LAJMI I FUNDIT:

Statusi ligjor i iniciativës qytetare

Në Ligjin aktual për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, brenda nocionit subjekt politik, nënkuptohet partia politike, koalicioni i përbërë nga partitë politike, kandidati i pavarur dhe iniciativa qytetare.

Nga të gjithë këta “përbërës” të subjektit politik, një gjë që ka filluar të nxit diskutime është statusi ligjor i iniciativës qytetare.


Në nenin 19 të LZP thuhet se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e trajton nismën (iniciativën) si subjekt politik nga dita e certifikimit të saj deri me dorëzimin e raportit përfundimtar të Publikimit Financiar të Fushatës sipas nenit 40.2 të këtij ligji “.

Nga një palë zgjedhje tek tjetra, qoftë në nivelin lokal apo qendror, iniciativa qytetare ka filluar të bëhet interesante për të gjitha palët për të aplikuar në procesin e certifikimit, sepse procedurat administrative-teknike janë më të lehta dhe më të thjeshta për të garuar si subjekt zgjedhor, kurse mundësitë për t’u kualifikuar në institucionet e vendit janë të arritshme.

Një numër i iniciativave qytetare deri më tani janë treguar të suksesshme duke siguruar një numër të konsiderueshëm të ulëseve në Kuvendin e Kosovës (Lëvizja Vetëvendosje!) apo në riskun e ndarjes së votave me subjektet tjera politike kanë pasur rezultate të theksuara duke grumbulluar një numër të madh të votave në nivel vendi.

Statusi i iniciativës qytetare, e cila e ka rritur rolin dhe pjesëmarrjen e saj në procesin zgjedhor dhe pjesëmarrjen në institucione, ka nxjerrë në shesh disa probleme të natyrës ligjore lidhur me subjektivitetin e saj.

Përkufizimi nga nenin 19 i LZP duket se është tepër i ngushtë që të përcaktojë të drejtat dhe obligimet që ka iniciativa qytetare, sepse përgjegjësitë kanë ardhur me kohë duke u shtuar duke u tejkaluar korniza e veprimit ligjor. Me prezencën e tyre si forcë legjitime aktive, pozicioni i tyre në institucione u ka dhënë hapësirë në krijimin e raporteve me institucione tjera ekzekutive. Ndërsa, sa i përket mënyrës së përfaqësimit, e kanë ruajtur në vazhdimësi emrin e iniciativës qytetare duke u identifikuar kështu edhe si grup parlamentar.

Shtrohet pyetja: si do ta trajtonte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve një iniciativë qytetare e cila fiton ulëse në Kuvend ? Kë e përfaqësojnë deputetët që dalin nga ky subjekt politik?

Kjo situatë shikuar de fakto krijon një realitet të ri, ku iniciativa qytetare ia krijon një pozicion të pashkruar “juridik” vetes për realizimin e të drejtave dhe obligimeve me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Për shembull, si rezultat i shfrytëzimit të mjeteve nga Fondi, iniciativat qytetare nën firmën që e mbajnë dorëzojnë raport tre mujor dhe raport vjetor nga financimi publik, sanksionohet për mospërmbushjen e obligimeve, ndërsa në zgjedhjet qofshin lokale apo qendrore të të njëjtit nivel, nëse fiton së paku një (1) ulëse, a do të jetë e detyruar pas çdo aplikimi për certifikim të mbledh nënshkrime dhe të bëjë pagesë të përcaktuar me rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke aplikuar sërish me emrin të cilin ka aplikuar më parë.

Neni 15.8 i LZP që është ende në fuqi, një mundësi të lirimit nga pagesa dhe mbledhja e nënshkrimeve ia njeh partisë politike, por shprehimisht nuk e sqaron situatën në rastet kur iniciativa politike bëhet pjesë e institucioneve dhe merr atribute të “partisë” politike.

Në kuadër të draftimit të ligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme, në kapitullin ku i referohet procedurave për certifikimin e subjekteve politike, ku bën pjesë edhe iniciativa qytetare, do të ishte e rrugës të shqyrtohej statusi ligjor i çdo subjekti politik duke pasur parasysh mundësinë e përcaktimit të obligimeve që mund t’i ketë iniciativa qytetare, sidomos nga aspekti i organizmit, strukturës, e cila de facto mund të mos dallohet nga të qenët si parti politike.

Përkufizimi i iniciativës qytetare sipas nenit 19.1 në variantin e tillë ligjor mbetet i diskutueshëm, me çka para se të përmbyllej reforma në legjislacionin zgjedhor, do të ishte mirë të qartësohej statusi i saj ligjor, sepse trajtimi si subjekt politik nuk do të mund të përfundojë me dorëzim të raportit përfundimtar të Publikimit Financiar të Fushatës, i cili zakonisht dorëzohet në afat ligjor prej dyzet e pesë ditësh pas ditës së zgjedhjeve.