LAJMI I FUNDIT:

Shtetndërtimi dhe protestat

Shtetndërtimi dhe protestat

Që nga paslufta, për aq sa Kosova ka mbetur pa e përmbyllur plotësisht procesin e shndërrimit në shtet me integritet të plotë territorial dhe sovranitet, pra shtet normal si shumë shtete tjera, për aq është akumuluar pakënaqësia, është akumuluar zhgënjimi dhe kjo është bërë pastaj bazë gjithnjë në rritje mbi të cilën krijohej lehtë justifikimi për të shprehur pakënaqësinë, për të protestuar, për të demonstruar, apo reaguar në forma të ndryshme.

Kështu, mungesa e sovranitetit në veri si hapësirë ku herë involvohet dhe herë ankorohet shteti serb në Kosovë, decentralizmi në emër të barazisë së komunitetit serb që kërcënon pandalshëm funksionin normal të hierarkisë dhe rendit juridik, mosnjohja nga BE-ja dhe OKB-ja, të cilat gati paralizojnë njohjen e Kosovës si subjekt i barabartë në arenën ndërkombëtare, bisedimet politike me Beogradin, zyrtarë për normalizim të marrëdhënieve të cilat i bëjnë jo pak raportet brenda në Kosovë jonormale, mungesa e ushtrisë së mirëfilltë që nënpmon të kaluarën dhe determinon pasiguri në të ardhmen, janë vetëm disa karakteristika të këtij hendeku që prodhon pakënaqësi tash sa kohë e që janë karakteristikë vetëm e shtetit të Kosovës.


Por, kjo nuk është e tëra. Problemet e tjera që i hasim edhe te shtetet tjera si korrupsioni, krimi i organizuar, mos efikasiteti i gjykatave, papunësia etj. e rrisin edhe më shumë pakënaqësinë dhe zjgënjimin e qytetarëve të Kosovës dhe e bëjnë edhe më të lehtë reagimin jashtëinstitucional.

Vetëvendosja përfituesja më e madhe

Deri më sot kjo hapësirë që ka mbetur pa u përmbushur me shtetndërtim – pra ndërmjet asaj çfarë shteti dëshironim dhe çfarë shteti realisht mundëm të krijojmë – më së miri është shfrytëzuar politikisht dhe jo vetëm nga Lëvizja Vetëvendosja. Në të vërtetë, i gjithë koncepti politik i kësaj Lëvizje, të gjitha arritjet e saja janë ndërtuar mbi këtë hapësirë të krijuar pas luftës së fundit në Kosovë. VV konsideronte se kjo hapësirë ku po ngecte bërja e shtetit të plotë sovran mund të përmbushej vetëm me protesta e kundërshtime jashtë-institucionale, duke refuzuar gjithë legjitimitetin shtetëror të Kosovës së re dhe të gjitha institucionet e reja të Kosovës.

Duke e shfrytëzuar këtë hapësirë të papërmbushur me shtet e sovranitet, ajo do të bëhet forcë relevante politike. E inkurajuar, por edhe e shtrënguar nga rritja, më pas ajo do të ridizajnojë këtë qasje për të projektuar një strategji pak më ndryshe, duke konsideruar se këtë ngecje të pavarësisë mund ta shtyjë para edhe nga rruga me protestat, por në të njëjtën kohë edhe duke u bërë pjesë aktive e institucioneve duke marrë pjesë fillimisht në zgjedhje. Por, nga të gjitha këto protesta, demonstrata, kundërshtime e reagime disavjeçare, shteti i Kosovës nuk po përfitonte dhe hapësira e papërmbushur e shtetndërtimit nuk po ngushtohej ashtu sikundër që nuk po ndalej as korrupsioni, as rritja e papunësisë. Disiplinimi i pozitës nga reagimet e opozitës nuk po funksiononin. Për më shumë VV as që po dilte fituese për të formuar Qeveri nga zgjedhjet e ndryshme.

Kapitali politik dhe koncesionet vështirë të riparueshme

Po si mendonin forcat e tjera politike të Kosovës që ta shtynin para procesin e bërjes së Kosovës shtet në kuptimin e plotë të fjalës, gjë që nuk ndodhi menjëherë pas luftës, ashtu sikundër ishte pritur? Ato mendonin se kjo mund të bëhet vetëm duke punuar dhe vepruar institucionalisht dhe në bashkëpunim të plotë me faktorin ndërkombëtar. Por, mu këtu do të lindin vështirësitë më të mëdha. Bashkësia ndërkombëtare do ta japë ndihmën vendimtare për ta çliruar Kosovën, por nuk do të jetë unike për ta bërë Kosovën shtet sovran gjithanshëm. Do të dalin shumë probleme, duke filluar nga plani i Ahtisarit, deri te korrupsioni i paskrupullt. Mirëpo, kjo qasje e ndërkombëtarëve, sidomos të një pjese të saj, nuk do të kundërshtohet sa e si duhet nga forcat politike të pasluftës me shpresën se kjo ngecje do të kompensohet në të mirë të ndërtimit të shtetit, gradualisht më pas.

Kjo në një mënyrë e në disa fusha edhe do të ndodhë, por jo pa ngecje të mëdha. Pasja e një kapitali të begatshëm politik të këtyre forcave politike të cilën e kishin akumuluar duke luftuar kundër Serbisë apo duke rezistuar gjatë dhe aktivisht (në këtë shquhej sidomos PDK e cila duke qenë më së gjati në pushtet pas luftës do të bëjë edhe lëshime më të mëdha) duket se i bëri ato më konfidente se sa duhet dhe ato bënë kompromise më shumë se që mund të riparohen shpejt dhe mirë në të ardhmen.

Kështu, jo ato nga njëra-tjetra, por LVV nga të gjitha ato po grumbullonte poenë politik më së shumti duke protestuar rrugëve. Por, përkundër krejt kësaj, këto forca (bile as PDK që në zgjedhjet e fundit do të marr më shumë vota, por jo mjaftueshëm që ta konstituojë Qeverinë e re) nuk do të ndëshkohen nga votuesit. Përkundrazi, herë njëra e herë tjetra do të mbesin në forma të ndryshme në pushtet, sidomos PDK-ja koncesionet e së cilës kanë qenë më të dhembshmet për shtetndërtimin.

Tri detyrat e Qeverisë së re

Hapësira për të cilën folëm në fillim, e cila ka prodhuar pakënaqësinë sa nga mos ndërtimi i shtetit sovran në gjithë territorin e Kosovës, aq edhe nga korrupsioni dhe papunësia, nuk është ngushtuar nga qeverisja gati tetëvjeçare e Thaçit, përkundrazi. Ikja e të rinjve në Hungari është determitë e kësaj qeverisje, korrupsioni i pandëshkuar papunësia dhe krimi i organizuar gjithashtu. Tash po shihet se Qeveria Thaçi, me atë që ka bërë dhe me atë që nuk ka bërë për shtatë vite, ia ka forcuar dhe zgjeruar Vetëvendosjes hapësirën vepruese, daljen në rrugë të cilën ajo e ka jetike, pothuajse ia ka justifikuar.

Por, puna është tash se të këqijat e Qeverisë Thaçi po i mvishen automatikisht Qeverisë së re Mustafa, edhe pse ai ato vetëm i ka trashëguar. Mirëpo, fakti se LDK është në koalicion me PDK, konkretisht Mustafa me Thaçin, bën që Vetëvendosja t’i konsiderojë ato si një dhe t’ju qaset atyre kutrum dhe t’ju hyjë si me kosë, pa bërë dallim dhe pa pritur as edhe 100 ditë qeverisje të Mustafës.

Këto nuk janë rrethana lehtësuese, as relaksuese për Qeverinë Mustafa. Ai duhet të veprojë urgjentisht nëse dëshiron që agjenda e qeverisjes së tij të mos përpilohet në rrugët e Prishtinës nga Vetëvendosje. Ky veprim duhet të përqendrohet në tre drejtime, duke pasur parasysh që koha e ngushtimit të hapësirës së shtetndërtimit të plotë nuk mund të prolongohet më as edhe një ditë.

1) Duhet të paraqes projekt të ri si kërkesë e re politike e qeverisë së tij ndaj BE-së, thelbi i së cilës do të jetë riparimi i decentralizimit shpërbërës në Kosovë, konkretisht centralizimi minimal demokratik si premisë primare e funksionimit normal të shtetit, pushtetit dhe rendit juridik.

2) Të përdorë të gjitha dijet, resurset dhe ndihmat e mundshme për zbutjen urgjente të papunësisë brenda një afati të shkurtë kohor.

3) Ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, edhe duke u ballafaquar me aleatin e koalicionit, prej të cilit për këtë duhet së paku të gjejë mirëkuptim.

Nëse Kryeministri Mustafa nuk do të jetë i vendosur i drejtpërdrejtë dhe i shpejtë në këto veprime, nëse për këto nuk do ta ketë përkrahjen e Thaçit, ata të dy do ta luajnë vallen e Vetëvendosjes rrugëve të Prishtinës.