LAJMI I FUNDIT:

Si të shtohen eksportet e Kosovës

Si të shtohen eksportet e Kosovës

Kosova duhet të prodhojë më tepër, në mënyrë që të mund të rrisë eksportet e saj. Por, për ta bërë një gjë të tillë, duhen politika më të favorshme fiskale tregtare.
Kështu u tha në edicionin më të ri të emisionit “Ekonomia me Erëzën”, që u transmetua të hënën, në Klan Kosova.

Drejtori i Departamentit të Tregtisë në MTI, Blerim Ahmeti tha se diskriminimi që i behet produkteve kosovare nga vendet e rajonit është njëri nga faktorët kryesor për nivelin e ultë të eksportit në vend.

Sipas tij, edhe sikur Kosova të plasojë në treg prodhime të cilat plotësojnë të gjitha standardet e BE-së, politikat nacionaliste të shumë vendeve brenda CEFTA-s, por edhe te pesë shteteve të Unionit, që nuk e kanë pranuar pavarësinë e saj, do të bojkotonin këto produkte.


Drejtori i Institutit STRAS, Ibrahim Rexhepi tha se problem kryesor në lidhje me eksportin vendor qëndron tek niveli i ulet i zhvillimit dhe mungesa e koncepteve të strategjive zhvillimore. Sipas tij një rol të rëndësishëm ka edhe mekanizmi qeveritare që deri me tani nuk ka arritur të krijoj një ambient atraktiv për investime.

Mysafir i ftuar në emision ishte edhe Gëzim Pula , drejtor i kompanisë 3CIS, që eksporton shërbime jashtë vendit. Ai tha se për të stimuluar eksportin e prodhimeve kosovare, shteti duhet të rishikojë politikat ekzistuese të kësaj fushe.

Pula tha se Kosova ka potenciale të shumta për të eksportuar shërbime.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna bëri të ditur se Dogana e Kosovës është duke punuar për t’i lehtësuar të gjitha procedurat e eksportit.

Në emision u prezantuan edhe të dhëna për vendet ku eksportohet më se tepërmi. Sipas tyre, del se, të paktën për gushtin e këtij viti, blerësi kryesor i produkteve kosovare ishte Kina, me 29.9 për qind. Më pas vijnë India me 12.4 për qind, Shqipëria me 11.4 për qind, Maqedonia me 10.6 për qind, Italia me 6.0 për qind, Serbia me 5.1 për qind dhe Mali i Zi me 4.7 për qind. /Telegrafi/