LAJMI I FUNDIT:

Të mos nxitohet në draftimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme

Këto vërejtje i referohen Kapitullit të Tretë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme – regjistrimi dhe certifikimi i partive ( subjekteve) politike.

Reforma lidhur me ndryshim-plotësimet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP), ka hyr në fazën përfundimtare dhe këto vërejtje jepen në funksion të ndryshim-plotësimit të Kapitullit të Tretë, ndoshta, mund t’i shërbejnë Grupit Punues, po qese ka mbetur hapësirë kohore për një përfshirje në një draft sa më të plotë të të gjithë kapitujve, ndërsa kjo temë i referohet kryesisht regjistrimit të partive politike dhe nënkapitullit lidhur me certifikimin e subjekteve politike.


Ndonëse, pa e privuar askënd nga kjo e drejtë, askush nuk mund të jetë më i thirrur për të dhënë vërejtje, propozime konkrete dhe rekomandime në ndryshim-plotësimin e LPZ se sa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si institucion i pavarur dhe implementues.

Ndoshta, për një koordinim më të mirë të punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me Grupin Punues për Reformën Zgjedhore, kanë munguar iniciativat nga brenda, dhënia e ideve praktike, që zëri i këtij institucioni të ishte më i dëgjueshëm, sepse reforma në LPZ nuk bëhet çdo ditë.

Ajo çka mund të thuhet konkretisht, se është dashur që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të iniciojë formimin e grupeve të veçanta brenda trupës së vetë organizative teknike, Sekretariatit të KQZ-së, që për çdo vërejtje dhe rekomandime nga kapitujt e LPZ-së, të hartojë një draft-rekomandim më të plotë për Grupin Punues, sepse ky institucion ka katër vite punë në zbatim të LZP, dhe mund të ketë përparësinë në identifikimin e dispozitave ligjore ku ka hasur në vështirësi gjatë interpretimit dhe implementimit.

Vërejtjet në dispozitat e përgjithshme

Në Kapitullin e Tretë të LZP vërehen mangësi, dualizma mes dispozitave dhe përsëritje të panevojshme të fjalive në disa paragrafë, ndërsa disa nga nenet e këtij Kapitulli nuk kanë nevojë të ekzistojnë, sepse praktika i ka nxjerrë jashtë loje si të paqëndrueshme.

Neni 11. 1 paragrafi i parë, ku thuhet “KQZ-ja themelon, brenda SKQZ-së, Zyrën për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim (“Zyra”), ndërsa neni 11.2 e bën të kundërshtueshëm nenin paraprak citojmë: “Zyra udhëhiqet nga drejtori ekzekutiv, i cili i raporton drejtpërdrejtë KQZ-së”. Sipas nenit 11.1, kjo llogaridhënie e drejtorit të Zyrës do të duhej të bëhej para Kryeshefit Ekzekutiv të SKQZ-së, ashtu siç i përgjigjen atij drejtorët e departamenteve të tjera, por për shkakun se punët e Zyrës janë specifike, me qëllim të ruajtjes së neutralitetit në punën e vetë, llogaridhënia shkon për KQZ-në. Por edhe kështu siç është tani, mund të thuhet se kjo çështje nuk është rregulluar si duhet, sepse “bordi” i KQZ-së përbëhet nga përfaqësuesit e partive politike, të cilët nuk mund të jenë plotësisht të pa ndikuar në vendimmarrje, sidomos, kur bëhet fjalë për punët që Zyra brenda mandatit ligjor mund t’ia rekomandojë.

Shqyrtimi i opsionit që Zyra të jetë një agjencion i pavarur, dhe, që të mos ndikohet nga asnjë vendim i KQZ-së, do të ishte zgjidhja më e mire për të cilën çështje ka pasur ide, por jo edhe qasje serioze se si mund të ndryshohet statusi i saj aktual.

Në vazhdim po përpiqemi të hedhim dritë në disa nene tjera në vijim që është dashur të riformulohen ose të hiqen plotësisht, Kapitullit i Tretë i LZP, si neni 11.3, ku partitë politike të regjistruara në periudhën e UNMIK-ut, brenda Shtyllës së Tretë ( OSBE), konsiderohen apriori të regjistruara me LZP.

Ky nen përmban brenda vetes një kontradiktë serioze, sepse në parim kur një ligj hyn në fuqi i shfuqizon të gjitha aktet ligjore të mëparshme, po qese nuk janë në harmoni me dispozitat ligjore në fuqi.

Në periudhën e UNMIK-ut janë regjistruar parti politike, të cilat me emrat e tyre, programin dhe statutin bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Formulimi i nenit 11.4, i cili partitë politike i konsideron siç thuhet shprehimisht “automatikisht e certifikuar në kohën e zgjedhjeve…”, është joadekuat jo vetëm në aspektin e terminologjisë, por edhe obligimeve që kanë partitë politike, që nuk mund t’i anashkalojnë para aplikimit për certifikim.

Neni 11.5 ka qenë i kuptueshëm të ekzistojë në kohën e pasluftës, kur OSBE ka ndërtuar një mënyrë të komunikimit me subjektet politike nëpërmes kutive postare, por me aplikimin e internetit, kjo formë e komunikimit më nuk praktikohet, andaj neni i cekur si më lartë duhet të hiqet nga LZP.

Nevojë të riformulohet dhe të bashkohet brenda një neni të vetëm është neni 15.3 dhe 15.4, që pak a shumë i referohen të njëjtës çështje, ndërsa paragrafi i parë te neni 15.3 është përsëritje e nenit 11.4 për të cilin dhamë vërejtje si më lartë.

Zgjidhja e kontesteve në gjykatë?

Një çështje që ka nxjerrë krye pas hyrje së LZP kanë qenë kontestet e krijuara brenda partive politike ose ndër-partishë, të cilat për zgjidhje iu kanë adresuar Zyrës, gjegjësisht KQZ-së. Ky institucion shpesh është ndier ngushtë se si t’i qaset problemeve të kësaj natyre dhe në parim nuk është aspak e arsyeshme, që një organ i përbërë nga përfaqësues të ndryshëm politik të marr vendime për partitë politike të zëna në konteste të brendshme lidhur me shkeljet statutare.

Këto çështje do të ishte mire të përcaktohen me ndonjë nen të veçantë brenda Kapitullit të Tretë. Kur partitë ta kenë kaluar çështjen për zgjidhje në Komisionin Statutar, pala e pakënaqur mund të ushtrojë ankesë në gjykatën kompetente.

Pak vëmendje certifikimit të subjekteve politike

Një nen i bartur nga rregulloret e UNMIK-ut siç duket është neni 17, me të cilin sikur e ka mbajtur “peng” LZP, që t’i certifikojë ato parti politike që dëshmojnë se janë regjistruar në bazë Rregullores së UNMIK-ut 2004/2, nëse nuk është nën pezullim.
Rregullorja e sipërpërmendur nuk është në fuqi, sepse tani ekzistojnë Rregulloret e KQZ-së, të cilat paraqesin legjislacionin sekondar dhe plotësues të LZP, andaj ekzistimi i nenit 17 duhet të hiqet se është i panevojshëm.

(Autori është zyrtar i lartë ligjor i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim)