LAJMI I FUNDIT:

Sindikatat kujtojnë grevat e përgjithshme

Sindikatat kujtojnë grevat e përgjithshme

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, që nga themelimi i saj në vitin 1990, është angazhuar për mbrojtjen e të drejtave sindikale të punëtorëve përmes protestave, grevave, dhe bojkotimeve të shumta. Por greva më e madhe në historinë e BSPK-së është ajo e 3 shatorit të vitit 1990, tha kreu i BSPK-së, Haxhi Arifi.

“Greva e përgjithshme e 3 shtatorit 1990, ishte manifestimi më i fuqishëm i kërkesave të punëtorëve për mbrojtjen e të drejtave sindikale në Kosovë dhe një lloj referendumi për liri e pavarësi”. Kështu thanë drejtues aktual dhe ish drejtues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në një konferencë për media, në 19 vjetorin e grevës.

“Ajo ishte një manifestim i fuqishëm i kërkesës unanime të punëtorëve të Kosovës për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive sindikale dhe shprehje e protestës energjike kundër politikës anti- punëtore dhe antikombëtare të pushtetit ushtarako-policor të Serbisë, kundër diskriminimit brutal etnik e social. Greva ishte një lloj referendumi i punëtorëve dhe i qytetarëve të Kosovës për liri e pavarësi”, tha Arifi.

Kërkesat e atëhershme të grevistëve ishin për kthimin e punëtorëve në vendet e tyre të punës, heqjen e masave të dhunshme, respektimi i të drejtave sindikale në përputhje me konventat ndërkombëtare etj. Pavarësisht se nuk mori mbështetje politike, dhe vlerësimet ishin të ndryshme, greva ishte e suksesshme dhe BSPK-ja dëshmoi se ishte organizatë serioze, tha kryetari i parë sindikalist, Hajrullah Gorani.