LAJMI I FUNDIT:

Të huajt do të marrin vizë për në Shqipëri

Të huajt do të marrin vizë për në Shqipëri

Vendimi i ri i qeverisë synon të plotësojë kushtet e Bashkimit Evropian për procesin e liberalizimit të vizave. Një sërë vendimesh u morën gjatë muajve mars dhe prill për të përshtatur rregullat e lejeve të punës për të huajt me rregullat e BE-së, por ekspertët thonë se këto vendime të qeverisë erdhën shumë vonë për të pasur ndonjë ndikim më verdiktin e Brukselit për liberalizimin e vizave.

Një rregullore e re e miratuar nga qeveria ka përcaktuar procedura dhe burokraci për të huajt që kërkojnë vizë shqiptare, të ngjashme me procedurat dhe burokracitë që shqiptarët duhet të plotësojnë për të marrë vizat e standardit të vendeve Shengen.
Vendimi u miratua nga qeveria në prill dhe u publikua së fundmi në Fletoren Zyrtare. Ai mund ta fusë Shqipërinë në listën e vendeve që torturojnë të huajt e vendeve të varfra. Për t‘u pajisur me vizë shqiptare, të huajve do t‘u kërkohet rezervimi i hotelit, bileta e kthimit, dokument punësimi, kontratë punësimi, vërtetim page, garanci financiare, të dhënat bankare, garanci nga pritësi, ftesë nga pritësi, sigurim jete në udhëtim, epikrizë, (në rast se udhëton për kujdes mjekësor në Shqipëri), para për të paguar koston e kujdesit shëndetësor, dokumentin, që provon veprimtarinë profesionale, tregtare në vendin përkatës, me të cilin lidhen motivet e vizitës etj. Mali me dokumente që do t‘u kërkohet të huajve si parakusht për t‘u pajisur me një vizë shqiptare, është po aq i lartë sa mali i dokumenteve që u kërkohen shqiptarëve për t‘u pajisur me vizë Shengen.