LAJMI I FUNDIT:

Studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” praktiken do ta kryejnë në Postë

Studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” praktiken do ta kryejnë në Postë

Posta e Kosovës dhe Universiteti “Haxhi Zeka” kanë nënshkruar të hënën në Pejë një marrëveshje mirëkuptimi nga e cila më së shumti përfitojnë studentët e këtij universiteti.

Kryeshefi Ekzekutiv Sejdi Hoxha dhe rektori Naser Mrasori sqaruan se kjo marrëveshje ju mundëson studentëve të kryejnë në Postë të gjitha llojet e pagesave që kanë të bëjnë me Universitetin me një provizion të ultë.

Kjo Marrëveshje Mirëkuptimi përfshin edhe ofrimin e mundësisë që studentë të Universitetit “Haxhi Zeka” të ndjekin mësimin praktik në Postën e Kosovës. Bashkëpunimi mes dy institucioneve përfshin edhe hapjen e ekspozitave me pulla postare në hapësirat e këtij Universiteti, etj.


Gjithashtu, Universiteti do të shfrytëzojë edhe shërbimin postar të Postës së Kosovës.
Duke e përgëzuar dhe falënderuar rektorin Mrasori për këtë marrëveshje, Kryeshefi Sejdi Hoxha u ka bërë thirrje të gjitha universiteteve publike dhe kolegjeve private në Kosovë që të ofrojnë lehtësira dhe kushte më të mira për studentë siç është mundësia që pagesat e ndryshme që kanë të bëjnë me universitetin t’i kryejnë me tarifat ose provizion sa më të ultë të mundshëm.

“Këtë e ofron Posta e Kosovës. Ju tashmë e dini se për këtë veprimtari të shërbimit financiar jemi licencuar nga BQK dhe jemi shumë të kënaqur që të gjithë qytetarëve ju kemi mundësuar të paguajnë të gjitha llojet e faturave, përfshirë edhe fatura që nuk kanë fare provizion siç janë ato për energjinë elektrike dhe ujin”, theksoi Hoxha.

Ai shtoi se Posta e Kosovës është ndërmarrje publike, pronë e qytetarëve të Kosovës, prandaj do të vazhdoj të punoj në interes të tyre përmes shërbimeve të lira dhe cilësore. /Telegrafi/