LAJMI I FUNDIT:

Sistemi zgjedhor, sfida e radhës

A po ndryshohet sistemi zgjedhor në Kosovë? Në këtë rast do të shtohej pyetja se çfarë sistemi do t’i përshtatej më mirë Kosovës dhe përse duhet të ndryshojë sistemi zgjedhor?

Para se të mundohemi të japim përgjigje meritore në këto pyetje duhet të kemi të qartë disa çështje:


Së pari, se nuk ka sistem zgjedhor i cili mund të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, në rast se nuk ekziston vullneti për të arritur standardet e zgjedhjeve demokratike. Prandaj duke pyetur veten se a kemi këtë vullnet, a e kanë këtë partitë tona Politike, të gjithë procesin e ndryshimit e vëmë në dilemë.

Së dyti, se para se të bëhen ndryshimet duhet bërë një analizë se si kanë shkuar zgjedhjet e kaluara dhe se ku kanë qenë defektet e sistemit. A e kemi bërë këtë analizë dhe a ka pasur mjaft debat për këtë.

Njëri ndër problemet që u identifikua në zgjedhjet e fundit ishte çështja e listave, numri i madh i personave të vdekur në lista, probleme që kishin të bëjnë me identifikimin e zgjedhësve, problemet me mbushjen e kutive të votimit me fletëvotime dhe plotësimi i listave nga komisioneret që si përfundim kishte një dalje masovike në zgjedhje në disa vendvotime, nga kjo edhe rezultoi me përsëritjen e zgjedhjeve në ato vendvotime dhe lëndimi serioz i procesit. Pra problem ishin Listat zgjedhore, freskimi i listave dhe keqpërdorimi i detyrës nga komisionarët.

Problem tjetër ishte dyshimet se fletëvotimet ishin mbushur paraprakisht, qasja në fletëvotimeve para fillimit te procesit të votimit, që implikon nivelin e sigurisë së fletëvotimeve, procesin e prodhimit të tyre dhe shpërndarjes. Mandej problem tjetër ishte procesi i votimit, votimi familjar, votimi për personat e trete, asistimet gjatë votimit dhe presionet gjatë procesit të votimit.

Problem tjetër ishte procesi i numërimit, dhe procesi i regjistrimit në formularët përcjellës. Sipas proceseve gjyqësore aty u bën manipulimet me të mëdha duke numëruar mire, por duke mos plotësuar realisht formularët përcjellëse apo edhe ndryshuar ata. Mandej problem në vete ishte votimi me kusht dhe votimi përmes postes. Nga këto mund të konstatojmë se manipulimi i procesit zgjedhor assesi nuk ndërlidhet me sistemin zgjedhor.

Së treti, se cilat kanë qenë efektet e ndryshimeve të fundit te Ligjit për zgjedhjet para zgjedhjeve të fundit dhe cili ka qenë kontributi i partive kryesore ( PDK, LDK, AAK, AKR, LDD) për këto ndryshime. Aprovimi i Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit NR.03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, i cili rregullonte kompetencat e KZAP-it apo riemërimi në PZAP-it edhe kompetencat në mes PZAP-it dhe KQZ-së dhe elementi i dytë që është bërë ishte vota për pesë kandidat, i cili ka mënjanuar votën e partisë drejt udhëheqësit.

A e ndihmuan procesin e zgjedhjeve ato ndryshime apo vetëm e vështirësuan. Duket se bërja e KZAP-së dhe PZAP-së nuk ka dhënë efektet e pritura e veçanërisht dihet që si rezultat i ndryshimit të dytë erdhi deri te vjedhja madhore e votave në mes të kandidateve të Partisë ose Koalicionit të njëjte, që ishte e paparë, kishte përmasa të krimit. Prandaj mund te themi se më së paku janë nevojitur ndryshimet e cekura , e posaçërisht mundësia për të votuar për 5 kandidat brenda listës.

Të gjitha këto tregojnë se kjo çështje është komplekse prandaj duhet pasur kujdes që edhe ndryshimet në proces te mos prodhojnë efekte jo te kënaqshme.

Cili është alternativa?

Kosova nuk ka asnjë arsye të qëndrueshme të mos vazhdoj të ketë një zonë zgjedhore për zgjedhjet Kombëtare. Nuk ka nevojë të eksperimentohet në këtë aspekt, por nëse vendoset për shumë zona atëherë duhet të ketë 37 zona zgjedhore. Regjionalizimi nuk ka asnjë arsyeshmëri.

Ndryshimi i sistemit zgjedhor duhet të imponoj cilësi të re në Kuvendin e Kosovës ndërsa me këtë ndryshim (regjionalizimi) rrezikohet që impakti të mund të jetë negativ. Ndoshta ky ndryshim do të merr edhe përmasa politike, prandaj Kosovës i duhet ende sistemi zgjedhor proporcional, me një zonë zgjedhore, me president të zgjedhur direkt dhe me kryetarë komunash të zgjedhur nga vota direkte.

Sistemi proporcional ka përparësi, sepse mundëson pjesëmarrjen në procesin zgjedhor jo vetëm të partive të mëdha politike, por edhe partive më të vogla, është më demokratik edhe pse mund të vështirëson procesin pjesëmarrja e shumë partive apo grupeve në zgjedhje, kjo e bënë atë më të larmishëm dhe më atraktive.

Cilat janë defektet e këtij sistemi të përdorur deri tani?

Defekti kryesor është se ky sistem krijon mundësin që ndonjë Komunë te mos përfaqësohet ne Kuvendin Kosovës, kjo e vërtet mundet shumë lehte të evitohet, duke përdorur një sistem të çelësit, sikur te përfaqësimi gjinor ku bëhet përfaqësimi 30%. Krijohet një çelës, ku Komunat radhiten sipas numri të votuesve për të siguruar përfaqësimin minimal, psh, Prishtina të ketë 10 deputetë minimalisht, Ferizaj 5, Kaçaniku 2 dhe Komunat më të vogla nga 1 Deputet. Nëse nuk plotësohet ky përfaqësim me sistemin e votave të fituara drejtpërdrejt atëherë kandidati që ka fituar më së shumti vota nga ajo Komunë zgjidhet Deputet.

Me këtë përfundon dhe nuk ka nevojë të ndërrohet krejt sistemi i cili mund të sjell shumë të panjohura dhe sigurisht do të përsërit mundësin që Komunat e vogla të mbesin pa përfaqësimin në Kuvendin e Kosovës.

Duhet ruajtur sistemin e votimit me lista të hapura, por ajo çka duhet bërë gjithsesi është të largohet mundësia e votimit për 5 kandidat brenda listës, kjo ishte faqja e zezë e zgjedhjeve të fundit prandaj nuk duhet asnjëherë votuesi të ketë mundësi për të votuar për 2 apo me shumë kandidat.