LAJMI I FUNDIT:

Sjellja jo shtetërore

Karakteristikë e institucioneve të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë është sjellja e tyre jo shtetërore. Sjellja e tyre është nënshtruese para strukturave ilegale serbe dhe mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë. Para datës së 17 shkurtit 2008, të ashtuquajtura Institucionet të Përkohshme të Vetëqeverisëse në Kosovës nuk ishin institucione qeverisëse, por as shoqëri civile. Pra ishin tërësisht të shkëputura nga populli dhe vullneti politik i tij.

Pas 17 shkurtit 2008 institucionet e Kosovës tani ngjajnë më shumë në institucione joqeveritare dhe më pak në institucione qeverisëse. Më shtetërore janë sjelljet e EULEX-it e të ICO-së se ato të Qeverisë së Kosovës. Dhe më presidenciale janë veprimet e shefave të ambasadave të akredituar në Kosovë, sesa ato të Presidentit të Kosovës.


Absurd tjetër është që mekanizmat e huaj sjelljet e tyre shtetërore i bëjnë vetëm kundrejt shqiptarëve, por jo edhe ndaj serbëve. U bënë më shumë së dy vite nga shpallja e pavarësisë dhe institucionet e Kosovës nuk po tregohen të zonja që ta shtrijnë juridiksionin e tyre në tërë territorin e Kosovën. Populli thotë “kur nuk bëhesh zot në shtëpinë tënde, zot të bëhet i huaji”.

UNMIK-ku gjatë qeverisjes neokolonialiste në Kosovën ka zbatuar standarde te dyfishta ne kurriz të shqiptarëve. Janë lejuar strukturat ilegale serbe të konsolidohen e të funksionojnë, dhe nuk është bërë arrestimi i serbëve për krime gjatë dhe pas luftës. Në anën tjetër, ka ndjekë një fushat të egër kundër ish ushtareve të UÇK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje!

Rrugën e UNMIK-ut po e vazhdon EULEX-i. Ky mision do të fabrikojë fakte kundër çdo individi apo organizate që përpiqet ta ndryshojë rrjedhën e kursit politik negativ. Këto veprime shtypëse kanë për qëllim që Kosovën të shndërrojnë në një vend me popull pasiv dhe krejtësisht apatik karshi rreziqeve të mëdha që e kanosin atë. Strukturat ilegale serbe të përkrahura nga Beogradi veprojnë fuqishëm prej vitit 1999, në 25% të territorit të Kosovës. Komuniteti pakicë serb ka mekanizmat paralelë që nga siguria deri të arsimi e kultura. Fatkeqësisht, më sovrane janë mekanizmat serbë në Kosovë aty ku veprojnë sesa institucionet e Kosovës, ngase këto të fundit kanë në qafë një serë mekanizmash ndërkombëtarë me fuqi ekzekutive.

Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës shkelet nga strukturat ilegale dhe Serbia në shumë mënyra. Janë të shumta rastet që zyrtarë të lartë të shtetit serb hyjnë në Kosovë pa i përfillë procedurat ligjore të shtetit së Kosovës. Këta politikanë serbë futen në Kosovë dhe përçojnë porosi shoviniste pa pyetur kënd dhe duke shpërfillur shtetin e Kosovës. Këto porosi na kujton ato të Millosheviqit në fund të viteve 80-ta.

Institucionet e Kosovës në vend që t’i ndalojnë këto vizita antishqiptare, ato disi i arsyetojnë duke thënë së janë vizita private. Këto arsyetime ofendojnë rënd inteligjencën dhe vullnetin e popullit te Kosovës.
Shtrohet pyetja – si mund të jetë private një vizitë e një zyrtari të lartë serb, kur ai publikisht deklaron se Kosova është “djepi i Serbisë” ? Dhe përveç kësaj inkurajon serbët te vazhdojnë më sabotimin e institucioneve të Kosovës. Politikanët po gënjejnë sikur populli të mos e dinte se ç’është privatësia.

Vizitat e fundit, të papenguara si zakonisht, të ultranacionalistëve serbë Tomislav Nikoliq, Vojsllav Koshtunica e të tjerë, treguan që institucionet e Kosovës nuk kanë vullnetin politik që ta mbrojnë sovranitetin e Kosovës. Ajo qe ia shton dëshpërimin dhe pezmin popullit të Kosovës është sigurimi serb që e shoqëron çdo zyrtarë të Serbisë. Këta trupa të sigurimit serb, të armatosur e të uniformuar si në kohën e luftës po e shkelin Kosovën në pikë të ditës, para mekanizmave ndërkombëtarë e vendës të sigurisë. KFOR-i, EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës nuk e brengosën që dikush vjen nga një shtet armik më një grup njerëzish të armatosur dhe hyn në vendin tonë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, minimizon veprimet e shtetit serb, duke thënë në Kuvend se nuk paska agresion kundër Kosovës. Çdo shtet normal do të arrestonte zyrtarin e një shteti tjetër i cili hyn pa pyet askënd dhe, madje nxit konflikt të ri, mos të flasim për trupat e armatosura të sigurimit që e shoqërojnë atë. Një mënyrë tjetër e shkeljes se sovranitetit të Kosovës bëhet edhe nga hyrjet e herëpashershme të xhandarmërisë serbe në veri të Kosovës. Këto hyrje rrezikojnë në masë të madhe popullatën shqiptare të veriut edhe ashtu te rrezikuar nga serbë të armatosur brenda Kosovës.

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës, nuk duhet të qëndrojnë dhe të patrullojnë në Prishtinë, aq më pak të merren më demonstrues paqësorë, ato duhet të vendosën në pjesën veriore të Kosovës dhe të patrullojnë sistematikisht. Nuk duhet llogaritur shumë në KFOR-in, ka raste kur KFOR-i nuk ka mbrojtur shqiptarët e Kosovës.

Sovranitetit i Kosovës cenohet edhe nëpërmjet organizimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë. Serbët rregullisht kanë mbajtur zgjedhje të organizuar nga Serbia dhe të pa penguar nga institucionet e Kosovës.

Më 30 maj të këtij viti, janë paralajmëruar zgjedhjet lokale serbe në veri të Kosovës. Institucionet e Kosovës si çdo herë dhanë deklarata krejtësisht të thata dhe aspak shtetërore. Ato thanë se këto zgjedhje janë të papranueshme dhe si të tilla janë ilegale. Sjellje shtetërore do të ishte sikur institucionet e Kosovës ta pamundësojë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, duke përdorur mekanizmat shtetërorë. Më mospajtime e dënime deklarative nuk mbrohet shteti. Duhet veprime konkrete e serioze.

Një sjellje jo shtetërore e institucioneve të Kosovës vërehet edhe në pikat doganore me Serbinë. Mallrat serbe futën në Kosovë pa u doganuar, duke dëmtuar rendë kështu ekonominë dhe prodhimin vendës. Sipas eksperteve ekonomikë, dëmet që shkaktojnë këto mallra janë shumëmilionëshe. Ndërkaq fitimet e Serbisë janë po ashtu milionëshe.

Mallrat serbe, përveç që janë të dëmshme për ekonominë e vendit tonë, ato janë dëmshme edhe për shëndetin e popullit tonë. Bojkotimi institucional e popullor i mallrave serbe, e kjo thotë rritja e konsumimit të mallrave shqiptare, do të gjeneronte vende te reja pune, bizneset vendëse do të zhvilloheshin, kurse cilësia e prodhimeve të tyre do të rritej.

(Autori është politolog)