LAJMI I FUNDIT:

Si cjapi të kasapi

Si cjapi të kasapi
Ilustrim

Nuk ndodhte edhe një e ligë në Zezë pa kuptuar së pari të huajt, që kishin vërshuar fshatin. Derisa Komisari po vonohej me informatë të re për zbulimin e ndonjë gjurme të vrasjeve enigmatike, në selinë ndërkombëtare të hetimeve kishin autorizuar hetues tjetër nga jashtë. Hetuesit vinin nga shtete të ndryshme dhe çdo përpjekje për të kuptuar se kush për cilin shërbim punonte, ishte fare kotësi. Dërgimi i një mbikëqyrësi të huaj për hetime ishte punë e kryer. Vetëm pritej çasti kur edhe Komisari do të ballafaqohej me të, dhe kështu gjërat do bëheshin lëmsh. Qarkullimi i përgojimeve të zeza ishte përhapur moti edhe përtej Zezës. Shërbimi i huaj mbikëqyrës në çdo fushë të jetës ishte bërë krejt i zakonshëm.

Komisari e dinte mirë se një ditë do të ballafaqohet me ndonjërin prej këtyre hetuesve të huaj, por nuk e imagjinonte dot si do të dukej ai, dhe i cilës racë do të jetë! Të huajt, me vite ishin trajnuar dhe kishin mësuar ndopak gjuhën e zijoshëve për të kuptuar më mirë krejt çka zihet në Zezë.


Megjithëse kishin kaluar ditë e javë, Komisari, akoma nuk kishte zbërthyer asgjë nga shprehjet e pakuptimta të hetuesit të arrestuar me nofkën Cjapi, i cili ra në burg pak kohë pasi kishte filluar punën. Ai më shumë po mendonte për fatin e vet e zi që po e priste, pasi ishte emëruar në atë pozitë pa asnjë ditë shkollë. Që kur kishte filluar ta merrte në pyetje ish shokun e fëmijërisë, veten e imagjinonte në të njëjtën pozitë kur mendonte punën e shkollimit dhe të diplomës që kishte marr dhuratë nga partia. Mendonte që sapo ta pyesin të huajt deri ku kanë arritur hetimet, posa të përdorë fjalën asishne apo kësishne, puna do të ngatërrohet krejt, pasi këto shprehje nuk i përkthente dot asnjë përkthyes në asnjë gjuhë. Derisa pritej ardhja e hetuesit të huaj në Zezë, gjithë fshati vlonte nga thashethemet për fatin e Komisarin, të cilit kishin filluar t’i këndojnë edhe këngë të zeza.

Komisari nuk kishte arritur të nxjerrë asnjë fjalë nga Cjapziu i arrestuar javë më parë. Hetuesi futi vetën në kurth duke shkruar biografinë e tij. Ai kishte humbur njërin sy natën që u gjend në oborrin e vejushës në fshatin Shurrëpelë, ku shkonte herë pas here për të kënaqur epshet si edhe shumë zijoshë e zyrtarë të huaj.

Komisarit i kishte hyrë frika në palcë se mund të përfundonte edhe më keq se Cjapziu pas ardhjes së kontrollorit të huaj për hetime të hetimeve. Këngët e zeza që kishin filluar të këndoheshin, dukeshin edhe më të zeza se ato për Cjapin, tashmë të akuzuar dhe të arrestuar. Për pak ditë, Komisari, sikur harroi Cjapziun e arrestuar. Ishte i bindur, se kënga e zezë për të, së shpejti do të behet rapsodi.

Një ditë, pasi ishte kthyer në zyrë, derisa po mendonte për ndonjë metodë që i ka mbetur pa përdorë akoma ndaj Cjapziut, pa trokitur fare në derën e zyrës së tij, hyri i panjohuri, të cilin po e priste tash sa kohë. Para tij u vizatua një njeri i huaj, krejt i zi, sikur të kishte dal nga ndonjë oxhak i pështirosur. Komisari kishte mësuar dy tri fjalë të huaja dhe ashtu e përshëndeti Arapin, të cilit po ia dallonte vetëm sytë dhe dhembët e bardhë.

E ftoi brenda me willkome( mirëserdhe). Urdhëroi korrierin të sillte një karrige, dhe të dy u ulen ballë për ballë. Aty nuk kishte shumë muhabet. Kontrollorin e huaj, tash me emrin Arap, të cilin epitet ia dha vet Komisari , duhej ta informonte për rrjedhat e hetimeve rreth zbulimit të vrasjes enigmatike të Mulziut para një shekulli. Derisa Komisari po mendonte se çka do t’i thoshte të huajit, ai krejt pa pritur shqiptoi fjalinë; -” Ti hu, u hu”!

Komisari u shtang dhe nuk kuptoi asgjë. Fjalët e shqiptuara nga i huaji, në veshin e Komisarit jehuan sikur të ishin shqiptuar nga ndonjë kinez.

– Di gjë ti si u vra ai njeri?- pyeti Arapi.

Këto fjalë, në veshët e Komisarit tingëlluan vetëm si rrokje fjalësh të panjohura. Krejt i hutuar, nuk foli edhe një fjalë të vetme, ndërsa Arapi vazhdoi pyetjen tjetër.

Ke ti sy ?

O zoti im, thirri vet me veti Komisari! Ç’më gjeti tash mua me këtë njeri të zi, i cili duket se flet shqip, por me siguri fjalët që thotë, janë të gjitha kode, dhe ndoshta ky ka marr vesh moti se çka kishte ndodhur me Mulziun e ndjerë. Nëse ky vazhdon me këso pyetjesh, edhe unë vet do të mund të akuzohem si pjesëmarrës në vrasje, apo edhe si vrasës. Pas kësaj pyetjeje të çuditshme të të huajit, Komisari nuk foli më.

Ti do lek? Lek, lek, lek , vazhdoi të murmurisë i huaji! Komisari kuptoi mirë vetëm fjalën lek, që e përsëriti Arapi, por as që i shkoi mendja, se ajo fjalë nënkuptonte mito – ryshfet. Megjithëse edhe Komisari kishte kaluar disa kurse trajnimesh që organizonin të huajt, nuk kishte mësuar asgjë. Si të mësonte kur nuk kishte asnjë ditë shkollë. Ai nuk njihte as gjuhën e vet zijoshëve.

Në Zezë, të huajt organizonin kurse mësimi edhe për aso gjuhësh që nuk kishte dëgjuar askush deri atëherë. Komisari po mendonte, se po t’ia thoshte edhe një fjali të vetme Arapit, ai mund të mos e kuptonte apo ta keqkuptonte rastësisht. Mund të ngjante që fjala të cilën do t’ia thoshte Komisari, të mos ketë lidhje fare me pyetjet që shtronte i inspektori i huaj. Mendoi se do të qe më mirë të mos përgjigjej fare, pasi lehtë mund të binte në kurth, pa kuptuar asgjë.

Komisari që moti ishte bërë i njohur për shumë të liga, por akoma nuk po imagjinonte se çka mund t’i sjellin ato.

Në situatën e re që u krijua pas ardhjes së kontrollorit të huaj të hetimeve, ai harroi krejt detyrën e vet. Harroi çdo gjë që kishte biseduar me Cjapin. Vazhdoi ta torturonte veten me mendime të zeza se çka pyeti ky i huaji dhe për çka interesohet ai. Çdo fjali që do ta fliste gabimisht, mund të ishte fatale për të, andaj vendosi të heshtte.

Heshtja e Komisarit zgjoi dyshime të forta tek Arapi.

I huaji, dukej sikur kishte filluar të dyshonte, se pikërisht ky Komisari mund të ishte vrasës i rryer, dhe tash ka zgjedhur heshtjen.

Arapi nxori një bllok të vogël nga xhepi dhe nisi të shkruante diçka në gjuhë të huaj. Komisari nuk e shikonte fare. Mbeti i hutuar nga mendimet e zeza për epilogun e zi, që mund të kishte biseda. Sesi po zhvillohej ngjarja në zyrën e tij, nuk dinte askush, por në Zezë vlonin pëshpëritjet për fatin e zi të Komisarit. Gjithë zijoshët pëshpëritnin si kanë parë duke hyrë në komisariat një njeri të huaj, krejt të zi. Ishin përhapur edhe fjalë se ai njeri i huaji ishte homoseksual! Këtë epitet, zijoshët, më herët ia kishin m‘veshur edhe vet Komisarit. Kishin filluar edhe përgojimet për martesën e mundshme mes Komisarit dhe Arapit të ardhur rishtazi. U përhapen fjalë se ai Arapi ka sëmundje seksuale ngjitëse, dhe për këtë flitej më të madhe, kudo në Zezë.

Gjatë trajnimeve që organizonte Mizioni, të huajt kishin mësuar edhe ndonjë shprehje të urtë popullore, për të cilat Komisari nuk e kishte asnjë ide.

Serish, heshtjen e theu i huaji.

“Ke kri kot ”? “Di gjë ti?,- i tha Arapi Komisarit. Pasi i huaji shqiptonte çdo rrokje ndaras , Komisari as që kuptoi edhe një fjalë të vetme se çka thoshte ai. Iu kishte bërë fiksim se i huaji po interesohej vetëm për zbulimin e vrasësit enigmatik të Mulziut para një shekulli. Sa më shumë zgjatej biseda, puna ndërlikohej.

Mjaftonte që këtij Komisari, dikush t’ia thoshte më shumë se dy tri fjali, dhe ai humbej i tëri. Për të qenë e keqja edhe më e madhe, të huajt zakonisht mbanin mend ndonjë fjali të zijoshëve, krejt pa lidhje, dhe kështu si Komisari në këtë rast, mbetnin pa fjalë dhe dorëzoheshin menjëherë. Nga heshtja dhe hutimi që i shihej në fytyrë Komisarit, dukej sikur ai po priste vetëm prangat.

Derisa vazhdonte biseda, krejt papritur, i huaji pyeti për tualet. Kjo fjali, Komisarit iu duk sikur të kishte dëgjuar tinguj të shqiptuar nga ndonjë jashtëtokësor. Frika nga arrestimi i mundshëm e kishte pushtuar këmbë e krye.

“U dhi” ! ”Ku dhi”! – Arapi pyeti Komisarin!

Se çka pyeti ky farë kontrollori, Komisarziu nuk e kishte idenë. Pa nxjerrë zë, kryqëzoi duart, i lëvizi pa lidhje në drejtime të ndryshme. I shkoi mendja të gërshetonte gishtat, por kur iu kujtua forma e shqiponjës, që mund ta kishte bërë aksidentalisht, gati sa nuk u shastisë nga frika.

Mos, ndoshta ky Arapi edhe mendon të më provokojë sa jam patriot, dhe kjo do të mund të më kushtonte se paku me largim nga puna, apo edhe me burg, po i thoshte veti pa zë Komisari. Nuk e hoqi dot nga mendja këtë mundësi dhe gabimin që do të mund ta kishte bërë duke kryqëzuar gishtat si shqiponjë. Ai po e torturonte veten kot me mendime të zeza.

Arapi preku pantallonat dhe gati sa nuk i shpërthekoi. Komisari ia tregoi derën, duke i dhënë shenjë me dorë që të shkonte andej nga shkurret e fshatit, pasi në ndërtesën ku ishte Komisariati, tualeti ishte bllokuar moti.

Pse nuk kanë tualet në Zezë, Arapi kishte kuptuar që kur kishte mbërri në fshat, akoma pa kontaktuar fare me Komisarin. Ai kishte kalëruar andej nga shkurret me dhjetëra herë. Komisari po e mundonte veten kot, duke u përpjekur t’ia tregonte rrugën drejt shkurreve. Arapi ishte shliruar shumë herë më parë atje në shkurre, por për këtë, Komisarit as që i kishte vajtur mendja ndonjëherë. Nuk i thoshte dot të huajit, se në rast nevoje, gjithë zijoshët shkojnë atje, në qendër të fshatit, në shkurre, dhe aty kryejnë nevojën. Shihej se shkurret nuk ishin të panjohura as për të huajt. As djalli nuk e dinte se nga vinte ky njeri dhe kush e kishte rekrutuar në stafin ndërkombëtar, që po mbikëqyrte hetimet në Zezë. I huaji doli nga zyra dhe sikur ta njihte mirë fshatin, shkoi drejt shkurreve. Pasi u çlirua mirë, fshiu prapanicën me gjethe shurrëpele.

Kush mund të thoshte se Komisari dhe Arapi po bisedonin për hetimin e vrasjes enigmatike dhe vrasësin e pazbuluar të Mulziut para një shekulli? Me siguri, askush!

Komisari nuk e shoqëroi të huajin deri në shkurre, por mbeti për ta pritur në zyre. Orët ikën ndërsa i huaji nuk po kthehej. Komisarit i shkoi mendja. se mos Arapi është përlyer rastësisht me mut atje në shkurre, dhe nuk di ku të pastrohet. Kjo nuk kishte ndodhur fare. Kryerja e nevojës në shkurre nuk ishte e panjohur për të. Kontrollori i huaj ishte kthyer shumë shpejt drejt qendrës së Zezës, dhe akoma pa arritur në kafenenë e afërme, kishte takuar, kënd tjetër, pos Karapidikun të cilin të gjithë e identifikonin me nofkën, Plisi.

Pasi priti disa orë në zyre, Komisari doli jashtë, dhe si zakonisht shkoi drejt në kafene. Çka të shihte aty? Kontrollori i huaj po bisedonte me zë, me Plisin.

Nuk kemi shpëtim nga Plisi, i tha veti Komisari. Kur dikush bisedon me Plisin para nesh, më nuk na mbetet tjetër pos të dorëzohemi! Shihej se Arapi po kënaqej duke biseduar me Plisin. Komisari vendosi të ulet vetëm afër dritares.

Nga një distancë e papërshtatshme, përpiqej të kuptonte ndonjë fjalë që këmbente Plisi me të huajin, por kafeneja ishte e madhe, dhe nuk arrinte të deshifronte asgjë, përveç ndonjë zëri të këputur, krejt pakuptim.

Po çka mund të bisedonte Plisi pa asnjë ditë shkollë dhe një i huaj të cilit nuk i dihej as shkolla as profesioni, as nga cili djall-shtet vinte. Krejt biseda ishte përqendruar rreth rastit të hetuesit të mëparshëm ndërkombëtar që ishte përmutur në shkurre. I huaji, përmes Plisit kishte kuptuar krejt ngjarjen që kishte përjetuar hetuesi pararendës i Arapit. Për Arapin, përmutja nuk ishte e panjohur, pasi edhe në vendin e tij e kishte provuar më shumë se një herë.

Meqenëse shkurret e Zezës i njihnin të gjithë zijoshët, Plisi kishte dëgjuar, se të huajt do të japin para të majme për të bërë aty një park të bukur pushimi. Arapi kërkoi nga Plisi që të gjente një firmë ndërtimore për këtë punë. Marifetet e pazarit zakonisht bëheshin përmes shoqatave joqeveritare. Këtë e kishte mësuar përmendesh Plisi. Për procedurat e tenderimit që nga fillimi dihej kush përkujdesej nga pushteti. Tek e fundit, zijoshët do të mund ta kenë parkun, por aty më nuk do ta kenë lehtë të dhihen, pa i parë dikush, dhe aty do shihet çdo përmutje, që mund të ndodhë në të ardhmen.

Pasi piu disa gota raki me Plisin, i huaji u ngrit nga vendi dhe kjo nuk i shpëtoi pa parë Komisarit. U ngrit rrufeshëm! Meqenëse ishte afër derës, u largua me shpejtësi drejt selisë së komisariatit. Edhe hetuesi i huaj u nis pas tij. Jo që biseduan më edhe një fjalë për hetime, por Arapi, vetëm e pyeti Komisarin, se çka di ky për OJQ-të, të cilat veprojnë në Zezë, për të cilat kishte dëgjuar plot thashetheme nga Plisi? Se çka ziente Arapi në mendje për këto OJQ, këtë nuk e kishte të qartë Komisari.

Do të kemi punë këtu në Zezë, tha Arapi. Hapja e një tenderi, për Komisarin ishte sihariq. Ok, okej, tha disa herë, ( ang. në rregull)! Komisari mori celularin të cilin gjithmonë e mbante para vetes në tavolinë. Derisa Komisari po bisedonte me shefin e tij, Arapi ishte tretur në rrugë drejt hotelit. Shefi i Komisarit kishte tri OJQ të tija, të regjistruara në emra të huaj, dhe përmes tyre merrte çdo punë që paraqitej, sidomos aso që tërheqin donacione të majme. Tenderi për ndërtimin e parkut në Zezë, do të nxirrte në dritë edhe shumë të zeza tjera, që po i mësonin përditë e më tepër zijoshët. Në Zezë, tenderët ishin bërë histori e pasurimeve të paligjshme dhe e grabitjes se donacioneve të majme, pa i dhënë llogari askujt. Për pasurimin e paligjshëm që po lulëzonte në Zezë, akoma askush nuk fliste.

Aty nuk kishte mbetur pronë publike që nuk ishte uzurpuar nga pushtetarët e rinj. Komisari nuk mendoi gjatë për OJQ-të, pasi për këtë punë ishte shefi, i cili fërkonte duart në anën tjetër të telefonit. Për këso punësh biseda duhej të zhvillohej drejtpërdrejt në zyre me shefin, pa telefon. Vetëm aty sqaroheshin këto djall-punë deri në detaje. Qarkullonin lajme se shërbimet e huaja sekrete po përgjonin telefonat, prandaj Komisari duhej të shkonte me urgjence për të biseduar drejtpërdrejt me shefin në zyrën e tij. Fluturoi me makinë, pa u vonuar. I rrëfeu shefit se kush e kishte iniciuar këtë punë, dhe pasi e njoftoi për Arapin, nuk kishte nevojë për shumë hollësi. Shefi kuptoi, se tashmë një tufë dollarësh po i buzëqeshnin, dhe ato shpejt do të gjenden në xhepin e tij. Komisari u obligua që në rast se shfaqet ndonjë pjesëmarrës tjetër në tender, atëherë ai mund të ndalonte çdo aktivitet punë në shkurre, gjoja për shkak të hetimeve që duhet të kryhen aty për ndonjë varrezë masive nga lufta e fundit. Zgjidhja ishte në dorë. Tenderin nuk e merrte dot askush para shefit të partisë.

Nënkontraktorë, në Zezë ka për të fshirë bythën, tha me zë të lartë shefi. Komisari për pak kohë u lirua nga problemi i madh që priste të ketë me Arapin lidhur me hetimet. Milionat do rrjedhin në xhepin e shefit të partisë. Vet Komisari as nuk guxonte të mendonte për të përfituar edhe një dollar të vetëm, pasi shefit ia kishte shitur lirë prapanicën, kur ishte emëruar në këtë detyrë, për të cilën punë nuk e kishte as edhe një ditë shkollë. (sic.)

Në trend

Më shumë
Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Lajme
“Ju kemi njohur para lufte...ju njohim edhe tash”, Haxhiu, opozitës: Milionerë nuk ishit, jeni bërë vetëm duke qenë në qeveri

“Ju kemi njohur para lufte...ju njohim edhe tash”, Haxhiu, opozitës: Milionerë nuk ishit, jeni bërë vetëm duke qenë në qeveri

Lajme
Historia e pabesueshme e ‘heroit’ që mposhti PSG-në: Pseudonimin e mori për shkak të dhëmbëve, deri në moshën 30-vjeçare ishte në kategorinë e dytë

Historia e pabesueshme e ‘heroit’ që mposhti PSG-në: Pseudonimin e mori për shkak të dhëmbëve, deri në moshën 30-vjeçare ishte në kategorinë e dytë

Ndërkombëtare
U tha se do të vinte në Shqipëri për t'u takuar me Heidin në Big Brother - Massimiliano Varrese vjen me një mesazh në shqip

U tha se do të vinte në Shqipëri për t'u takuar me Heidin në Big Brother - Massimiliano Varrese vjen me një mesazh në shqip

Magazina
Autobusi i PSG-së e la Mbappen në stadium pas humbjes nga Dortmundi, në aeroport shkoi me transport privat

Autobusi i PSG-së e la Mbappen në stadium pas humbjes nga Dortmundi, në aeroport shkoi me transport privat

Liga e Kampionëve
Vrasja e Liridona Ademajt - edhe dy muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët, i dyshuari i katërt mbrohet në liri

Vrasja e Liridona Ademajt - edhe dy muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët, i dyshuari i katërt mbrohet në liri

Drejtësi
Kalo në kategori