LAJMI I FUNDIT:

Sot votohet për Kosovën në Bankën Botërore

Sot votohet për Kosovën në Bankën Botërore

Sot duhet të përfundojë votimi për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore, duke e rrumbullakësuar kështu një proces formal i cili filloi tash gati një vit pas aplikimit e që do të zyrtarizohet me një votë nga ana e Guvernatorëve të Bankës.

Kusht për anëtarësim në Bankën Botërore ishte edhe anëtarësimi paraprak në Fondin Monetar Ndërkombëtar, ndërsa një kusht tjetër qe edhe miratimi nga Kuvendi i Kosovës i ligjit për anëtarësimin e Kosovës në Fondin
Monetar Ndërkombëtar dhe në Organizatat e Grupit të Bankës Botërore.

Anëtarësimi në Bankën Botërore do të përfshijë edhe organizmat e tjerë që janë në Bankën Botërore, si Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe
Zhvillim, Shoqatën për Zhvillim Ndërkombëtar e të tjera.

Ashtu si edhe në FMN, anëtarësimi Bankën Botërore nuk kushtëzohet me anëtarësim paraprak në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, mirëpo e ndihmon mjaft shumë hapjen e mëtejme të rrugës së Kosovës për anëtarësim në të gjithë mekanizmat relevantë ndërkombëtarë.


Një zyrtar i Bankës Botërore në Washington tha për RTK-në se është pothuajse i sigurt anëtarësimi i Kosovës, ndërsa nuk mundi të precizonte se kur do të jepet lajmi zyrtar.

Ai shtoi se një anëtar i ri në Bankën Botërore pranohet me shumicë votash nga ana e Guvernatorëve, ndërkaq fuqinë votuese me shumicë në Bankën Botërore, ashtu si edhe në FMN, e kanë vendet perëndimore, shumica e të cilave edhe e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Banka Botërore është krijuar në dhjetor të vitit 1945 dhe ashtu siç e thotë edhe emri i saj, ajo është një bankë ndërkombëtare që ofron ndihmë financiare dhe teknike vendeve në zhvillim dhe si mision të saj të deklaruar ka zvogëlimin e varfërisë. /rtk/