LAJMI I FUNDIT:

Taksisti i ndershëm

Taksisti i ndershëm

Turistja italiane, Felicia Lettieri (72-vjeçare) do ta mbajë mend sa të është gjallë vozitjen në taksin e Mukul Asaduzzaman (28-vjeçar) në New York.

Felicia gjatë festave të fundvitit kishte harruar çantën e saj në taksi, brenda së cilës ishte edhe portofoli me mbi 20.000 dollarë. Humbjen e çantës ajo e kishte lajmëruar në polici, e cila i kishte thënë se nuk duhet të shpresojë shumë në gjetjen e saj.

Taksisti i ri, student i mjekësisë, i lindur në Bangladesh, në taksi e kishte gjetur çantën e Felicias si dhe adresën e saj – kështu kishte vendosur të merrte rrugë deri në shtëpinë ku banonte ajo për t’ia kthyer atë.

Ka vozitur rreth 80 km, nga Long Island deri në Manhattan. Askush nuk ia kishte hapur derën. Taksisti i ndershëm, e kishte lënë aty numrin e telefonit, dhe ishte nisur drejt shtëpisë së tij.


Brenda një ore atë e kishte thirrur Felicia e lumtur, ndërsa ai është kthyer prapa. Siç raportojnë mediat amerikane, ai nuk kishte pranuar të merrte as shpërblimin e saj. /Telegrafi/