LAJMI I FUNDIT:

Të demokratizohemi apo të rebelohemi?

“Tre tipa njerëzish paraqesin fatkeqësi të mëdha: sundimtari që kur i bëhet mirë s’të lavdëron e kur gabon s’të falë; fqinji që kur sheh mirë hesht, e kur sheh keq të përgojon; gruaja e cila kur je pranë saj të shqetëson, e kur i mungon të tradhton….”

1. Demokratizimi i partive politike e demokratizon shoqërinë


Studimet e gjithanshme sociologjike, në pothuajse të gjitha vendet e tranzicionit kanë dëshmuar një fakt të paqenë deri më tani se: çdo vend postkomunist për t’u bërë një shtet i fortë dhe demokratik, patjetër duhet të demokratizohet. Dhe se ky proces i demokratizimit jo vetëm që është çelësi, por edhe kushti kryesor i futjes së atij vendi në aolën e konkurrencës dhe prosperitetit. Por, është po ashtu e ditur që këtij fenomeni të demokratizimit duhet t’i prijnë mu organizatat partiake apo subjektet politike në mënyrë që i njëjti proces të vijohet edhe në institucionet tjera sociale dhe sosh juridike, ekonomike e padyshim edhe sosh kulturore.

Ndryshe, letargjia, zhgënjimi, konformizmi, krimi korrupsioni dhe defektet tjera së bashku me gjitha anomalitë sistemore e institucionale që i kanë përcjellë këto shoqëri në periudhën e tranzicionit, janë të parë si të pa evitueshme dhe të pashmangshme. Së këndejmi, edhe procesit të demokratizimit të brendshëm të partive politike kosovare, duket se u ka ardhur koha kur ato duhet domosdoshmërisht ta rishqyrtojnë pozicionimin e tyre: ideologjikë, programor e para së gjithash atë statusor, mekanizëm ky shumë i rëndësishëm në rregullimin e raporteve mes instancave brenda partiake të një subjekti politikë.

2. Pse po lihet mënjanë demokratizimi i partive politike?

Në Kosovë, duket që shkaku i vetë natyrës specifike të ndërtimit të demokracisë dhe të shtetit, ky proces apo kjo çështje është lënë pasdore edhe për shkak se:

Një, kjo gjendje apo kjo status quo nëpër partitë aktuale politike, ka instaluar një grupim njerëzish (jo)meritor në hierarkitë e tyre partiake e sidomos qeveritare (partitë në pushtet). Pra ka instaluar një elitë, e cila i gëzon të gjitha privilegjet dhe të mirat e pushtetit, ku partia në fakt është identifikuar me vetë iniciuesit apo lidershipin, e jo me programin dhe ofertën qe realisht do të duhej të dal nga ai program për ta ndërtuar shtetin e Kosovës.

Dy, procesi i mbikëqyrjes së pavarësisë në fakt është një proces unik që akoma në sociologjinë politike s’është evidentuar si rast ku elitat vendore politike, apo lidershipi i atij vendi, së bashku me faktorët ndërkombëtarë tentojnë ndërtojnë kapacitetet e shtetësisë prej themelit. Situatë apo gjendje kjo që në instancë të fundit shumë lehtë mund të prodhojë elita të përjetshme politike, ashtu siç edhe po ndodhë në realitetin tonë kosovar, ku partitë dhe projektet e tyre partiake, ashtu u thënçin identifikohen jo me programin dhe ofertën e përpunuar programore, por me liderin dhe çka është edhe më e keqe me krahinën apo rajonin! Një rast ky për një analizë më të gjerë sociologjike…

Tre, është edhe një faktorë që kujtoj se është shumë i rëndësishëm që po e pengon procesin e demokratizimit të partive politike kosovar. E ai është faktori ndërkombëtar, i cili në këtë fazë akoma s’duket se është i interesuar ta fuqizojë demokratizimin e vendit, përmes ridefinimit të partive politike kosovare. Shkakun, natyrisht nga ata akoma se kemi dëgjuar, por vetvetiu duket që në agjendat e tyre më prioritet kanë raportet me Serbinë, pastaj serbët e veriut, privatizimi, si edhe tema tjera që për mendimin tim elitat aktuale politike s’po munden t’i imponojnë para tyre, edhe për shkak se ato (pozitë e opozitë?!) janë duke bërë garë se cila prej tyre më shumë po u hynë në hatër këtyre qendrave të vendosjes, në vend që të mendojnë për ripërtëritjen, demokratizimin e brendshëm, fuqizimin e ideve, programeve dhe njerëzve të rinj që kanë ide, dije dhe mundësi ta qojnë përpara Kosovën.

Publiku i gjerë kosovar, në të gjitha partitë politike sot është dëshmitarë i gjallë se në dekadën e fundit pothuajse të njëjtat fytyra politike janë duke u endur në skenën e gjerë politike. Njerëz këta që nuk zgjedhin mënyra për të qëndruar në postet apo vendet që i kanë zënë: disa me hipoteka të luftës, disa të paqes, por jo edhe të dijes, programit ofertës ideologjike apo ndonjë forme tjetër ashtu siç veprohet në të gjitha vendet që përjetuan ethet e tranzicionit dhe sidomos vendet me traditë të gjatë demokratike.

Çfarë duhet bërë pra? Meqë këta liderë aktual, pra partitë politike kosovar s’kanë as më të voglin interesim për të ndryshuar (lexo: këmbyer moralisht, nëse duhet të ketë moral në politikë?!) status quon e tyre privilegjuese me programe dhe oferta për mirëqenien e përgjithshme jo vetëm politike, por detyrimisht edhe status quon: sociale e padyshim edhe ekonomike të bashkëqytetarëve të tyre?

Themi kështu, shkaku se ndërrimi i strukturave partiake duke përfillur logjikën e demokratizimit të brendshëm, përmes mekanizmit: të dëshmisë dhe angazhimit jo vetëm në strukturat partiake, por edhe ato publike, pra sociale e ekonomike do të prodhonin pa mëdyshje njerëz të aftë kompetentë dhe të ndërgjegjshëm të cilët këto përgjegjësi do t’i avanconin me vizionet dhe programet e tyre të detajuar me ekipe të tëra ekspertësh.

Por, si të realizohet i gjithë ky projekt afatgjatë dhe padyshim i ndërgjegjshëm nga ata që i iniciojnë apo të paktën duhet t’i iniciojnë këto ndryshime brenda partiake?

3. Nëse nuk demokratizohemi a duhet mos të bindemi?

Mosbindja qytetare (civil disobedience) duket që shkaqeve të lartpërmendura duhet shtuar edhe një segment tjetër që në Kosovë që akoma nuk i ka marrë përmasat dhe rrjedhat e veta të natyrshme. Të natyrshme, në kuptimin që bëhet një armë e fuqishme për të quar deri në fund synimet sociale, ekonomike dhe kulturore të qytetarëve kosovar. Ai mekanizëm s’është diçka e re dhe e pa provuar në shoqëritë tjera më të avancuara, por që në Kosovë akoma s’ka hy në funksion. Fjala është për mosbindjen qytetare. Të shohim me çfarë kemi të bëjmë.

Në fakt, mosbindja qytetare është një përpjekje e një grupi njerëzish apo elitash (periferike akoma) të reja politike që kanë për qëllim ndryshimin e politikave të vjetruara: sociale, politike, ekonomike dhe sosh juridike me mjete paqësore, pra “mosnjohje e vetëdijshme e pushtetit tënd që ta ndryshosh atë apo e pushtetit të pushtuesit prej të cilit dëshiron të çlirohesh”, “lloj i luftës kundër legjitimitetit të pushtetit”. Këtu me këtë termë tipik sociologjikë që për herë të parë është përdorë në Amerikë nga Henry David Thoreau (1849), me qëllim të mbrojë mospagesën e taksave si protestë kundër mbështetjes së skllavërisë nga ish qeveria amerikane.

Një lloj përvoje në dukurinë e mosbindjes qytetare kosovarët e kanë qysh prej kohës së ushtrimit të diskriminimit dhe apartejdit të pushtetit serb në vitet ’90-ta, pra jo violencës e cila në fillim me mobilizimin e vetë racional dhe atë euforik, patë qenë shumë e suksesshme karshi regjimit serb, por që më vonë erdhi duke u atrofuar dhe duke u keqkuptuar edhe nga vetë iniciatorët, gjë që u pa në periudhat e viteve 1997/8 kur shqiptarët iu kthyen kodit të tyre identifikues të rebelimit të njëmendët që prodhoi luftën e vitit 1999.

Por, të shohim cilat kualitete, mund të prodhojë mekanizmi i mosbindjes qytetare në rastin dhe momentin në të cilin gjendet aktualisht Kosova, pra koha kur po provohet tashme të hiqet pengesa e mbikëqyrjes ndërkombëtare në këtë vit.

4. Çka nënkupton mosbindja qytetare?

Në fakt, koncepti i mosbindjes nënkupton një mënyrë të re të ndërgjegjësimit qytetar për rreziqet dhe padrejtësitë që ushtrohen në publik nga ana e pushteteve, çfarëdo qofshin ato, pra një momentum kur kuptohet se janë harxhuar të gjitha kredot dhe të gjitha metodat e tjera ligjore, përmes të cilave mund të arrihen rezultate të njëjta të avancimit të drejtave sociale qytetare të një vendi.

Kur jemi tek ky mekanizëm, duhet kuptuar që zakonisht lëvizjet qytetare që prodhojnë një mosbindje të mobilizuar qytetare, padyshim që nuk janë kundër sistemit në përgjithësi, por vetëm kundër instancave që dëshmohet se manipulojnë: me procesin zgjedhor: që abuzojnë me ekonominë (sidomos në vendet që gjenden në tranzicion); që korruptohen skajshmërisht; që pasurohen jo ligjërisht; që përhapin dhe përkrahin pa ose me vetëdije forma të sjelljeve kriminale dhe devijuese; pra, që nuk ushtrojnë detyrimet e tyre të kontrollit social mbi qytetarët e atij vendi.

Një eveniment që zakonisht e karakterizon mosbindjen qytetare pa dyshim që ka të bëjë me parimin apo kërkesën fondamentale të demokracisë se çdokush duhet të japë llogari për shkeljet dhe padrejtësitë, të ketë transparencë sa më të plotë në vendimmarrjet publike: të emërohen kompetentët për punët dhe administrimin të shteti: etj.

Ndonëse, në këtë vorbull të mosbindjes qytetare, mund të ketë edhe grupe të atilla që mund ta keqpërdorin fisnikërinë e idesë së rebelimit ndajë padrejtësive që u bëhen qytetarëve të vetë, prapëseprapë ideja e ushtrimit të mosbindjes qytetare nga shumica e sociologëve sot konsiderohet si diçka krejtësisht legjitime. Ajo kontestohet zakonisht nga grupet mafioze që kanë hyrë në politike (e që ne rastin e Kosovës dhe shumicës së vendeve në tranzicion janë evidente).

Mosbindja qytetare ndonëse ngandonjëherë (kur nuk arrin t’i formatizojë caqet e veta publike, shkaku i rezistencës nga ana e pushtetmbajtësve…) përdorë metodat që dalin jashtë kornizave ligjore, prapëseprapë ajo konsiderohet se iniciativë legjitime. Duhet cekur që mosbindjen qytetare shumica e demokracive të konsoliduara e kanë shijuar, andaj as Kosova s’do duhej bërë ndonjë përjashtim…

Një gjë është e sigurt, se asnjë nga subjektet aktuale nuk do të mund ta shihnin veten në proceset e mëpastajme edhe për shkak se mosbindja e ngjarë do të prodhojë përveç njerëzve e vizionit edhe ide të reja sociale e politike për vendin. Së këndejmi vërtitet pyetja: të demokratizohemi paqësisht apo të rebelohemi paqësisht? Unë padyshim që jam për ofertën e parë, por nuk e përjashtoj as opsionin e dytë, ngaqë oferta e parë e vonon demokracinë por në anën tjetër e konsolidon shtetin, gjersa oferta e dytë e vonon ndërtimin e shtetësisë, por e konsolidon demokracinë.