LAJMI I FUNDIT:

Shteti laik dhe demokracia e brishtë kosovare

Më kujtohet si fëmijë kur isha, i pata bërë një pyetje qesharake gjyshit “ A është për serbët kryqi, si për ne shqiptarët shenja e dy gishtave që simbolizojnë demokracinë “. Ai mu përgjigj në një mënyrë të ëmbël duke buzëqeshur, sepse pavarësisht pyetja ishte tej mase banale, interesimi i fëmijës për çështje të tilla dukej sikur e lumturonte.

Ai u përpoq të më shpjegonte, se kryqi ishte simbol fetar i të krishterëve, jo vetëm serbët kishin këtë simbol, por edhe kombe të tjera të botës, madje ishte edhe simbol i shqiptarëve të besimit katolik e ortodoks. Më pastaj, gjyshi më tregonte edhe për demokracinë, dhe dy gishtat që e simbolizonin atë. Demokracia është sistem politik, dhe po instalohet në shumicën e shteteve të botës, vazhdonte të shpjegonte gjyshi. Sa më shumë më shpjegonte aq më të paqarta, e më të turbullta më bëheshin gjërat. Vetëm e dija se ushqeja një dashuri të madhe për atë fjalë që më dukej e shenjtë, fjalën “demokraci”.


Në fakt, kjo lidhje afektive me termin demokraci nuk ishte krejt e rastësishme. Si fëmijë isha pothuaj skajshmërisht egocentrik e etnocentrik, dhe i ndikuar nga konservatizmi kognitiv, pasi gjyshi nuk më dha informacion konsensusi, vazhdoja ta perceptoja demokracinë si “simbol kombëtar”. Në çdo demonstratë e protestë që mbahej nga shqiptarët , gjatë kohës se regjimit serbo-jugosllav, fjala demokraci ishte fjala më e përmendur krahas fjalëve liri e pavarësi.

Mjafton të dish sado pak greqishten, për të kuptuar kuptimin literal të fjalës demokraci, kratos (pushtet) dhe doemos (i popullit), pra demokracia përkthehet si pushtet i popullit. Fakti që fjala demokraci ka një kuptim të caktuar literal, apo etimologjik nuk na ndihmon fare të kuptojmë se ç’realitet i përgjigjet dhe si janë ndërtuar e funksionojnë format e mundshme të demokracisë (Giovanni Sartori).

Demokracia është një sistem politik, ku njerëzit të qeverisur nga kjo, përpiqen që të sjellin një bazë normative dhe të respektohen format më të larta të të drejtave të tyre. Njeriu si qenie e lirë dhe e vetëdijshme, kalon në shumë periudha për të arritur lirinë, jeta e tij karakterizohet nga mënyra se si e sheh vetën për t’u përballuar me të drejtën, pavarësisht cilave grupeve sociale u përkasim, gjithë duhet të jemi të barabartë para ligjit. Kjo, është Demokracia liberale . Pra, duhet të jemi racionalë dhe të arsyeshëm në çështjet më të rëndësishme që i qasemi vetëdijes sonë.. Por sa është evidente kjo te shoqëria dhe shteti jonë?.. Sa i adaptueshëm është ky sistem në shoqërinë tonë?

Politologu amerikan Francis Fukuyama, në librin e tij “ Fundi i Historisë dhe njeriu i fundit “ pohon, se demokracia liberale është fundi i evoluimit ideologjik, dhe ky sistem politik ideologjik përmbush nevojat më të thella njerëzore. Ndoshta Fukujama e ka ekzagjeruar, por megjithatë mendoj që demokracia liberale pavarësisht mangësive është sistemi më i mire, dhe më i përshtatshëm. E vetmja demokraci “reale” që është realizuar ndonjëherë përmbi tokë është demokracia liberale (Giovanni Sartori).

Rruga që shpie drejt demokracisë ka shumë parime, të cilat duhet të respektohen. Këto parime të shumta, athua a po respektohen nga institucionet më të larta të shtetit tonë?… Demokracia në vendin tonë është një “Demokraci” vetëm në letër, kurse ligjet e miratuara në kuvend në shumicën e rasteve nuk aplikohen në terren.

Në kuadër të një demokracie të mirëfilltë, në strukturën e saj duhet të instalohet një demokraci politike, që mbështetet në barazinë juridike-politike. Pra, të jemi më konkretë, se çfarë nënkuptojmë me këtë: superstruktura e këtij sistemi, duhet të ngritet lartë, dhe të përfaqësojmë një ideal të saj për të zmbrapsur manipulimet anti-demokratike që ndodhin në shpinë të saj. Në saje të këtij parimi, duhet të iu qasemi edhe Demokracisë ekonomike dhe asaj shoqërore. Kur të ndërtojmë një paralele në mes tyre, atëherë ia arrijmë qëllimin sëbashku, me këtë perfeksionojmë një liri në kuptimin më të “rëndë” të fjalës, pra një liberalizëm demokratik. Shkojmë më tej, na duhet posaçërisht, një “Elitizëm Demokratik”.

Maks Veber i vë theks të veçantë rëndësisë së udhëheqjes në demokraci, dhe kjo është arsyeja pse sistemi i tij quhet “ Elitizëm Demokratik”. Ai argumenton, se sundimi nga elitat është i pashmangshëm, dhe më e mira çka mund të shpresojmë është që këto elita të përfaqësojnë me sukses interesat tona, dhe që këtë ta bëjnë në mënyrë të urtë dhe novatore. Nga kjo perspektivë e Veberit, duhet ta shtrijmë organizimin strukturor në saje të krijimeve të elitave, që bëjnë të mundur formimin e një hapësire sociale për koordinimin dhe barazimin e parimeve më themelore të një demokracie shumëpartiake.

Nëse bazohemi në shtrirjen e këtij “Elitizmi Demokratik”, jemi të sigurt se në cilën anë të detit po lundrojmë, dhe jemi të informuar ku ndodhet caku për t’u ndalur. Pra, nëse e arrijmë këtë parim, atëherë mendoj se kemi bërë një hap të madh drejt instalimit të një demokracie liberale të mirëfilltë në shërbim të qytetarëve. Por, duke lënë mënjanë ndjesinë e ëmbël, që na jep termi “demokraci” do të transferohemi në realitetin konkret në terren.

Në një shkollës të komunës së Ferizajt, një vajzë u suspendua nga shkolla, me “arsyen” e vetme, mbajtja e një shamie në kokë nga ana e vajzës. Vendimi për suspendimin, sipas drejtorit të shkollës, është marrë në konform të një udhëzimi administrativ të MASHT. Kjo ngjarje ka quar shumë pluhur, dhe ka nxitur reagime, nga institucione të ndryshme, dhe nga qytetarë të zakonshëm. Po ç’na thotë kushtetua si akti më i lartë juridik i një shteti :

Neni 38 [Liria e Besimit, e Ndërgjegjes dhe e Fesë]

1. Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë, është e garantuar.
2. Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë ngërthen të drejtën për të pranuar dhe për të manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale dhe të drejtën për të pranuar ose refuzuar për të qenë anëtarë i një bashkësie ose grupi fetar.
3. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet, në kundërshtim me ndërgjegjen e vet, që të marrë pjesë në praktikimin e fesë si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij/saj.
4. Liria e manifestimit të fesë, e besimit dhe e ndërgjegjes mund të kufizohet me ligj, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit, ose të të drejtave të personave të tjerë.

Pra, Kushtetuta thotë se njerëzit kanë të drejtë të praktikojnë fenë e tyre si një e drejtë e garantuar, por vetëm derisa nuk cenojnë lirinë e tjetrit, nuk prishin rendin publik, ose nuk kërcënojnë sigurinë e përgjithshme. Por, kë kërcënon mbajtja e shamisë? A e prish rendin publik? A e kërcënon sigurinë e përgjithshme? Sigurisht që jo.

T’i kthehemi më lartë shembujve paraprak. Përse jam pro respektimit të të drejtës për të mbajtur objekte fetare? Sepse duhet të respektohet e drejta e secilit për të praktikuar fenë ose për të bërë publike bindjet religjioze, natyrisht derisa nuk bien ndesh me ligjin, ose nuk shkaktojnë dëme të tjerëve. Në bazë te saj, do i parashtroja vetës një pyetje. A duhet të lejohet Ferexheja?… Unë them JO. Arsyeja, aty mund të fshihet edhe krimi, rregull i kësaj është manipulimi që bënë me vetën në dëm të shoqërisë. Imagjinoni njerëz që bredhin rrugëve me maska të zeza në fytyrë. Çfarë tmerri!!! Ferexheja? Kjo akoma më keq. Përveç që me anë të Ferexhesë, fshihet fytyra… lejon mundësinë që të fshihet edhe përkatësia seksuale.

Koshientë se dikujt mund ti duket se ndërmjet shamisë dhe ferexhesë, nuk ekziston ndonjë kontradiktë formale, ndiej se jemi të detyruar, të konkretizojmë akoma me shembuj pragmatikë problemin. P.sh.. e krahasojmë shaminë me kapelën. Që të dyja vendosën në kokë, dhe mbulojnë flokët, por nuk lejojnë që të fshihet identiteti. Natyrisht, ne nuk na intereson në parim, arsyeja e përdorimit të kapelës a shamisë, por na intereson principi, sipas të cilit, duhet të respektohet e drejta e secilit për të manipuluar me objekte, deri në masën që nuk kërcënojnë rendin publik, ose lirinë e tjetrit. Prandaj, për ne ndërmjet ferexhesë e maskës nuk ekziston ndonjë dallim, që të dyja, në optikën time janë kërcënuese të shoqërisë, shtetit dhe lirisë e sigurisë së përgjithshme. Prandaj, ndalimi i ferexhesë është në përputhje me logjikën e shëndoshë të secilit që ka dy ditë shkollë, dhe sipas interpretimit tim kjo pohohet edhe në Kushtetutën e Kosovës.

Kosova është një shtet laik, dhe përbrenda kësaj duhet të respektohet e drejta e çdo konfesioni. Në brendi të saj, duhet të krijojmë një kriter të lartë, pra një rregull, për të mposhtur paragjykimet dhe stereotipat që po na dëmtojnë si shoqëri. Një njeri, si drejtor i një institucioni arsimor a të një institucioni çfarëdo që të jetë, të jetë fjala e tij e fundit, dhe t’i bindemi, është një çështje në të cilën ne ndihemi të shtypur, dhe duhet të krijojmë një rregull të lartë shoqëror që ta kapërcejmë këtë ndjesi që është e padobishme, dhe që është evidente në dëmin tonë. Ky rregull shoqëror, përcaktohet nga vlerat kulturore që karakterizohemi, filtrimi i këtyre vlerave vjen si pasojë i një strukturimi i largësisë, distancimit, që ne e posedojmë me frymën ideologjike manipuluese, atë të izolimit. Pra, nuk mund të konsiderohemi si një rregull shoqëror, por si një marrëzi që e ka kapluar vendin tonë, me individ që nuk kanë as sistem të menduari, e lëre më të veprojnë në të mirë të së drejtës.

Ndarja e fesë nga shteti, ka çuar te krijimi i shtetit laik, ku megjithatë e drejta fetare mbrohet e garantohet me ligj. Përse të mos lejohet, e drejta e një femre që të mbajë shaminë? Përse të cenohet integriteti i saj në shoqëri, si dhe aftësitë e saj të inteligjencës për t’u shkolluar të hidhen poshtë? Shkojmë tek një shembull tjetër të një religjioni tjetër, atij krishterë, më sakësisht, një femre që nuk është lejuar të mbajë kryqin në qafë. Këtu cenohet kultura e saj, dhe formimi i saj kulturor i krishterë, që në shkollë të mos lejohet të mbahet ky simbol, pra tek ajo krijon një imazh negativ në vlerat kulturore që e karakterizojnë atë.

Kushtetuta e “Republikës” së Kosovës e përcakton Kosovën si shtet laik, sepse nuk mund të ndodhte ndryshe, por funksionimi i tij, duhet të jetë konform lirive, dhe aspekteve më ndriçuese të vlerave harmonizuese. Por, si një shtet me demokraci të brishtë, që fatkeqësisht është evidente tek ne, e gjithë kjo vjen në saje të një organizimi pakice drejtuesish shteti, të cilët duket sheshit, se janë të paaftë për të përballuar sfidat, apo për ndërtuar një sistem qeverisës që të çoj proceset demokratike, integruese, përpara. Kemi një krizë elitare.

Elitat që na përfaqësojnë nuk e bëjnë këtë në mënyrën më të mirë. Jashtë loje nuk duhet të mbesim ne qytetarët, si shumicë që përcaktojmë pakicën drejtuesish të shtetit, të jemi novatorë kundër një demokracie të brishtë. Pra, me një fjalë duhet të jemi ne ata që duhet të zgjedhim një lundrim drejt një deti të kthjellët, si dhe të mos lejojmë “ndokush” të na turbullojë këtë det, drejt një lundrimi ku shpie në thellësi të ndjesisë shpirtërore.

Afirmimi drejt vlerave kulturore, e gjithë kjo transformohet në një energji pozitiviste drejt një ardhmërie ku e drejta për të jetuar karshi të drejtave demokratike është një realitet.