LAJMI I FUNDIT:

Si u prek Shqipëria nga pandemia e gripit të Hong Kongut më 1970 – për dy muaj u sëmurën 492 mijë persona

Si u prek Shqipëria nga pandemia e gripit të Hong Kongut më 1970 – për dy muaj u sëmurën 492 mijë persona
Foto: Ilustrim

Gripi i Hong Kongut i njohur edhe si pandemia e vitit 1968 ishte një pandemi që shpërtheu në mbarë botën në vitin 1968 dhe 1969 dhe u shtri edhe në vitin 1970. Vlerësohet se nga ky shpërthim humbën jetën deri në 4 milionë persona në mbarë botën.

Katër muaj pasi kishte shpërthyer gripi, mikrobiologu amerikan Maurice Hilleman dhe skuadra e tij krijuan vaksinën dhe më shumë se 9 milionë doza u prodhuan. Virusi H3N2 u rikthye në sezonin dimëror 1969–1970 dhe rezultoi me një valë të dytë më vdekjeprurëse për Evropën, Japoninë e Australinë. Ky virus qarkullon ende në ditët e sotme në formën e gripit sezonal. Simptomat e gripit zakonisht zgjasnin 4-5 ditë por në disa javë zgjasnin deri në 2 javë.


Shqipëria ndodhej në atmosferën festive të Vitit të Ri 1970 kur konfirmoi rastet e para të prezencës së gripit të Hong-Kongut në disa qytete të Shqipërisë.

Dokumentet që ndodhen në Arkiven e Shtetit shqiptar hedhin më shumë dritë për atë që ka ndodhur në vitin 1970.

Me 29 dhjetor të vitit 1969, ministri i Shëndetësisë, Çiril Postoli i dërgon shkresë zyrtare numrit dy të kabinetit qeveritar, Adil Çarcanit duke konfirmuar në Shqipëri ardhjen zyrtare të virusit të gripit të emërtuar A2 Hong-Kong 68.

Instituti i Higjienës dhe Epidemiologjisë kishte konfirmuar dy persona të sëmurë me grip që kishin pasur kontakte me një person të sëmurë të ardhur nga Jugosllavia. Më pas, u konstatuan 3 raste në Tiranë, të cilët kishin infektuar 31 persona të tjerë. Në Vlorë një person kishte infektuar 11 pjesëtarë të familjes e fisit ndërsa në Durrës ishin konfirmuar pozitivë me virus disa marinarë në 3 anije shqiptare që kishin ardhur nga portet e huaja.

“Të dhënat laboratorike dhe epidemiologjike të përmendura më lart flasin për atë që gripi i shkaktuar nga virusi A2 Hong-Kong 68 është futur në vendin tonë”, thuhet në letrën e ministrit Postoli.

Kjo shkresë, iu dërgua për dijeni edhe ministrit të Brendshëm e si rrjedhojë, periudha e festës karakterizohet nga një serë lëvizjesh mobilizuese të strukturave shëndetësore shqiptare, që ende nuk e dinin se me çfarë do të përballeshin brenda pak ditësh.

Brenda pak ditësh, gripi nis të marrë përmasa kolosale. Në një radiogram të datës 5 janar 1970 drejtuar komiteteve ekzekutive të rretheve dhe strukturave shëndetësore, Këshilli i Ministrave konfirmon zyrtarisht se vendi ndodhet përballë një epidemie gripi dhe se për të përballuar një gjendje të tillë, të gjitha poliklinikat duhej të kishin në dispozicion mjetet e transportit me qëllim që mjekët të ofronin shërbimin në banesë për të sëmurët.

Me 9 janar të vitit 1970, Drejtoria e Higjenës dhe Epidemiologjisë konfirmoi se në Shqipëri ishin zyrtarisht 47 mijë e 982 raste me grip.

Brenda pak ditësh, me 25 janar 1970, gripi mori përhapje edhe më të madhe duke u rritur në një shkallë të frikshme sa i përket numrave.

Brenda pak ditësh, në janarin e vitit 1970, gripi u shtri në të gjithë Shqipërinë, duke e bërë të pamundur mbajtjen nën kontroll të infektimeve por vetëm menaxhimin e situatës përmes ofrimit të trajtimit mjekësor.

Në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu evidentohet se numri i infektimeve kishte shkuar në 342 mijë e 128 raste.

“Epidemia e gripit është shtrirë në të gjithë rrethet e Republikës duke arritur me datë 25 janar 1970 shifrën prej 342 mijë e 128 raste ose 16.5 për qind të popullatës. Në të gjitha rrethet janë marrë analiza për të përcaktuar shkaktarin e epidemisë. Në 18 analiza të marra në rrethet Tiranë, Vlorë, Fier, Shkodër është përcaktuar virusi i gripit të tipit A2 Hong Kong 68. Në rrethet ku epidemia ka filluar më shpejt, ajo ka filluar të bjerë si në Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Berat, Fier, Lushnje, Sarandë, Shkodër, Tepelenë, etj. Tani gripi ka hyrë në fshat. Rrethet në të cilat epidemia ka pasur një intensitet më të lartë janë Tepelena, ku u sëmurën nga gripi janë 57 për qind e popullatës, Gjirokastra me 27.8 për qind, Tirana me 24.4 për qind, Vlora me 21.9 për qind, Kruja me 22.1 për qind, Skrapari me 20.9 për qind, Durrësi me 18.7 për qind, Berati me 17.6 për qind. Kryesisht janë prekur moshat mbi 15 vjeç me 65 për qind të rasteve. Sëmundja në vetvete është paraqitur me format e mesme e në shumë raste në forma të rënda. Të sëmurët me grip të thjeshtë i fitojnë aftësitë për punë pas 5-7 ditësh ndërsa ata me komplikacione pas 3-4 javësh. Vdekjet sipas të dhënave operative që nga fillimi i epidemisë kanë arritur në 355 ose 0.1 për qind në raport me morbozitetin; prej tyre 79 kanë ndodhur në fëmijë të moshës 0-1 vjeç dhe 206 në moshën mbi 60- vjeç”, evidentohet në shkresën e Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar Shehut.

Historia e gripit të Hong Kongut që ua kishte marrë jetën miliona njerëzve - por dallonte për një gjë nga COVID-19
Lexo po ashtu Historia e gripit të Hong Kongut që ua kishte marrë jetën miliona njerëzve - por dallonte për një gjë nga COVID-19

Për përballimin e epidemisë së gripit iu kushtua një vëmendje e veçantë propagandës shëndetësore përmes fletushkave informuese, pllakatave, shytpit e radio-televizionit. Në periudhën 14-22 janar në 11 rrethe të vendit u dërguan 170 studentë të Fakultetit të Mjekësisë për të përballuar volumin e madh të punës.

Në funksion të kësaj beteje mjekësore, 2 mijë e 335 nxënës u vunë në shërbim të epidemisë. Krahas mobilizimit të stafeve mjekësore dhe struktuarve të tjera shtetërore, spitalet e vendit boshatisën repartee të ndryshme si kirurgjia, patologjia, sëmundjeve të lëkurës etj në funksion të shtrimit, kryesisht të fëmijëve 0-1 vjeç.

Epidemia e gripit nisi të marrë një kthesë të fortë në fundin e janarit të vitit 1970. Ndryshe nga më parë që ishte përhapur kryesisht në qytete, tashmë gripi po adresohej agresivisht në fshatrat e vendit. Shqetësimi që shprehet nga ministria e shëndetësisë është mungesa e të dhënave statistikore që nuk janë të plota.

Po ashtu, një problematikë tjetër është se shumë poliklinika nuk kishin marrë mjetet e transportit nga ndërmarrjet e tjera sikurse parashikohej në plan, e në disa raste ishin konstatuar fshatarë të sëmurë që shkonin në poliklinika në gjendje të rënduar me mjete si karroca e kafshë.

Ministria e Shëndetësisë kërkonte që të prekej rezerva shtetërore e barnave. Nevojat ishin 5 mijë kilogramë aspirina, 1 milionë flakonë penicilinë, 500 kilogramë tetraciklinë e deri edhe 50 kilogramë opium.

Menjëherë pas kësaj shkrese, kryeministri njofton pezullimin e të gjitha aksioneve masive, si masë për të parandlauar përhapjen e mëtejshme të gripit.

Fillimi i muajit shkurt shënon një rritje të metejshme të rasteve të konfirmuara me gripin e Hong Kongut.

Me 6 shkurt 1970 numri i përgjithshëm i rasteve arriti në 491 mijë e 985 raste duke prekur kështu 23.7 për qind të popullatës.

Në shkresën drejtuar zëvëndëskryeministrit Adil Çarçani, ministri i Shëndetësisë shpreh disa shqetësime. E ndër to është refuzimi i fshatarëve për të marrë barnat në formën e kokrrave.

“Gjatë kontrolleve të kryera në gjithë rrethet e vendit për këtë periudhë, kemi vërejtur se fshatarët në përgjithësi nuk i vlerësojnë barnat e dhëna nga personeli mjekësor duke i konsideruar si pa vlerë në qoftë se këto nuk janë injeksione”, thuhet në shkresë.

Problematika e statistikave të epidemisë së gripit theksohet edhe më shumë në shkresën e fillimshkurtit.

“Numri i vdekjeve arriti në 1 mijë e 134. Nga të dhënat e pjesshme që kemi, vërehet se në pak rrethe i përafrohen shifrave ekzakte. Si për shembull, rrethi i Beratit ka njoftuar 28 vdekje për gjithë periudhën e epidemisë ndërsa të dhënat e nxjerra nga zyrat e gjendjes civile dëshmojnë një rritje nga 88 vdekje në muajin janar 1969 në 170 në janarin e 1970. Po kështu, Fieri ka njoftuar 27 vdekje ndërsa raporti janar 1969-1970 është 101 në 273 vdekje, Lushnja nga 46 në 163, Tropoja nga 28 në 82 etj”, evidentohet në shkresën e 7 shkurtit të vitit 1970 të ministrit të Shëndetësisë, Çiril Pistoli.

Me 16 maj, epidemia u konsiderua e mundur dhe me këtë rast, mjekët u përshëndeten nga kryeministri i kohës Mehmet Shehu përmes një letre që mban datën 16 maj 1970. /Scan TV/

Në trend Lajme

Më shumë
Parlamenti britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

Parlamenti britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

Lajme
Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Lajme
Hapi i fundit i Kosovës për anëtarësim në KiE, Serwer : Indinjata e Serbisë është e turpshme

Hapi i fundit i Kosovës për anëtarësim në KiE, Serwer : Indinjata e Serbisë është e turpshme

Lajme

"Kushtëzimi" i anëtarësimit të Kosovës në KiE, Musliu-Shoshi: Ndërkombëtarët nuk po kërkojnë asgjë çka nuk është dakorduar Kurti në marrëveshjen e Ohrit

Elfije Boletini
“Në hava kam me t’çu se e kam vajzën deputete”, Deliu-Kodra me kritika të ashpra ndaj deputetes së LVV-së duke ia kujtuar rastin e 90-vjeçarit

“Në hava kam me t’çu se e kam vajzën deputete”, Deliu-Kodra me kritika të ashpra ndaj deputetes së LVV-së duke ia kujtuar rastin e 90-vjeçarit

Lajme
Mashtrime me vlerë 10 milionë euro, SPAK operacion kundër Call Center

Mashtrime me vlerë 10 milionë euro, SPAK operacion kundër Call Center

Lajme
Kalo në kategori