LAJMI I FUNDIT:

Sociali i pamjaftueshëm, fëmijët e familjes shtatë anëtarëshe mbesin shpesh pa ushqim

Sociali i pamjaftueshëm, fëmijët e familjes shtatë anëtarëshe mbesin shpesh pa ushqim
Foto: Ilustrim

Sofrat e familjeve të varfëra po thuajse janë boshe, por jo edhe hallet. Ata bien e zgjohen me lutjet për një jetë më të mirë dhe që të arrijnë të sigurojnë kafshatën e gojës. Asistenca sociale që ofrohet nga shteti nuk po u mjafton as për gjërat më bazike.

Nga jeta e vështirë ata po gëzojnë shëndet të ligë, për çka shumë nga ndihmat që marrin u duhet t’i shpenzojnë për barna. Vlerësohet se shteti duhet të rrisë buxhetin për skemat sociale, meqë është vështirë të sigurohet ushqimi në këtë periudhë. Ndërkaq, neutricistja Drita Peqani shprehet se shporta e varfër ndikon edhe në rrezikshmërinë për sëmundje.


Shtatë anëtarët e familjes Sopjani jetojnë me më pak se 200 euro në muaj. Të ardhurat nga ndihma sociale nuk po u mjaftojnë as për barna, ndërkaq ushqimi mbetet dytësor.

I zoti i shtëpisë, Mahmuti, 72-vjeçar që nuk jeton shumë larg qendrës së Prishtinës, rrëfen vështirësitë për jetesë, kushtet e vështira dhe pamundësitë për të siguruar të ardhura. Ai i kërkon qeverisë që të rrisë ndihmat sociale.

“Jam me social. Jetoj me familje. As s’kemi pas ndihma për dru për dimër, ftohtë ka qenë, as nxehje s’kemi pas. Ushqim po ashtu shumë pak. Fëmija e vogël nuk kanë qumësht, s’kanë ushqim të mjaftueshëm e as veshmbathje. Rrallë ndonjëherë blejmë patate, makarona ose supë ndonjëherë edhe bukë. Mish e djathë nuk na bjen me ble kurrë hiç, ato janë shtrenjtë. Për shtatë anëtarë të familjes më pak se 200 euro, nuk mundet me ekzistu. As nuk punojmë. Më shumë blejmë barna se ushqime. Mishra s’ka mundësi me ble hiç”, rrëfen Sopjani.

“Mjeku thotë me ble e mu ushqyer mirë, por s’ka para Ushqimi i dobët, njerëzit e dobët. Për fëmijë s’po arrijmë asgjë me ble, s’ka para. Po zhvillohen më dobët pa ushqim fëmija. Qeverisë i kërkojmë t’i rrisë ndihmat sociale. Ka pas rast kur s’kemi pas me ngrënë asgjë. Veç tu ble barna paret shkojnë. Kanë kaluar vite që s’dimë çfarë është mishi, as djathë as asgjë. Kemi prit prej qeverisë të na rrisë pak ndihmat. Kemi kërkuar ndihmë por deri tash nuk kemi has në përkrahje”, shton ai.

Nuk janë të rralla rastet kur Mahmuti nga Kolovica bashkë me bashkëshorten e fëmijët bien për të fjetur pa ngrënë asgjë.

Për rrezikun e kequshqyerjes flet nutricistja, Drita Peqani, e cila thotë se një shportë e varfër, rrezikon shëndetin e familjarëve.

“Rrezikshmëria për mos-ushqyeshmerinë të rregullt dhe adekuate, mosushqyeshmëri të shëndetshme është mjaft e madhe, për arsyeje se ushqimi i njeriut duhet të përmbajë elemente të ndryshme, makroelemente, proteina e karbohidrate, yndyra, fibra dhe mikroelemente që janë, vitaminat, mineralet, e uji. Pra, këto janë produkte, të cilat duhet t’i marrin përmes ushqimit. Nëse një shportë është e varfër e një familje, atëherë këto nuk ka mundësi t’i marrë, e gjithashtu rrezikohet, sepse këto shërbejnë për mirëmbajtje të shëndetit, për zhvillim, për ruajtje nga sëmundjet e ndryshme kardiovaskulare”, theksoi Peqani.

“Proteinat e ruajnë organizimin nga sëmundjet e ndryshme, si ato të trurit, kardiovaskulare, pastaj nga sëmundjet e ndryshme reumatike. Nëse nuk i arrin vlerat e caktuara nutritive, atëherë rrezikshmëria e paraqitjes së sëmundjeve është mjaft e madhe. Gjitha këto mund t’i marrim përmes mishit, vezëve, djathit e kurrsesi të mos përdorim elemente, makroelemente që nevojiten për ushqyeshmerinë e të konservua dhe sintetike që janë mjaftë të dëmshme”, shton ajo.

Varësisht nga standardi i një familje diktohet edhe mënyra e ushqyeshmerisë, thotë Peqani që sipas saj, personat që ushqehen jo-shëndetshëm janë më të rrezikuar nga sëmundje të ndryshme.

“Personat, të cilët ushqehen me ushqime bio apo më të natyrshme dhe marrin sasi të caktuar apo të nevojshme karbohidrateve, proteinave dhe kalorive me këto ushqime, atëherë janë më pak të rrezikuar nga sëmundjet e ndryshme, si ato kardiovaskulare, të mushkërive, reumatike, gjitha sëmundjet janë më pak të rrezikuara nga të gjitha sëmundjet, ndërsa personat që nuk kanë mundësi të ushqehen mirë, shëndetshëm, janë më të rrezikuar. Kështu, së paku dy deri në tri herë në javë duhet të përdoret mishi, vezët, djathi, ndërsa produktet e qumështit mund t’i përdorim çdo ditë. Varësisht nga standardi i një familje, atëherë edhe ju diktohet edhe mënyra e ushqyeshmerisë, anojnë nga ushqimet më të lira, mirëpo jo të shëndetshme, për këtë duhet pas kujdes, për të ruajtur shëndetin”, tregon peqani, derisa këshillon të kenë kujdes në ushqim, por për këtë pohon se ka kosto më të shtrenjtë.

Ndërkaq, për vështirësitë e familjeve me asistencë sociale, flet njohësi i ekonomisë, Nagip Skënderi. Ai thekson se këto familje në këtë periudhë, mezi po arrijnë të sigurojnë ushqimin.

“Meqenëse në këtë periudhë kemi një vështirësim të jetës sociale dhe ekonomike, edhe familjet, të cilët kanë të punësuar po përballen me këto vështirësi për të realizuar shportën e konsumatorit tyre në përpikëri, natyrisht se familjet, të cilat janë në skemë sociale, ato që janë të varfra e nuk kanë asnjë të punësuar dhe ata të cilët janë me asistenca sociale, e kanë shumë të vështirë të përballojnë, sepse jo që nuk flitet për produktet që janë si mishi ose çështje tjera te luksit, s’munden t’i arrijnë, por edhe me produktet më elementare, duke filluar nga uji, buka, qumështi, janë produkte që ata mezi ja arrijnë t’i mbulojnë në jetën e tyre”, thotë Skënderi.

Ai kërkoi nga institucionet që të ngrisin të ardhurat për këto familje, të cilat janë në mëshirë të shtetit.

“Duke pas parasysh që edhe institucionet e shtetit, të cilat mirëmbajnë këto familje nuk janë në gjendje t’i ngrisin të ardhurat, të cilat do t’ju jepnin këtyre familjeve për të përmirësuar jetën e vështirë sociale që ata kanë, tash pothuajse ndihma sociale kanë arritur formën e lëmoshës sociale dhe në këtë kontekst familjet jetojnë nga lëmoshat sociale dhe nuk kanë ndonjë barrë, e cila do të mundte së paku pagën minimale ta arrijë në Kosovë për të mbijetuar ekonomikisht. Dhe nëse aprovohet Ligji për Pagën Minimale, konsideroj se në kuadër të pagës minimale do të duhej të jetë e ekuiliburuar edhe asistenca sociale për familjet të cilat janë në nevojë dhe në këtë kontekst ata marrin së paku pagën minimale për mbijetesë”, shton ai.

Ndryshe, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka njoftuar se gjatë muajit prill të këtij viti, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 21 mijë e 127 familje me gjithsej 83 mijë e 811 anëtarë dhe nga skema për mbështetje materiale e familjeve që kanë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 3 mijë e 54 familje. /KP/