB dhe Vala lansojnë produktin e përbashkët TEB SMS

Banka TEB dhe Operatori publik Vala kanë lansuar produktin e përbashkët të quajtur TEB SMS mbushje, i cili do t’u mundësojë kosovarëve që të blejnë mbushje për telefonat e tyre mobil përmes dërgimit të një SMS nga telefoni i tyre.

Ky produkt i ri mund të dërgohet edhe atëherë kur llogaria telefonike e klientit është zero. Ky shërbim i ri në Kosovë mundësohet nga TEB dhe PTK për mbushje në Vala.

Tashmë për të kredituar telefonin, klienti duhet që vetëm të dërgojë një SMS me numrin që dëshiron ta mbushë dhe vlerën e kredisë në numrin 2300, pastaj në bazë të kësaj, llogaria e klientit në TEB do të debitohet dhe llogaria telefonike do të kreditohet.

Por, paraprakisht për ta marrë këtë shërbim, klienti duhet të ketë llogari rrjedhëse në TEB dhe të nënshkruaj një autorizim.


Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha, me këtë rast ishte i pari që testoi produktin më të ri TEB SMS pas periudhës testuese dhe deklaroi se, me lansimin e këtyre produkteve të reja telefonia mobile në Kosovë bëhet ndër më të avancuarat në rajon.

“Ky produkt i ri tregon për përkushtimin e Valës për konsumatorët e vet dhe ky përkushtim do të vazhdojë duke rezultuar me produkte dhe vlera të reja”, ka Haxha .

Drejtori i përgjithshëm i TEB-it, Alp Yilmaz me këtë rast ka bërë të ditur se Banka TEB do të vazhdojë të ofrojë produkte unike në tregun kosovarë.

“Ne do të konkurrojmë në treg me shërbime të mira dhe të veçanta”, ka pohuar Yilmaz.

Kjo është marrëveshja e dytë në mes të këtyre kompanive. Marrëveshja e parë ndërmjet Bankës TEB dhe PTK-së është bërë me Postën e Kosovës. /Telegrafi/