Pas kërkimeve në Arkivat e Romës (Itali) në Bosnje dhe në Kroaci, studiuesja Blerina Suta ka zbuluar fakte që hedhin dritë në jetën dhe veprën ende të panjohur të Gjegj Fishtës.
Ajo ka zbuluar poezinë e parë të At Gjergj Fishtës dhe një dëftesë të Universitetit të Livnos që e prezaton poetin dhe klerikun e njohur si student të shkëlqyer. Poezia e parë e Fishtës, “Al valente poeta sig.Silvie Strahimir Kranjçeviq”, dedikuar poetit të madh lirik kroat që Suta e ka zbuluar në Muzeun e Sarajevës, të shkruar në vitin 1892, hedh poshtë tezën e Vehbi Balës që cilëson të parën poezi “E popullit” botuar në “Albania” të Konicës.
Edhe dëftesa me nota flet shumë… Vetëm nëpërmjet një dëftese ne zbulojmë lehtësisht sesa e ndriçuar ka qenë mendja e Fishtës, por edhe shpirtin e tij rebel. Në shkollat ku edukohet një klerik i ri, ky karakter do t’i kushtonte Fishtës “një mjaftueshëm” në sjellje në mesin e të gjitha vlerësimeve shkëlqyeshëm. Fishtën dhe poetin kroat Kranjçeviq, të cilit i dedikohet poezia, Suta i quan “dy shpirtra rebelë në malësinë e Livnos”.
Suta ka zbuluar edhe faqe të panjohura nga vepra gati pesëshekullore e Budit. Kërkimet dhe studimet për Fishtën nga ajo nuk bëhen për herë të parë. Suta ka bërë edhe një studim tjetër kërkimor “Eposi i At Gjergj Fishtës përball eposit të shkrimtarëve romantikë sllavo-jugor”.
Libri i ri “Hulumtime mbi veprën” e Át Gjergj Fishtës” (Onufri 2018), që sapo ka dalë në dritën e botimit, flet me gjuhën e përpiktë të studiueses, me pjesë të dokumenteve të rralla që plotësojnë profilin e klerikut dhe poetit Kombëtar At Gjergj Fishta. Pjesën e tjetër të arkivave ajo do ta botojë në një libër tjetër për Fishtën.
– Cila ishte e panjohura për Fishtën që ju nxiti për kërkime të mëtejshme?
Kërkimet e mia për Fishtën që datojnë që më 2004 – kohë e doktoraturës sime në Universitetin La Sapienza të Romës – u plotësuan në këtë periudhë të fundit me një sërë dokumentesh të hulumtuara në arkivat historikë të fretërve minorë si dhe në arkiva të ndryshme romane. Profesorët e mi, të dy kroatë – Matvejeviq dhe Jerkov – më dhanë mundësinë të shkojë në Kroaci dhe në Bosnje për kërkime mbi arealin ballkanik të romantizmit, konteksti i duhur ku mund të ndërfutet poetika e Fishtës.
– U diskutua një poezi, për të cilën Fishtën e kanë keqkuptuar si tekst?
Për dy tekste poetike të Fishtës: fillimisht për tekstin kushtuar poetit më të madh lirik kroat, Silvije Strahimir Kranjçeviq (Al valente poeta sig. Silvie Strahimir Kranjçeviq, 12.XII.1892), dorëshkrim autograf që gjendet në Dhomën Muze kushtuar Kranjçeviqit në Sarajevë. Kjo poezi e shkruar nga Fishta në gjuhën italiane, zhvendos disa vite më përpara datën e poezisë së parë që njohim prej poetit. Analiza që i bëra këtij teksti më çoi natyrshëm drejt hipotezës se “Një lule vjeshtet” botuar për herë të parë në 1909-n te “Pika voëset” i kushtohej pikërisht Kranjçeviqit që vdiq para kohe në një vjeshtë të vonë të 1908-s (saktësisht më 29 tetor 1908) disa muaj para se botimit të këtij vëllimi.
– Sa vjeç ishte kur ndërroi jetë?
B. Suta: Ka qenë 45 vjeç kur vdiq, ndërsa kur u njoh me Fishtën ai ishte 27 vjeç e Fishta 21. Kanë qenë shumë miq. Kanë ndarë pasionin për poezinë, deri edhe tek pasionin për fotografinë. Ata kishin një aparat fotografik dhe bënin fotografi amatore, siç thonë studiuesit e Kranjçeviqit. Sigurisht hipoteza nuk lidhet vetëm me përputhjen e kohës së ngjarjes së vdekjes së Kranjçeviqit me atë të shkrimit të poezisë. Të dhëna të tjera që kanë të bëjnë me historinë e dorëshkrimit krijojnë gjasat që mund të bëhet fjalë për të njëjtin tekst: nga njëra anë e dhëna e Volajt që flet për humbje të origjinalit të poezisë, dhe nga ana tjetër përmendja nga kritika boshnjake e faktit se Fishta kishte dërguar një poezi në gjuhën shqipe në dhomën muze të mikut të tij të pafat pas vdekjes. Pikë së treti, shenjat e pranishme në tekst i japin gjasë hamendjes se profili njerëzor dhe poetik i Kranjçeviqit është aty i pranishëm.
– Cilat kanë qenë më saktë interpretimet e ndryshme rreth kësaj poezie?
Objekti poetik i këtij teksti është bërë burim diskutimesh që luhaten nga rrafshi i hipotezës për një vehtje fizike deri në rrafshimin e hipotezës për një vehtje morale dhe ideale: A. Plasari, V. Volaj, S. Hamiti, A. Xhiku, K. Shala, për të përmendur vetëm disa prej tyre. Madje Plasari shkon në kërkim edhe të “asaj”. Është forma e përkryer poetike e këtij teksti që lejon dhe kërkon prerje të reja interpretuese
– Fishtën e kanë akuzuar edhe për shovinizëm?
Mendoj se janë persona që nuk e njohin, ose e kanë lexuar në lente të shtrembëruar ideologjike veprën e Fishtës. Duke njohur disa anë të personalitetit të tij, falë materialeve arkivore burimore, mund të pohoj se bëhet fjalë për një profil të qëndrueshëm, si në pikëpamje të raportit me thelbin e qenësinë kombëtare, ashtu edhe të raportit me tjetrin, duke u shfaqur si një figurë e vlerave universale. Mendoj se Fishta paraqet cilësi të një personaliteti me frymëmarrje mjaft të gjerë.
– Çfarë tjetër keni zbuluar në arkivat e Bosnjës?
Materialet arkivore të Bosnjës përfshijnë dëftesat e formimit nëntëvjeçar të Fishtës në tre nivelet e shkollimit të tij atje, përveçse letërkëmbimeve që ndriçojnë formimin e tij, librat që lexoheshin në ambjentin kulturor ku jetoi Fishta. Në Livnon e kohës kur studionte Fishta kishte dhomë leximi, bibliotekë qyteti ku lexoheshin Herder, Cantu të përkthyer në gjuhën kroate, teoricienë të rolit të gjuhës popullore në ndërtimin e kombit. Zbatimi i këtyre teorive është i prekshëm në veprën epike të Fishtës.
– Pashë se në studimin tuaj kishte edhe një listë me studentët shqiptarë.
Sigurisht. Për disa vite rresht rishtarët shqiptarë formoheshin në provincën e Bosnjës që në atë kohë ishte nën qeverisjen austro-hungareze. Fishta ishte ndër më të shkëlqyerit e brezit të tij prej gjashtë studentësh, siç e tregon vjetari i françeskanëve gjatë vitit të dytë të studimeve në Livno, ku flitet për ligjëratën akademike të fratit të ri.
– Cili do të jetë studimi i radhës me materialet që ju keni mbledhur nga arkivat e huaja për Fishtën?
Ka një sërë letrash të Fishtës që zbulojnë aktivitetin tij gjatë periudhës midis dy luftërave botërore, mjaft të rëndësishme për t’u dhënë përgjigje edhe akuzave që janë bërë për shovinizëm Fishtës e më gjerë. Fishta është një personalitet kompleksiteti i të cilit nuk mund të studiohet në këndvështrime të ideologjizuara. Me siguri, zbardhja e plotë e sasisë së materialeve arkivore të Romës mund të hedh dritë të mëtejshme edhe për arsyet e vërteta të akuzave që i janë bërë Fishtës.
***
DËFTESA E FISHTËS NË UNIVERSITETIN E LIVNOS DHE VLERËSIMET E SHKËLQYERA
Arkivi i Provincës Boshnjake të Sarajevës (Arhiv Franjevčke Provincije Bosne Srebene, Sarajevo) ruan dokumentet e shkollimit të Fishtës, një pjesë e të cilave janë përmendur prej historianit françeskan Mirko Vrgoq (2005) në një punim për historikun e kolegjit të Livnos nga 1858 në 1905.11.
Një analizë më e hollësishme fokusuar mbi Fishtën, ndriçon disa elemente të qëndrueshme të personalitetit të tij të hershëm, thotë Blerina Suta.
Rezultatet e dëftesave për periudhën gati dhjetëvjeçare të studimit në Bosnjë (përkatësisht, të shkollës përgatitore të Guça Gorës, të shkollës për filozofi në Krajleva Sutjeska dhe të fakultetit teologjik në Livno), përvijojnë jo vetëm profilin e formimit bazë të Fishtës, por dhe personalitetin e tij të hershëm që do të spikasë në të ardhmen krijuese të poetit.
Nga një dokument i datës 7.03.1892 (Sarajevë) me firmë të ministrit të provincës boshnjake Andrea Buzuku, që gjendet pranë Arkivit Historik të Urdhrit Françeskan në Romë, jepen lëndët që kryheshin në tri nivelet e studimit të shkollave në manastiret e provincës boshnjake nga studentët që përgatiten për t’u shuguruar.
Më 1886 Fishta gjendet në manastirin e Guça Gorës dhe një nga dokumentet e para, ku përmendet emri i tij është ai i datës 15 tetor 1886, në të cilin saktësohen dhe detajohen të dhënat e një dokumenti paraprak të 6 tetorit për gjashtë nxënësit e ardhur nga Shqipëria. Sillen gjeneralitetet e Fishtës, data dhe emri i pagëzimit “Jozef ”.
Pesëmujori i parë i vitit shkollor 1886-1887, nga “Relacioni”/Relatio i datës 11 shkurt 1887, ka një klasifikim të progresit në kulturë dhe në karakter të të pasqyruar në tekst janë tejshkruar sipas origjinalit të dokumentit të cilit i referohen:
Fr. Joannes Fishta rezulton i shkëlqyer (eminens primus), vlerësim që e ka në: “Doktrinë e fesë”/ Doctrina Religionis; “Sintaksë latine”/Syntaxis Latina; “Gramatikë”/ Gramatica; “Aritmetikë”/Arithmetica dhe “Analizë”/ Analysis. Në këtë relacion dallohen vlerësimet: “shkëlqyeshëm”/ eminens primus në “Impenjim”/ Oçupationes; “mirë”/ bona për “Aftësitë”/ Capacitas; “Zell”/ Diligentia si dhe “asgjë për t’u qortuar”/ irreprehensibilis në “Sjellje”/ Mores.
“Relacioni”/Realtio i fundit për rezultatin në letra dhe në sjellje gjatë vitit të parë shkollor 1886-1887 (8korrik 1887) konfirmon ecurinë e shkëlqyer të semestrit të parë të Fr. Joannes Fišta: (“Aftësitë”/ Capacitas, bona; “Zell”/ Diligentia, bona; “Doktrinë religjioze”/ Doctrina Religionis, eminens; “Sintaksë elegante”/ Syntaxis Ornata, eminens; “Kronologji”/ Chronologia, eminens; “Sjellje”/ Mores, irreprehens (ibilis). 2. Viti akademik 1888-1889 e gjen Fishtën për filozofi në “Kraljeva Sutjeska” dhe dëftesa e semestrit të parë (28 shkurt 1889) pasqyron rezultatin eminens primus të Joanes Fiscta në lëndët: “Metafizikë”/ Metaphysica; “Shkenca”/ Mathesis; “Histori universale”/ Historia Univers(alis); “Fizikë”/ Physica.
Kolona e gjuhës gjermane, e plotësuar për disa nga nxënësit që kishin bërë gjermanisht është bosh prandaj Daniel Gjeçaj citon një letër që P. Lorenc Mihačeviq i dërgon P. Marcellino nga Curia Superiore e Provincës, ku thotë se që të gjashtë studentët e kthyer nga Bosnja, dinin shumë mirë katër gjuhë. Për semestrin e dytë, dëftesa (dt. 26 qershor 1889) shënon rezultatin eminens primus për Fr. Joannes Fiscta ndër gjashtë studentët e marrë në provim në lëndët: “Metafizika speciale”/ Metaphysica spec(ialis); “Histori universale”/ Historia Universalis; “Fizikë”/ Physica; “Matematikë”/ Mathematica; “Prozodi latine”/ Prosodia latina Dokumente arkivore të viteve 1890-1893 flasin për një grup shqiptarësh të cilët u pranuan në tetor të vitit 1890 në kuvendin e Shën Pjetrit dhe Palit të Gorica-s (Samostan Franjevaca Gorica-Livno), të cilët studiuan në Livno për teologji.
Rezultatet e vlerësimeve në të katër vitet që flasin për formimin të shkëlqyer teologjik të fratit shqiptar, Fr. Georg. Silvius Fiscta: të dyja dëftesat e vitit të parë (10 shkurt 1890,27 qershor 1890) e klasifikojnë Fishtën të shkëlqyer (emimens primus) në të gjitha lëndët (“Histori latinishten italishten dhe kroacishten, dhe nuk mungojnë prej tyre ata që flasin frëngjisht dhe gjermanisht. E sheh klerikun Georgius Fishta me vlerësimin (em(inent) prim(us)] në të dyja lëndët (“Dogmatikë e veçantë”/Dogmatica Spec(ialis); “Teologji pastorale”/ Theologia Pastoralis); viti i fundit vazhdon të ketë vlerësime të shkëlqyera Emin(enes)primus) për Fr. Georg. Ficsta në të dyja lëndët (“Teologji morale”/ Theologia Moralis; “E drejtë kanonike”/ Jure Canonica) për të dy semestrat, shkurt 1893, 21 qershor 1893). Dëshmia e fundit e periudhës së studimeve (Livno, shkurt 1893) sjell dy “shkëlqyeshëm”/ izvrstno në “Filozofi morale”/ Moralka dhe në “Të drejtë ekleziastike”/Crkveno pravo dhe vetëm një “mjaftueshëm”/ dosta dobro në “Sjellje”/ Ćudoredje.
***
POEZIA E PARË E FISHTËS (1892) DEDIKUAR LIRIKUT KROAT KRANJÇEVIQ
Vehbi Bala në monografinë Gjergj Fishta, jeta dhe vepra, përcakton 1899-n si datë të poezisë së parë që njohim prej Fishtës. Krijime të ndryshme poetike të shkruara prej Fishtës, që mbajnë firmën “É popullit”, botohen në periodikun “Albania” të Faik Konicës.
Një tekst i periudhës së studimeve të Fishtës, shkruar në gjuhën italiane, e shtyn më 1892 datën e krijimit të parë që njohim prej tij. Është fjala për poezinë autografe që mban datën 12 dhjetor 1892, “Al valente poeta sig.Silvie Strahimir Kranjčević”, dorëshkrimi i së cilës në vitin 1927 u zbulua në dhomën-muze kushtuar Kranjçeviqit, në muzeun për letërsinë në Sarajevë (Muzej književnosti i pozorišne umjetnosti Bosne i Hercegovine).
Kapllan Resuli, te “Fishta dhe të tjerë” (2001), e përmend këtë poezi nëpërmjet citimit të një artikulli të studiuesit boshnjak (Brčić, 1982) dhe, me të njëjtën lente vetanake me të cilën interpreton eposin e Fishtës, pa konsultuar tekstin, shprehet se autori kroat Silvie Strahimir. Kranjçeviq nuk ka ndikuar në poetikën e Fishtës.
Të dhënat e para për njohjen mes Fishtës dhe poetit lirik kroat Kranjçeviq vijnë nga shënimet biografike të botuara nga “Vjetari” i provincës françeskane të Bosnjës me rastin e vdekjes së Fishtës, 1941, ku përmendet se Fishta u njoh në Livno me veprën poetike të fratit G. Martiq, influenca e të cilit do të ndihet në krijimtarinë e Fishtës si dhe do të shoqërohet me Kranjçeviqin, i cili banonte në Livno në kohën kur studionte Fishta.
Nga burimet kroate vijnë më shumë elemente për përvojën boshnjake të Fishtës, duke përplotësuar kështu një boshllëk të kritikës shqiptare. Frati Lovro Mihačević në udhëpërshkrimin e tij “Nëpër Shqipëri” (Po Albanii, 1911), jep të dhëna fillestare për rëndësinë e kapitullit boshnjak në formimin e Fishtës, jo vetëm nga këndvështrimi religjioz dhe filozofik, por dhe nga ai poetiko-letrar. /Shqiptarja/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëFjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Pema gjenealogjike e familjes së Skënderbeut
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur
GJUHA SHQYPE
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
Poezitë e para evropiane për Skënderbeun
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm
Drenusha zbulon testin e ADN-së që e ka bërë në SHBA, habit me rezultatet
Arne Slot befason të gjithë me përforcimin e fundit te LIverpooli
Vrasja e dyfishtë në Klinë, prokurorja dhe drejtori i Policisë japin detaje
Mike Tyson bëri kërkesë të pazakontë për rregulloren në luftën ndaj Jake Paul
Gjigantët brazilian kanë konfirmuar interesimin për Sergio Ramos – ndërsa raportimet për Real Madridin vazhdojnë