LAJMI I FUNDIT:

Të ngrirë pas së shkuarës

Të ngrirë pas së shkuarës

Në analizën që i bën romanit të Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur,” Peter Morgan, pedagogu australian dhe studiuesi i njohur i letërsisë, ka vënë re se shtrati i romanit ndërtohet mbi dy bazamente. E para është ngrirja e së shkuarës dhe e dyta vështrimi përpara dhe harrimi i saj. Këto dy topika paraqitin edhe dy metafora të mëdha që janë ajo e thanatosit dhe e erosit.

Thanatosi, perëndia e vdekjes, siç dihet, përkon me imazhin e vdekjes dhe të varreve që shqiptarët i përdorin si pjesë të vetëdijes së tyre historike. Ata janë të lidhur me të shkuarën e tyre dhe plaka Nicë bëhet në këtë kuptim simbol i kësaj historie. E plagosur në shpirt, e zemëruar me botën ajo, ashtu e murrëtyer, ngjan me imazhin e Shqipërisë së kohës socialiste.


Nga ana tjetër, gjenerali ka ardhur për të mbyllur llogaritë me të shkuarën dhe mezi pret që t’i kthehet jetës ose në rastin më të mirë erosit. Edhe eshtrat e kolonelit Z. ai i hedh në lumë dhe falsifikon të shkuarën kështu, duke i zëvendësuar ato me eshtrat e ushtarit dezertor që kishte ndenjur në shtëpinë e një mullixhiu.

Kjo kundërvënie ose ky imazh i shqiptarëve duket se nuk ka ndryshuar as sot. Në ligjërimin e përgjithshëm ose në atë që quhet megatekst, elitat shqiptare, qoftë në Tiranë qoftë në Prishtinë, janë obsesionuar me të shkuarën, përkatësisht me simbolet apo me mitet historike. Të duket sikur Shqipëria është përfshirë në ndonjë luftë civile ose ka sulmuar ndonjë vend tjetër, pra të ngjan sikur shqiptarët kanë rrëmbyer armët dhe nga një pjesë e elitave vjen thirrja që të çmitizohet Skënderbeu.

Pyetja është fare e thjeshtë. Ç’punë ka Skënderbeu me shqiptarët sot, në cilën aventurë të tyre është përfshirë teksti i mitologjisë së ngritur mbi heroin kombëtar, kjo është e vështirë të thuhet. Shqiptarët sot po akuzohen se nuk po shfaqin një identitet të qartë dhe po përcjellin në Evropë imazhin e një vendi që nuk eksporton kulturë, që nuk prodhon filma, që nuk prodhon sport, por, në vend të tyre eksporton kriminalitet, korrupsion, imazhin e një klase politike të degraduar e të rrjedhur moralisht e politikisht.

Por, nga ana tjetër, në këta njëzetë e ca vjet ne jemi vlerësuar edhe si një vend që nuk ka shkaktuar asnjë konflikt në Ballkanin e trazuar, që jemi treguar të ekuilibruar dhe nuk i kemi fryrë në asnjë rrethanë zjarrit nacionalist aq të përhapur në Ballkan. Në këtë rrafsh ne e kemi merituar dhe e meritojmë miqësinë dhe afrinë evropiane me miqtë tanë euroatlantikë.

Është e vërtetë që edhe këtu te ne janë venë re prirje të një lloj radikalizmi naiv me frymëzim islamik. Por, vullnetarë në Siri kanë shkuar edhe nga Gjermania apo Britania. Ajo që përbën problem, ashtu siç e kam quajtur edhe në një shkrim të mëparshëm, është rrëshqitja e butë në islamizëm radikal dhe kriza e modelit. Sipas meje, problemi ynë më i madh është injoranca e llahtarshme që po shfaqim në leximin e historisë sonë.

Unë mendoj se nuk zgjidhen ngërçet tona identitare me sulmin vend e pa vend ndaj Skënderbeut. Miti i kryeheroit tonë mund të aktualizohet në disa rrafshe dhe që aty mund të dalin tekste nga më të larmishmet, por kjo nuk e prek thelbin e mitit të tij. Skënderbeu është një mit i krijuar më shumë nga të tjerët, jo nga ne. Të mos harrojmë që ai është personazhi historik evropian, për të cilin janë shkruar më shumë vepra se asnjë tjetër sivëlla të tij në kontinentin e vjetër. Mirëpo, unë mendoj se problemi ynë qëndron diku tjetër. Ne nuk po arrijmë ta lexojmë historinë tonë ashtu siç duhet, nuk po arrijmë që ta çmitizojmë atë nga tymi i luftës dhe i vdekjes.

Është e vërtetë që nacional-romantizmi komunist ndërtoi një tekst për historinë që kishte në themel vdekjen dhe luftën. U shpallën të shenjta shpata dhe dyfeku. Ky mentalitet i luftës zotëron edhe sot në skenën shqiptare. Ashtu siç ndodh në shoqëritë e meditizuara, edhe këtu te ne televizioni është bërë vendi “par exellence”, ku bëhet histori, politikë, universitet, sport… Studioja televizive në shoqëri të prapambetur si kjo e jona, por jo vetëm, ka zëvendësuar auditorët, akademitë, konferencat… Aty shqiptarët shohin të ripërsëritur në një mijë forma të shëmtuara modelin e shqiptarit të shëmtuar që ndeshet me ushta e me shpatë dhe i thyen turinjtë kundërshtarit me fjalët më të ndyra.

Vendin e filmave, të teatrit apo të sportit e ka zënë ky spektakël banal politik që zotëron në ekranin e vogël. Mirëpo, sikur të shihnim vetëm personazhet shqiptare që zhvilluan veprimtarinë e tyre në shekullin XIX dhe sikur të përpiqeshim ta ritregonim historinë tonë jo përmes klisheve të një teksti që na e kanë shkruar të tjerët, por ta tregonim ashtu siç ka ndodhur, do të na shfaqej një botë krejt tjetër. Pse? Sepse deri tani ne tregojmë jo historinë që ka ndodhur, por klishetë që kemi në kokë nga filtrimi që i kanë bërë asaj regjimet dhe në këtë kuptim historiografia socialiste ka një peshë të madhe të përgjegjësisë.

Po sjell vetëm një shembull. Pashko Vasa është një figurë e shquar e Rilindjes, por ne dimë shumë pak për jetën e tij. Nuk flasim fare për tri martesat e tij, për gruan franceze, për jetën e tij private që është po aq e pasur sa ajo publike. Ose një figurë tjetër madhështore me origjinë shqiptare, si Dora d’Istria, është pothuajse e panjohur. Ne nuk e kemi treguar historinë tonë me fatet njerëzore të personaliteteve që i shënjuan ato kohëra, ne kemi shkruar vetëm trakte politike dhe luftarake.

Po të vësh re edhe filmat që po dalin këto kohë, aktualizojnë pikërisht shpirtin kriminal dhe luftarak të shqiptarit. Mungon tërësisht dashuria apo humori. E kështu, të rrethuar me njerëz që ulërasin nga mëngjesi në darkë, me lajme për vrasje apo kapje hashashi, është e natyrshme që gjithë këtë krim të kërkosh ta projektosh larg në histori, te mitet apo simbolet. Po a është e vërtetë kjo…?

(Marrë nga: Gazeta Shqip)

Në trend

Më shumë
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Evropa
Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Lajme
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Real Madrid ka një bishë 19-vjeçare në skuadër: Turku i talentuar Arda Guler tregoi trupin pas stërvitjeve të shumta

Real Madrid ka një bishë 19-vjeçare në skuadër: Turku i talentuar Arda Guler tregoi trupin pas stërvitjeve të shumta

La Liga
Gjithçka çfarë duhet të dini për meçi mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk: Koha, titujt, rekordet dhe pesha e tyre

Gjithçka çfarë duhet të dini për meçi mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk: Koha, titujt, rekordet dhe pesha e tyre

Boks
Kalo në kategori